Ahmed Dakli

“Gjuha asht manifestimi më i thjeshtë i cilësive etike të një populli, pse i ka rranjët thellë në shpirtin e tij. Por unë këtu nuk dua të flas për gjuhë, nuk do të merrem me zhvillimin historik, me organizimin gramatikuer dhe me lëndën gjuhore të shqipes. Qëllimi em asht me prekun ngadalë harpën popullore shqiptare e me u harrue pak ndër kangë e valle, psherëtima e vaje që çohen prej votrës së kombit shqiptar. Sa herë që shpirti em i sëmunë shef që përbuzet e drejta, çohet peshë prej idhnisë e lyp një ças me u këndëllue nëdritën e Apollit. Këndojsit e “Urës…” edhe këta vuejnë, edhe këta kanë nevojë për lëmoshën, shejtë, për lulet e zanës shqiptare.

Jeta asht tepër e idhët. Shumë herë ne shofim të pafajshmin të shtypet e të rënkojë nën themrën e të fortit e fajtorin të ngrejë krye e të triumfojë me një krenari të turpshme. Ah, me sa psherëtima qenka endun kjo e shkreta jetë! Po shpresën nuk e bjerrim ne, armët bujare nuk i lëshojmë prej dorës. Dishepuj besnikë të parimeve tona, të keqen do ta luftojmë me gjithë fuqitë e shpirtit, pse “quand l’homme neglige de pratiquer,- thotë Tolstoi,- cequi seul est necessaire, sa vie comme sa mort perd leur sens”. Ne kemi shpresë pra, në thriambin e të drejtës, mbajmë uzdajë se së shpejti do të përshëndesim agimin e ditëve të bardha. E tash eni, këndojës të dashur, eni e ndini notat e buta të lyrës shqiptare. Mjerimet e jetës që ia kanë rrudhun ballin fisnik, do t’i harroni për një çast. Kush do të mbajë vesh, do të shijojë stinën e luleve e të pemëve, do të mbledhë trandafila duke bredhur nëpër qipshte, do të ndiejë fershëllima zogjsh te zalli i detit, fyje që bijnë së largu në nji mëngjes të bukur pranvere, klithma syzezash qi rrëmbehen, lëngim malli, dasëm e vdekje.

Më i vjetri monument artistik letrar që ruhet ndër kolonitë shqiptare, janë këngët popullore. Këto formojnë, bashkë me përrallat e zakonet arkivin e popullit, visarin e jetës të etërve tanë, historinë e vërtetë kombëtare. Po pse nuk lulëzoi përveç kësaj poezie dhe një poezi prozaike, kuptohet pa shumë mundim: shqiptari leu e u rrit me pushkë në dorë. Foshnjë edhe, në vesh të tij nina – nanat e mëmës shqiptare përziheshin me krismën e hutave në një muzikë e në një harmoni të çuditshme. I djegun në flakë të barotit për të ruajtur tokën arbnore, shqiptari nuk gjeti kohë të jepej pas lavrimit të gjuhës qi lyp një jetë të qetë e të qendrueshme. Jeta e djemm e barbare që çonte i biri i shqipes, mbyste çdo prirje qytetnimi për nji jetë politike e morale ma të naltë. Ndoshta fati do t’i kishte qeshur zhvillimit politik e letrar të popullit tonë, në qoflë se mbretnia e Skënderbeut do të kishte pasë gëzue një jetë ma të gjatë duke i dhanë politikisht e gjeografikisht, një përjashtim praktik atij shpirti të kombësisë qi Arbri diti me e ruejtun me shejtëni për nji kohë të gjatë në zemrën e vet…

Këto kangë me të cilat jehon delli i poezisë, na flasin se me sa njerëzi e sjellje, me sa shpirt kalorsie asht ngjeshun zemra e këtij populli…Kudo qi kullot syu, çdo gja qi vjedh zemrën, asht trashgim i përbashkët i këtij populli vjershor, i cili në jetën e shqepun e pa fre, këndoi amël ndjenjat e njoma familjare, dashuninë e atdheut në orën e rrezikut”,- dhe vijon,- “Qysh nuk gjeta unë nji vjershë që të jetë këndue me tela të thyeme, me lahutë të plasme. E mos kujtoj kush se po flas me simpati për visarin tonë letrar. Simpatia, edhe në qoftë se ka vend, s’m’i ka sytë të mbyllun…Ty këndojës, të pëlqen kanga e zogut n’at buzë vere, të pëlqen shushurimi i kroit, gjelbërimi i fushës, po në këto vjersha zogu i ndërliq me mall, kroi çuçlen ma kandshëm, blerimi e lulëzimi i fushës asht ma i njomë…”

  • Shkëputur nga libri “Ahmed Dakli, Patriot i shquar dhe gazetar trim e përparimtar i “URA E SHKUMBINIT” të autorit Hilmi Dakli, Fq 171-172