Hysen Biza – “Artist i Merituar” (në 25 vjetorin e ndarjes nga jeta)

Hysen Biza lindi në qytetin e Elbasanit, më 1 nëntor  të vitit 1920. Shkollën fillore e kreu në shkollën e Tebojës, kurse të mesmen e ndoqi në Normalen e Elbasanit. Karrierën e tij të gjatë artistike e filloi pikërisht në shkollën Normale, në vitin 1936, me dramën “Romaducët“, ku spikati për talentin e tij. Që nga ai moment mori jetë veprimtaria artistike e aktorit të mirënjohur elbasanas Hysen Biza. Ai u aktivizua edhe gjatë shërbimit ushtarak, me teatrin e Amsamblit të Ushtrisë ku luajti krahas aktorëve të shquar të skenës shqiptare si Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka e të tjerë. Ketu hodhi dhe bazat e aktorimit duke punuar me regjizorë të njohur si Pandi Stillo e Sokrat Miho.

Pas mbarimit të shërbimit ushtarak më 1947 e deri në vitin 1955 punoi në grupin amator të Shtëpisë së Kulturës, ku krahas lojës së tij si aktor, ai vuri në skenë dhe shumë pjesë si regjizor. Më 22 shtator 1955, me krijimin e Estradës profesioniste në Elbasan, Hyseni u bë menjëherëpjesë e saj, duke mos u shkëputur për 21 vjet rrjesht, duke luajtur në 800 pjesë si : skeçe, parodi, kuplete, pantomima etj.

Del në pension në vitin 1976, por nuk hoqi dorë nga karriera e tij, të cilën e vazhdoi edhe për 15 vite të tjera, në teatër dhe estradë.

Për vlerat artistike që paraqiste tek publiku gjatë gjithë karrierës së tij si aktor, më 27 nëndor 1992 iu dha titulli “Artist i Merituar”. U nda nga jeta në 6 gusht të vitit 1993, në moshën 73 vjeçare.

Ndër rolet e tij më të spikatura përmendim: Jonuzin tek drama “ Vëllezërit”,  në rolin e tregëtarit  Hasanit tek drama “ Shpagimi “, Xhetin  magazinierin te “ Vera e vitit 1978 “, pijanecin simpatik te komedia “ Turneu “, Mahmutin te skena e Ministrave, një nga skenat më të realizuara te komedia “ Sa shumë gjehte të thata “etj. Ai mori pjesë edhe në kinematografi tek filmi “ Ndërgjegja “ , “ Një natë Nëntori” etj.

Do të mbahet mend gjithmonë për shprehjen proverbiale “ Hof t’shof “.