Me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, zotit Ethem Ruka nr. 130, date 15.09.1997, u hap në Elbasan e para shkollë jopublike, ndër të parat shkolla private dhe në Shqipëri. Hapja e kësaj shkolle kaloi shumë pengesa dhe peripeci. Ishte viti 1997 dhe lëvizja nëpër  rrugët e qytetit ishte e  rrezikshme, ca më tepër kur duhet të lëvizje edhe jashtë rrethit. Dhe të mendosh që duhej shkuar në Tiranë disa herë në javë, për kontaktet e nevojshme me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit. Jo vetëm kaq. Por, si një formë e re aktiviteti, para stafit menaxhues të shkollës kishte dilemma të tilla si:  A do të regjistroheshin nxënësit në këtë shkollë? A do t’i besonin prindërit? Si do të organizohej procesi mësimor? Sa të ardhura do të grumbulloheshin e si do të administroheshin? A do të vinin mësues të punonin me pagat e planifikuara? Ku do të vendosej shkolla? etj etj etj… Edhe Ministria e Arsimit u tregua skeptike për hapjen e saj, prandaj dërgoi një grup inspektorësh për të parë kushtet dhe bazën materiale. “Vendosa të boshatis shtëpinë dhe në dhomat e saj vendosa tavolina dhe karrige nxënësi, tavolinë për mësuesin, e objekte didaktike,” tregon Tomor Arianiti, themeluesi i kësaj shkolle.

1997. 09. 15, Elbasan, Godina e Kongresit të Arsimit në Kala u bë edh endërtesa ku nisi rrugëtimin e saj shkolla jo publike Arianiti, Arkivi Digjital Elbasan

1997. 09. 15, Elbasan, Godina e Kongresit të Arsimit në Kala u bë edh endërtesa ku nisi rrugëtimin e saj shkolla jo publike Arianiti

Kryetari i grupit të ekspertëve ishte i ndjeri Tonin Pavaci, i cili jo vetëm inkurajoi iniciativën e guximshme, por dhe premtoi support maksimal që kjo shkollë të hapej, duke lënë disa detyra konkrete. Atëherë filluan përgatitjet serioze. U porositën tavolina mësimore tip, karrige për nxënës, dërrasa të zeza etj. Por kërkohej godina, e cila duhej të përmbushte ato kushte që një shtëpi private nuk i mbush. Atë kohë në Elbasan ishte një godinë e përshtatshme, ish Muzeu i Arsimit, i rikonstruktuar dhe i administruar nga kisha, e cila u vu në dispozicion kundrejt qerasë.

Në të njëjtën kohë u bisedua me disa mësues me përvojë për mënyrën se si do të veprohej. “Një ndihmë të madhe dhe të pakursyer më dhanë ish-studentet e mia Donika Beça Cani dhe Mimoza Çerekja. Rol të rëndësishëm në hapjen e shkollës dhe në përpunimin e opinionit elbasanas dha edhe zoti Bardhyl Musai, një pedagog dhe specialist i mirënjohur në fushën e arsimit. Mblodha rreth vetes arsimtarët më të mirë të kohës: Anastasi Kote, Hedije Lulja, Ardian Tana, Violeta Kuqi, e shumë të tjerë.”

1997. 09. 15, Elbasan, Stafi i parë pedagogjik në ditëne parë të hapjes së shkollës Arianiti, Arkivi Digjital Elbasan

1997. 09. 15, Elbasan, Stafi i parë pedagogjik në ditëne parë të hapjes së shkollës Arianiti

U hartua tërë dokumentacioni i nevojshëm si planet, programet e lëndëve të reja, orari i mësimeve etj. U vendos që fillimisht të bëheshin 6 orë mësimi në ditë, 1 orë në ditë ishte e planifikuar për gjuhë angleze dhe 1 orë të shërbente për të përgatitur detyrat dhe në mënyrë të veçantë mësuesit të bënin punë plotësuese me nxënësit që kishin dobësi e prapambetje në lëndë të ndryshme. Kur gjithë baza didaktike u plotësua, nisëm nga regjistrimet. 15 shtator-15 tetor kemi bërë takime të shumta me prindër, tepër të interesuar por që edhe ngurronin të sillnin fëmijët, për shkak trazirave të kohës. Stafi i mrekullueshëm ishte një arsye e fortë. Edhe modeli i ri i shkollimit u jepte siguri prindërve. “U jam mirënjohës prindërve Ilir Neziri, Luan Bishqemi, Isa Mjeshtri, Gazmend Isufi, Kadri Mëhalla e shumë të tjerëve që besuan te stafi ynë pedagogjik dhe te ajo që ne do të bënim”.

Ceremonia e hapjes së shkollës u bë në datë 20 tetor 1997,  në prani të prindërve, disa mësuesve dashamirës, banorëve të lagjes dhe nxënësve.  Në klasën e parë u regjistruan 6 nxënës, në klasën e dytë 14 nxënës. Të nesërmen u shtuan 4 nxënës në klasë të dytë dhe 2 në klasë të parë. Në datë 25 tetor, numri arriti në 12 nxënës klasa e parë dhe 21 nxënës klasa e dytë. Për shkak të rritjes së numrit të nxënësve nëpër klasa, në fund të semestrit të parë, shkolla u zhvendos në godinën ku jetonte z. Bardhul Dakli, pronë e familjes Dakli (ish shkolla Kristoforidhi) e në fund të vitit të parë, Bashkia Elbasan ofroi me qera mjediset e konviktit të shkollës së muzikës.

Gjatë 5-vjecarit të parë, shkolla u konsolidua si në aspektin mësimor dhe në atë të bazës materiale. U krijua laboratori i gjuhëve të huaja me një qendër zëri (mikser) e 20 kufje, ku fëmijët dëgjonin mësimin e gjuhës angleze përmes kasetave. Fillimisht, u përdorën tekstet e fotokopjuara “Headway”, ndërsa në vitin shkollor 1998-1999 u futën tekstet origjinale të Oxfordit. Zgjerimi i aktivitetit kërkonte shtim dhe riorganizim të stafit. Ndaj dhe viti shkollor 1999-2000 nisi nën drejtimin e z. Ardian Tana, një ish-student i shkëlqyer, mësues i ri e shumë premtues.

Me kalimin e viteve, aktiviteti zgjerohej, klasat e nxënësit shtoheshin në numër. Qytetarët e Elbasanit filluan t’i besojnë më shumë shkollës private, standarteve e punës së kujdeshme që bëhej në këtë shërbim. Viti 2001 do të sillte edhe hapjen e kopshtit “Arianiti”. Kjo bëri edhe më të domosdoshme ngritjen e një godine të përbashkët për të gjitha ciklet e edukimit. Kështu, viti 2003 nisi në godinën e re dykatëshe, ku aktiviteti vazhdon edhe sot.

2017, Elbasan, Stafi pedagogjik i shkollës jo publike Arianiti në vitin shkollor 2017 – 2018, Arkivi Digjital Elbasan

2017, Elbasan, Stafi pedagogjik i shkollës jo publike Arianiti në vitin shkollor 2017 – 2018

Sot, Shkolla Jopublike “Arianiti” funksionon si një qendër arsimore e mirëorganizuar. Godina, e orientuar që në themel si shkollë, është komode: klasa të mjaftueshme për studimin e nxënësve nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën, kabinetet e biokimisë, fizikës, informatikës, teknologjisë, biblioteka, sallat e realizimit të projekteve me videoprojektorë, palestra e mjediset e pushimit janë tregues i një pune të ndershme individuale 20 vjeçare. Por, më shumë se sa investimet, suksesin e shkollës e tregojnë rezultatet e nxënësve. Pjesëmarrës e fitues nëpër olimpiada brenda qytetit e kombëtare, notat e larta në provimet e maturës apo suksesi i nxënësve tanë në studimet e larta, janë tregues i punës së përkushtuar që bëhet nga i gjithë stafi, nën drejtimin e Dr.Tomor Arianitit.

Shkolla është në kërkim të vazhdueshëm të cilësisë në punë. Për këtë, me miratim të Ministrisë së Arsimit, në gjimnaz funksionon një klasë me program unik, që u jep mundësi nxënësve me rezultate të larta të përgatiten më së miri për ndjekjen e studimeve të larta në fakultetet e mjeksisë, inxhinierisë, ekonomisë, etj. Dhe, nxënësit që përfundojnë studimet në këtë klasë arrijnë të marrin rezultate shumë të larta në provimet e maturës, duke synuar rezultatin maksimal 10.0.

Për çdo vit, asnjë maturant nuk ka mbetur pa studiuar në shkollat e larta, brenda vendit. Por, sfida më e madhe e maturantëve tanë është studimi në universitete prestigjozë jashtë Shqipërisë . Nxënësit arianitas studiojnë në Amerikë, Gjermani, Itali, Çeki, Zvicër, duke ia dalë mbanë me sukses. Ennis Xhepa, fituese e Certifikatës së Ekselencës nga B.Obama, vazhdon akoma me sukses studimet në Universitetin e Mjeksisë “La Salle” Miçigan, me rezultate të larta; Sara Isufi, studente premtuese e drejtësisë Në Bocconi; Marni Lame, fituese e Olimpiadës së Gjuhës Gjermane dhe përfaqësuese e Shqipërisë në Olimpiadën Ndërkombëtare në Frankfurt, studente e Universitetit të Menaxhimit në Munih; Ana Bici studente e Universitetit të Mjeksisë Munih; Erban Idrizi, student i Universitetit të Ekonomisë, Milano, Kejda Tusha, studente e Universitetit të Bioteknologjisë Pragë, e shumë e shumë emra të tjerë.

Në këtë 20 vjetor, mirënjohja i takon stafit për punën e shkëlqyer që bën, falenderimi u shkon nxënësve për punën serioze që bëjnë me librin dhe prindërve të tyre që kanë besuar te Shkolla Jopublike “Arianiti” prej kaq shumë vitesh. Ky trekëndësh: prindër-nxënës-mësues është çelësi i suksesit dhe i motivimit për punë akoma më cilësore.