OSE QYTETI QË U PAGËZUA NGA DY PERANDORËT MË TË MËDHENJ TË KOHËS, DIOKLECIANI DHE MEHMETI -II-

1800 vjet
Skamp – Valm – (Neokastër) – (Ijl-basan) – Elbasan

Kohët e fundit kalaja e Elbasanit, që ndodhet në brendësi të qytetit, me madhështinë e saj të heshtur ka zgjuar kureshtjen e studiuesve dhe turistëve të shumtë, vendas dhe të huaj. Ndonëse fortesa u ndërtua e u rindërtua nga të huajt, vlera e saj historike qëndron në faktin se ajo bashkë me udhën antike Egnatia, ishin zanafilla e qytetit të ardhshëm të Elbasanit.
Ndërtimi i kësaj kalaje nis në qindvjeçarët e parë të mijëvjeçarit të parë dhe sipas analizës që i bëhet fortifikimeve romake në Ballkan, koha e ndërtimit të kësaj kalaje përcaktohet në periudhën e sundimit të perandorit romak me origjinë ilire, Diokleciani (mbretëroi në vitet 284-305 e.s.). Qyteti u emërtua prej tyre Skamp. Pas shkatërrimit që pësoi prej visigotëve të drejtuar nga Theodoriku në vitin 479 e.s. shenja e dukëshme e kështjellës së Skamp-ës ishte një grumbull i madh gurësh dhe muresh të rrënuar që dikur kishte qenë një kala e ndërtuar nga romakët dhe që territori e popullsia vendase administrohej nga Perandoria Bizantine me qendër në Kostandinopojë. Siç dihet nga historia, në Mesjetën e herëshme i gjithë Ballkani ra nën valën shkatërruese të fiseve barbare gjermanike në shek.V e.s. të cilët pasi shkatërruan Romën në vitin 476 e.s. i ranë Ballkanit tej e tej duke djegur e plaçkitur,
Në mesin e shek.XV kalaja u rindërtua nga osmanët pikërisht mbi këto rrënoja të periudhës romako-bizantine. Referuar kohës kur u rindërtua, ajo sot paraqitet ende si kalaja më e madhe fushore ushtarake në Ballkan dhe karakteristikë është se ajo ende banohet, ndryshe nga kalatë e tjera të vendit tonë.
Pra, ndërtimi dhe rindërtimi i kalasë së Elbasanit ka kaluar nëpër tri periudha historike (rreth caktimit të këtyre periudhave ka pasur një mospërputhje mendimesh midis historianëve të ndryshëm si arkeologu Hasan Ceka, studiuesi austriak Camillo Praschniker dhe arkeologu Gjerak Karaiskaj) :
1- Periudha e vonë romake (shek. III-IV). Qyteti u quajt prej romakëve: Skamp (supozohet se romakët mund t’i jenë referuar fjalës shqipe: shkâm-shkâmb-shkëmb, ndoshta duke pasur parasysh shkëmbin e Letanit që qëndron kryelartë në veri të qytetit, ose shkëmbin e Krastës i ndodhur në lindje të qytetit)
2- Periudha e hershme bizantine (shek. V-VI). Në këtë kohë qyteti u njoh me emrin: Valm.
3- Periudha osmane (shek. XV). Qyteti u quajt prej osmanëve fillimisht Ijl-basan dhe më vonë i dhanë trajtën Elbasan, ndërsa prej të krishterëve vendas u përdor termi grek Neokastër. Elbasan ka kuptim strategjiko-ushtarak dhe do të thotë: vura dorë, zotëroj këtë vend, shtyp, dhėsundues etj.
Le t’i kthehemi periudhës së fundit e cila rezulton më e dokumentuar. Kur në portat juglindore të Europës ja behën repartet luftarake osmane nën flamurin e gjelbër të Profetit, mbretëritë e vogla dhe të dobëta ballkanike të gërryer nga dekadenca dhe grindjet e vazhdueshme, nuk e përballuan dot dhe me radhë u gjunjëzuan përballë ortekut osman. Por, përgjatë brigjeve perëndimore të Ballkanit ushtritë e perandorisë më të madhe mesjetare që vërshoi nga Azia e Vogël kishin hasur në rezistencën e shqiptarëve kokëfortë. Kështu, pasi pati dërguar kundër tyre një sërë ekspeditash ushtarake gjatë vitit 1465 të cilat qenë thyer plotësisht dhe ishin tërhequr të turpëruara, Sulltan Mehmeti -II- Fatih, vendosi të vinte vetë në krye të ushtrisë për të nënshtruar popullin “rebel” të Rumelisë. Fatihu ishte një nga sulltanët e lavdishëm të asaj perandorie. I mbiquajtur Ngadhënjimtari (Fatih) prej osmanëve dhe Pushtuesi (Conquistador) prej europianëve, ai kishte fshirë nga faqja e dheut Perandorinë Bizantine (269-1453) dhe pushtoi Kostandinopojën. E pra, në fillim të pranverës së vitit 1466 trupa të shumta ushtarake osmane të grumbulluara në qytetin e Manastirit nisen përgjatë rrjedhës së Shkumbinit drejt qytetit të Krujës, ose Akçe-Hisar sipas osmanëve (rrethimi i dytë) “me plan të hollësishëm për pushtimin e fortesave” (Rreth mbishkrimeve të fortesës së Elbasanit – Vexhi Buharaja. Studime historike 1967). Megjithëse në muret e kalasë së Krujës u derdhën pareshtur për disa muaj taborre të tëra jeniçerësh, Mehmeti -II- nuk mundi ta pushtojë atë. Rrugës së kthimit pas disfatës së turpshme, ai ndaloi në fushën e luginës së Shkumbinit, ose të Jondës (fusha e kalit) sipas kronistëve osmanë (Kristobuli – historiani grek i kësaj ekspedite), dhe vendosi që mbi themelet ekzistuese të Skamp-ës së dikurshme të ngrihej një fortesë e re, kalaja e Elbasanit. Ky ishte edhe i vetmi sukses i osmanëve në vitin 1466 në Shqipërinë e kohës. Ngritja e kësaj kalaje relativisht të madhe u krye në një kohë rekord prej 25 ditësh.
Me studimin e kalasë së Elbasanit janë marrë shumë historianë dhe studiues, por po përqëndrohemi vetëm te disa prej tyre. Gjatë luftës së -I- Botërore kur Elbasani u shkel nga ushtritë austro-hungareze, ishte oficeri austriak i këtyre trupave i quajtur C. Praschniker që u muar edhe me studimin e kalasë si dhe realizoi disa fotografime. Këto u botuan prej tij në librin Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien 1919. Ai ishte i pari që përcaktoi se në themelet e kësaj kalaje gjenden fragmente të periudhave historike më të hershme.
Kalaja e Elbasanit përfaqson një castrum statum dhe ka formën e një katërkëndëshi kënddrejtë me përmasa 308 x 348 m. Brenda saj kryqëzohen dy rrugë: decumanus në drejtimin lindje-perëndim dhe cardo në drejtimin veri-jug. Ajo qarkohej nga jashtë për mbrojtje nga një hendek 3 metra i thellë i cili mbushej me ujë nga përroi i Zaranikës. Ka pasur gjithashtu katër hyrje që mbroheshin nga kullat dhe e gjithë kështjella ishte e pajisur me 26 copë të tilla.
Katër nga këto kulla kanë qenë të vendosura nëpër qoshet dhe kanë pasur formë të rregullt rrethore, dy të tjera kanë qenë kulla-hyrje të vendosura në pjesën fundore të rrugës cardo, ndërsa 20 kullat që mbesin, kanë pasur formën e shkronjës “U”. Kullat ishin të ndërtuara të dala jashtë murit rrethues në largësi 8-9 metra larg prej tij dhe 40-50 metra larg njëra-tjetrës. Aktualisht ruhen në gjendje të mirë gjashtë kullat jugore dhe dy të tjera në perëndim.
Udha antike Egnatia kishte hyrje në portën perëndimore të kalasë dhe pasi e përshkonte tej e tej atë në rrugën decumanus, vijonte me dalje në portën lindore.
Por me ngritjen e kësaj fortese nga osmanët janë të lidhur edhe dy mbishkrime në pllaka mermeri, të gdhendura që të dy në gjuhën arabe (i dyti me ndonjë fjalë persisht) dhe që janë njëkohësisht mbishkrimet më të herëshme të gjendura deri më sot në Shqipëri, në gjuhën turko-arabe. Këto pllaka kanë qenë vendosur në faqen e brendëshme mbi Portën jugore të Kalasë. Çuditërisht, kronikani osman E. Çelebiu i cili vizitoi Elbasanin në nëntor të vitit 1670 dhe në veprën e vet Şejjahatnamesi (Shënime Udhëtimi) ka shkruar gjerë e gjatë për qytetin, nuk i përmend fare mbishkrimet e mësipërme. Megjithatë, njëri nga mbishkrimet dhe pikërisht ai më i gjati gjendet mbi një rrasë katërkëndëshe mermeri të bardhë e pak në të verdhë me përmasa 0,55 x 0,42 x 0,06 m. Teksti arabisht është gdhendur në reliev të ngritur e me elegancë të rrallë me shkronja të një tipi të veçantë të grafisë arabe që i shëmbëllen tipit arkaik, kufi. Përmasat maksimale të shkronjave janë: lartësia 5 cm, trashësia 1 cm dhe lartësia e relievit 1 mm.
Mbishkrimi i dytë është më i shkurtër dhe gjendet i gdhendur në një rrasë katërkëndore mermeri të bardhë e pak në të hirtë me përmasa 60 x 35 cm. Teksti në këtë rrasë është në prozë të rimuar, i gdhendur me shije, por me shkronja të tipit të përzier të grafisë arabe dhe që kanë përmasat maksimale: lartësia 8 cm, trashësia 1 cm dhe lartësia e relievit 1 mm.
Përkthimin e parë të mbishkrimeve të mësipërme e ka bërë turkologu i shquar gjerman Franz Babinger në veprën e tij Die Gründung von Elbasan, Berlin 1931. Disa specialistë mendojnë se me gjithë meritën e madhe të tij si i pari përkthyes i këtyre mbishkrimeve, përkthimi i Babingeri-it ka pasaktësi. Më poshtë po japim përkthimet e pakundërshtueshme të të dyja pllakave të bëra nga orientalisti dhe turkologu me famë europiane, i ndjeri Vexhi Buharaja prej Berati. Në këto përkthime datohet viti i ringritjes së kësaj kalaje dhe kohëzgjatja e punimeve.
Përkthimi i mbishkrimit të parë:

1) Muhammed khani ndërtoi një goxha fortesë, që e ruajtë Allahu nga çdo rrezik! /(Ai) u mundua një muaj (dhe) urdhëroi të hapej thesari/,
2) duke ndjekur (në këtë drejtim) rrugën më të vështirë. Për (të treguar vitin) e mbarimit të saj zgjodhëm kronogramin: “Allahu ja përjetësoftë mbretërimin zotëruesit të saj!”
3) Këtë kështjellë shumë të bukur, të quajtur “Ijl” basan e rindërtoi sulltani i sulltanëve të (kësaj) kohe, (ai) që përhap mbrojtje
4) dhe siguri, që resht shiun e dhëmbsurisë mbi mbarë njerëzit dhe xhindët, që shkon pas (fjalës së Kur’an-it):
5) “Me të vërtetë Allahu të urdhëron të veprosh me drejtësi dhe të bësh mirë”, që po lufton me pasuri dhe jetën e vet në rrugën e Allahut.
6) Prej të cilit kërkohet ndihma, sulltani, bir i Sulltanit, Sulltan Muhammedi, bir i sulltan
7) Muratit, bir i Sulltan Muhammedit, – Allahu, qoftë i shenjtëruar, ia përjetësoftë mbretërimin! – (e rindërtoi, pra,) në një kohë prej 25 ditësh, (në) hënën e dhil-kaadesë, viti tetëqind e shtatëdhjetë . (sipas Hixhretit , shën. ynë).

Përkthimi i mbishkrimit të dytë:

1) E rindërtoi këtë fortesë të bekuar në ditët (e mbretërimit) të mbretit të botës, Ngadhënjimtarit të kohës (sonë);
2) Përhapësit të mbrojtjes dhe të sigurisë, sulltanit, birit të sulltanit, Sulltan Muhammedit, birit të Muratit, birit të Muhammed
3) khanit – u përjetësoftë mbretërimi i tij! – (pra, e rindërtoi) robi që është nderuar me të mira, Jusufi, bir i Abdullahut, në vitin 870.
(Sqarim: Autori i mbishkrimeve datuese të këtyre pllakave ka shënuar vitin 870 në të dyja këto pllaka të gurta si kohë të rindërtimit të kështjellës dhe për ta përforcuar këtë ai e përdor edhe kronogramin në origjinalin e vargut të dytë (mbishkrimi i parë). Sipas të ashtuquajturit “njehsim i ebxhedit” mbledhja e vlerave numerike të këtij njehsimi i të gjitha shkronjave të fjalëve që përbëjnë vargun e fundit, jep shifrën 870 që është viti i rindërtimit të fortesës).
Mbishkrimi i dytë zë vetëm tri rradhë dhe që të trija janë të nënvizuara.
Në të dyja tekstet e mësipërme ne na intereson fiksimi i kohës dhe viti i ringritjes së kalasë së Elbasanit, çka jepet me saktësi.
Siç shihet, në të dy mbishkrimet përmendet viti 870 H (1466 e.s.) si viti i ngritjes së Kalasë së Elbasanit nga osmanët.
(Sqarim: Hëna e dhil-kaadesë viti 870 – sipas kalendarit hanor arab përkon me gjysmën e dytë të muajit qershor dhe 2-javët e para të muajit korrik të vitit 1466 e.s).
(Sqarim: H- Hixhrij (arabisht) – migrim. Ndryshe nga kalendari diellor që përdorim sot i cili vitin 1 (era e re) e fillon duke iu referuar datëlindjes së supozuar të Jezu Krishtit, kalendari hanor arab (i cili u vendos në kohën e Khalifatit të Omer Ibnu-l-Hattab që sundoi në vitet 634-644 e.s.), e fillon vitin 1 (një) në kohën kur Profeti Mohammed i fesë Islame i kërcënuar nga kundërshtarët e tij për shkak të predikimit të fesë së re, migroi bashkë me një grup mbështetësish, nga qyteti Meka në atë Medina, Arabia Saudite. Nga kjo kohë filloi edhe viti i parë i kalendarit për ta dhe që përdoret ende sot nga bota arabe. Dita e parë e muajit të parë (Muharrem) të vitit të parë Hixhrij ka qenë e premte 16 korrik 622 e.s).
Për rindërtimin e kalasë, osmanët kanë shfrytëzuar pjesërisht gurët që ndodheshin në rrënojat e vjetra si dhe kanë grumbulluar gurë të tjerë nga përroi i Zaranikës. Teknika e përdorur i përket llojit opus mixtum, (faqet anësore të murit janë të drejta, ndërsa brendia është e përzier gurë dhe llaç në formë të çrregullt), gurët janë të pa punuar dhe muri është përforcuar me breza të përbërë prej katër rreshta tullash. Trashësia e murit rrethues është në formë konike me përmasa 3 metra në bazë dhe 2.5 metra në majë, kurse lartësia mendohet të ketë qenë mbi 12 metra.
Kjo kala me sipërfaqe rreth 10 hektarë, gjatë periudhës romake ka shërbyer për strehimin e një legjioni që ka pasur si detyrë sigurimin e lëvizjeve nëpër rrugën Egnatia. Aktualisht ruhen në gjendje të mirë muret e anës jugore bashkë me portën dhe pjesërisht muret në lindje dhe në perëndim të saj, ndërsa muret e anës veriore janë zhdukur tërësisht dhe mbi to janë ndërtuar banesa të ndryshme.
Karakteristikë është se pjesa e brendëshme e kalasë së Elbasanit është e populluar prej shumë kohësh në mënyrë të atillë që në gjysmën veriore të ndarë nga rruga decumanus banojnë të krishterët ortodoksë (Dryni Kala) të cilët në vitin 1619 ndërtuan edhe objektin e tyre të kultit, kishën “Shën Maria”, ndërsa në jug të kësaj rruge kanë shtëpitë banorët e besimit islam (Xhami Qebire) dhe që i kryejnë ritet fetare në xhaminë e tyre të quajtur Xhamia Mbret.
Shumë shpejt fushat përreth kalasë (varoshet) u mbushën me shtëpija nga banorët e fshatrave të cilët iu kushtuan më shumë tregtisë dhe zejtarisë falë qarkullimit të madh në rrugën Egnatia (Udha mbretërore) dhe qetësisë së siguruar nga garnizoni osman i fortesës. Njëqind vjet pas pushtimit osman, Elbasani mori formën e një qyteti të plotë edhe përtej kalasë. U ndërtuan shumë dyqane, rrugë, puse uji, objekte kulti, si dhe shumë objekte infrastrukturore të dobishme.
Në lidhje me ndërtimin e objekteve të kultit Islam në trojet shqiptare, me sa dimë, xhamija më e herëshme që njihet në vendin tonë është ajo e Sulltan Mehmetit II-Fatih (!), ndërtuar mbi Portën e Kalasë së Elbasanit në vitin 1466 dhe e shkatërruar nga tërmeti i vitit 1922. Nga muret e shembura të kësaj xhamije, doli në dritë edhe guri i varrit të legjionarit romak ku për herë të parë ne hasim të gdhendur në këtë gur, emrin antik të qytetit. Ndër të tjera në këtë gur është gdhendur shkrimi në latinisht:
“… edhe pas 40 vjet shërbimi ushtarak, është kthyer në Scamp. Pas vdekjes, bashkëqytetarët e tij (Scampens) i kanë ngritur këtë gur përkujtimor. Emri i ushtarit është Mark Sabidius Aemilia Maximus…..”
Shumë kohë më vonë dhe pikërisht në vitin 1899 në qendër të qytetit ndërtohet Kulla e Sahatit mbi njërën nga kullat në formë “U” në anën lindore të Portës së Kalasë. Fillimisht ajo ishte më e vogël dhe me shkallë nga jashtë për t’u ngjitur si dhe pranë saj ishte xhamia. Ky çift i mrekullueshëm monumentesh publikë, xhamija dhe sahati, ishte i pranishëm pothuajse në të gjithë qytetet kryesore shqiptare të mesjetës së vonë dhe në të njëjtën kohë mungonte në qytetet turke. Me të dy objektet e mësipërme specialistët shqiptarë të ndërtimtarisë i dhanë qyteteve tona simbolikë karakteristike dhe dalluese.
Elbasani është ndoshta i vetmi qytet që i ka të ruajtur në muze të dy pllakat e gurta ku emri i tij është i gdhendur (litografi), pra nga romakët i quajtur Skamp dhe nga osmanët i quajtur Ijlbasan (Elbasan).
Po ashtu, sipas gojëdhanave thuhet se brenda kalasë së Elbasanit, nën dyshemenë e kishës së sotme “Shën Maria”, ndodhen disa llagëme të ndërtuara me gurë, me përmasa 2 m të gjera dhe 3 m të larta, me tavan të harkuar. Siç thuhet, këto tunele nëntokësore pasi përshkojnë disa banesa të Kalasë, vazhdojnë jashtë qytetit me dalje në kodrën e Krastës ose në breg të Shkumbinit (!?) dhe që duhet t’u kenë shërbyer ushtarëve ose banorëve për t’u larguar në raste rrethimi të qytetit nga ushtritë e huaja. Në përgjithësi studiuesit janë të mendimit se nëntoka e kalasë fsheh brenda saj shumë gjurmë të periudhave të vjetra historike që lidhen me prejardhjen dhe kulturën iliro-shqiptare.
Pas vitit 1831 autoritetet osmane urdhëruan prishjen e të gjitha kalave në Shqipëri me përjashtim të asaj të Shkodrës. Kështu u shemb pjesërisht edhe kalaja e Elbasanit në vitin 1832. Por në dëmtimin e kalasë kanë ndikuar edhe elementë natyrorë e njerëzorë. Po t’i referohemi fotografisë së Portës së Kalasë në vitin 1920, vihet re se muri ishte rreth 5-6 metra më i lartë mbi kuotën që ne shohim sot. Kulmi i absurdit për ta tjetërsuar kalanë ka ndodhur në vitet ’80 kur një aparatçik injorant i pushtetit të kohës propozoi: “…ta suvatojmë kalanë dhe ta mbushim me parrulla të shkruara për partinë dhe diktaturën e proletariatit!”.
Kohët e fundit, fare pranë Rrapit të Bezistanit është zbuluar në thellësinë e 2 metrove një bazilikë shumë interesante dhe e rrallë ndoshta në Ballkan. Ajo i përket periudhës paleokristiane dhe është e zbukuruar me mozaik dhe afreske që sipas arkeologut Neritan Ceka i takon shek. V e.s. Rëndësia e këtij zbulimi qëndron në faktin se ndoshta kemi të bëjmë me kohën kur nga një kala me karakter ushtarak, po shkohet drejt formimit të qendrës urbane, pra të qytetit që shumë më vonë do të quhet Elbasan.
(Në fakt ekzistenca e këtij mozaiku dihej pasi në vitin 1938 kur tregtari elbasanas Mustafa Shiku po gërmonte dheun për themelet e dyqanit të tij, hasi në këtë mozaik për të cilin njoftoi autoritetet e kohës.)

 

Mblodhi dhe përgatitit:
Bukurosh Dylgjeri, Elbasan, Nëntor 2015