Nga: Hyqmet Zane

Për mbiemrat e qytetarëve në Elbasan ekzistojnë gojëdhëna të ndryshme dhe nuk ka gjëra të shkruara. Një e tillë është edhe historia e mbiemrit Deliana.

Njëri nga pinjollët e familjes Deliana bën me dije se se në lagjen Kala jetonte një plakë e vetme, pa njeri në shtëpi që quhej Ana. Ishte në një moshë të vjetër dhe tip gruaje e fortë në karakterin e saj. Nuk dihet shumë se sa fëmijë kishte, por thuhet se ishte pjesë e një fisi në kala.

Nuk dihet se cilat kishin qenë rrethanat që kishte mbetur vetëm këtu e 2-3 shekuj më parë. Por ajo jetonte në shtëpinë e vet dhe shikonte punët e veta.

Një komshi i saj kërkonte t’i prishte murin rrethues të shtëpisë apo të ndërtonte diçka mbi murin e saj. Zonja Ana nuk ishte dakord dhe nuk donte të bënte fjalë me komshiun. Por ai e fyente dhe e tallte.

Por një ditë ai e ofendoi dhe filloi të prishte murin për të bërë sipas kokës së tij. Zonja Ana u mërzit shume dhe një ditë futi në brez një kobure dhe doli në pazar dhe donte të gjente komshiun.

E kërkoi dhe i thanë se ku ndodhej komshiu i saj. Në një moment e pa dhe iu afrua dhe komshiu përsëri i hodhi fjalë tallëse që ajo nuk i duroi. Nxorri koburen ta qëllonte, por plumbat nuk e kapën “armikun” e saj.

Lajmi u përhap në qytet se çfarë kishte bërë  zonja Ana dhe, duke qenë se e njihnin që ishte një grua  më shumë se krenare dhe me temperament burrëror, veprimi që ajo bëri u cilësua një “kokëkrisje ” dhe  i thonin se është “deli” nga mendja. Por historia e Anës mori dhenë dhe duket i ka rënë në mendje të gjithëve.

Në këtë rast zonjën Ana filluan të thërrisnin me nofkën (Deli – Ana) që nga bashkimi  i dy fjalëve rrjedh fjala “Deliana”. Kështu u thirrën edhe të gjithë ta afërmit e zonjës Ana duke u mbetur ky mbiemër.

Edhe pse nga ky fis nga edhe ishte zonja Ana kanë dalë burra të respektuar dhe që kanë lënë emër të mirë, mbiemri që trashëguan si ofiq, u mbeti si mbiemër i përhershëm.