Nga Hyqmet Zane

Sporti i gjimnastikës ka pasur një ecuri relativisht të mirë në Elbasan, veçanërisht për meshkuj dhe femra më pak. Ky sport nuk ka pasur ndonjë traditë në këtë qytet. I pari që ka krijuar ekipin në këtë sport, ka qenë Alush Lleshanaku, që ishte edhe vetë sportist, por edhe krijoi ekipet e para në shkollat e asaj kohe në fund të viteve ’30 dhe gjatë Luftës II Botërore se kishte mbaruar shkollimin në Itali për fizkulturist.
Pas çlirimit ky sport nuk ka psur ndonjë ecuri të madhe. Njihen trajnerë për meshkuj Bim Kashari, Shpëtim Gjevori, Agim Cani, ndërsa për femrat Shefikat Kovaçi, Pirro Jani dhe Luke Ndroqi, por është aktivizuar edhe Donika Beqiri (Sinani).
Gjimnasti që ka spikatur më shumë në këtë sport është Ligor Shaka, edhe si sportist, por edhe si një trajner duke përgatitur breza të tjerë të ardhshëm.
Ligor Shaka ka lindur më 5 mars 1955 në qytetin e Elbasanit, por deri në përfundim të shkollës 8-vjeçare ka jetuar në Cerrik, ku edhe nisi hapat e para të sportit të gjimnastikës. Sipas pohimeve të vetë Ligorit, ka qenë viti 1966 koha kur mësuesi i fizkulturës dhe trajneri i gjimnastikës në shkollë Abdurrahman Duro ngriti ekipin e parë të këtij sporti me Kudret Kokoshi, Latif Taçi, Ligor Shaka, Luan Malo, Petrit Lika, Donika Beqiri për femra. Në këtë qytet njihej si më i miri në këtë sport Ilir Malo, që ishte më i madh në moshë. Ishin vitet që i tërhoqën vëmendjen gjimnastit të ri që do të ishte më pas edhe më i dalluari në këtë sport, jo vetëm në Cerrik dhe në Elbasan, por edhe në rrang kombëtar.
Në vitet 1970-1977 mbaron studimet pranë Mjeshtrisë Sportive dhe Institutit të Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, Tiranë, (sot Akademia e Edukumit Fizik dhe Sporteve) me rezultate maksimale në specialitetin Gjimnastikë Artistike.
Falë vullnetit dhe këmbënguljes së tij, por edhe aftësive për këtë sport, Ligor Shaka si sportist i kategorisë së parë në vitet 1973-74 del kampion kombëtar në këtë kategori.

1973, Gjimnasti Ligor Shaka ne kalin me doreza, ne kohen kur ka marre titullin “Mjeshter Sporti”, Arkivi Digjtial Elbasan

1973, Gjimnasti Ligor Shaka ne kalin me doreza, ne kohen kur ka marre titullin “Mjeshter Sporti”

1974, Tiranë, Gjimnasti Ligor Shaka, duke bere kryqin ne unaza ne Spartakiaden II Kombetarë që zuri vendin e parë, Arkivi Digjital Elbasan

1974, Tiranë, Gjimnasti Ligor Shaka, duke bere kryqin ne unaza ne Spartakiaden II Kombetarë që zuri vendin e parë

Arritjet e tij në këtë sport shumë shpejt i dhanë mundësinë të fitonte titullin “Mjeshtër Sporti” në Gjimnastikën Artistike më 1974 dhe “Mjeshtër i Merituar”.
Që nga viti 1974 deri në vitin 1982 ai ka qenë disa herë kampion kombëtar dhe anëtar i Ekipit Kombëtar të Gjimnastikës Artistike gjatë gjithë karrierës sportive në këto vite.
Në vitin 1981, për herë të parë, kur inagurohet pallati i sportit “Tomorr Sinani” në Elbasan, në një garë ndërkombëtare të gjimnastikës me Turqinë, ai zuri vendin e parë. Gjatë kësaj kohe Ligori ishte edhe sportist, por edhe përgatiste ekipet e ardhëshme që përfaqësonin Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare ndërkohë që edhe vetë ishte pjesëmarrës i këtyre aktiviteteve.
E përfundon karrierën si sportist me titullin e Kampionit Kombëtar për kategorinë “Mjeshtër Sporti” në vitin 1982.
Për meritë të tij Ligor Shaka është themelues i klasave sportive dhe ekipeve zinxhir të gjimnastikës artistike në qytetin e Elbasanit dhe trainer i ekipit kombëtar të Gjimnastikës Artistike për periudhën 1980-1995.
Sa për statistikë Ligro Shaka ka zhvilluar mbi 30 takime ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit, si sportist dhe si trajner.
Ndërkohë që ka qenë edhe përgatitor atletik i ekipit të futbollit të Elbasanit për sezonin 2004-2005 si dhe i sportistëve të rinj të talentuar në sporte të ndryshme, si futbollistë e peshëngritës (vlen për tu përmendur këtu dhe Endri Haxhihyseni kampion Europe për të rinj).
Ai është bashkëpunëtor në promovimin e sportit Olimpik të Tae Këon Do-së (art marcial) në vitin 2003 në qytetin e Elbasanit dhe sot trajner i ekipit të Tae Këon Do-së ku dhe rezultatet në këtë ekip prej 10 vjetësh janë shumë të mira (me shumë sportistë të moshave të ndryshme kampion vendi).
Gjithashtu Ligori është edhe trajner i ekipit të Cirkut të Elbasanit dhe sot është mësues i Edukimit Fizik në shkollën 9-vjeçare “Sulë Misiri” dhe Pedagog i jashtëm në Edukimin Fizik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, prej 5 vitesh në disiplinën e Gjimnastikës Artistike.
Në karrierën e tij si gjimnast i niveleve të larta, Ligor Shaka ka marrë 75 medalje kombëtare dhe ndërkombëtare.