Më 10 Qershor 1918 me iniciativën e të palodhurit atdhetar Thanas Floqi, në Elbasan u formua një grup teatror i përbërë nga: Thanas Floqi, Mustafa Curri, Zef Mosi, Tef Leka, Ali Cungu, Hysen Miraku, Peter Ndria, Hasan Ceka, Sif Dodbiba, Sif Popa, Hysen Miraku, Spiro Todhri, Vasil Bici dhe Kol Robja. Pas një kohe të shkurtër përgatitjesh me në krye Thanas Floqin, më 26 Korrik, vunë skenë dramën e Sami Frashërit “Besa”.

Kjo shfaqje u dha tre herë për publikun elbasanas, i cili e pëlqeu shumë jo vetëm nismën e grupit që vuri në skenë dramën, po edhe për lojën e aktorëve e veçanërisht për problematikën e kohës, që trajtonte drama. Ja çfarë shkruante gazeta “Posta Shqypnisë” më 3 Gusht 1918 në shkrimin me titull “Argëtim theatrar në Elbasan”:

“…..Më 26 Korrik u luajt për herë të parë drama shqipe “Besa” e Sami Bej Frashërit, e cila u ka lënë përshtypje bukur fort në dëgjonjësit. E treta e fitimeve iu dha Kryqit të Kuq. Rolet e dramës ishin të ndara kështu: Merushja – z.Hasan Ceka, shkollar, Zyberi – Zef Mosi, nënpunës i Etappenpost, Demir Bej – Mustafa Curi, drejtues i shkollës Qendrore, Selfo – z. Tef Leka, Shkrues i Gjykatores…..”  dhe më poshtë vazhdojnë emrat e aktorëve të tjerë si:

Niko Progri, Drejtor i Shkollës Beratit, Hysen Miraku, shkollar; Spiro Todri; Peter Ndria; Kolë Robja; Vasil Bici, Andrea Athanas.

“….Nga këto, (shkruhej në artikull) talented ma t’bukur i treguan z.Hasan Ceka, Zef Mosi, Tef Leka, Niko Progri, Hysen Miraku e Spiro Todri. Edhe të tjerët kanë lujt fort bukur, po të parët kanë lujte si me qenë aktorë të sprovuem……. Amatorët e sipërpermen jane lidhe në një shoqni theatrore dhe asht shpresa se do ta vazhdojnë përherë punën që kan fillue, duke dhan shpesh herë represantatione, prej të cilave ka për të fitue mjaft qytetënimi I vendit. Kemi shpres muej për muej të kemi shfaqje, tuj shti në punë fitimin për Kryqin e Kuq e për të vorfnit e vendit dhe për Qarkun Letrar…..”. Më 4 Gusht grupi themelues teatror merr emrin “Shoqënia Theatrore Elbasanit”, e cila zgjodhi një pleqësi me këtë përbërje: Thanas Floqi – Kryetar e Dirigjent, Hasan Ceka – Shkronjës, Tef Leka – Kontrollor, Zef Moso – plak (anëtar), Mustafa Curri plak (anëtar). Pas zgjedhjes së pleqinisë, u hartua dhe rregullorja e kësaj shoqnie theatrore dhe menjëherë u nis puna për kryer shfaqjen tjetër theatrore”.

Falë punës intensive që u krye dhe pasionit të madh që kishin vetë aktorët, më 14 Gusht u vunë në skenë dy komeditë e autorit të njohur Kristo Floqi. E para mbante titullin “Dhëndërr me përdhunë” dhe e dyta titullohej “Bija e Bankierit”. Të dy shfaqjet, sipas gazetës “Posta Shqypnisë” e Gushtit 1918 u mirëpritën në qytet dhe patën jehonë të gjerë. Ato u dhanë për tri ditë rrjesht për qytetarët elbasanas. Më 20 Gusht u zgjodh një pleqësi tjetër ndihmëse, e cila do të merrej me financat dhe me problem të tjera të shoqatës. Kjo pleqësi përbëhej nga z.Ahmet Dakli – Kryetar, Emin Haxhiademi – plak, Ahmet Hastopalli – plak, Shefik Daiu – plak, Thanas Floqi – plak. Me këtë rast, revista e botuar në qytetin e Elbasanit, “Kopshti Letrar” i uronte “Shoqnisë Theatrore të Elbasanit”, kësaj “Shoqnie të dobishme, një zhvillim të mbarë për me e kryemun plotësisht qëllimin e naltë, qi asht dyke ndjekun në përparim t’Atdheut…..” .

“Shoqënia Theatrore e Elbasanit” dha shfaqje në disa qytete të vendit. Në shfaqjen e dhënë në Shkodër, ku gazeta e asaj kohe në Shkodër do të shkruante:

“Shoqnia Theatrore e Elbasanit” cfaqi dy komedi origjinale “Dhandërr me përdhune” dhe “Bija Bankierit” e shkrueme prej Kristo Floqit. Përshtypja që lan n’popull ishte mjaft e madhe masi amatorët lujtën so me kenë aktorë komikë të vërtetë. Ky argëtim do të përsëritet më 17 të këtij, ditën e festës. Këtu dëshiroj të them pak fjalë për formimin e qëllimin qe ndjek kjo Shoqëni. Më 4 të këtij mueji 15 vetë formuen një Shoqni e i dhanë emnin që e thamë ma nalt. Qëllimi i saj asht të ndifili në çdo qëllim bamirës dhe të depozitojë të hollat aq sa me muejtë me ngrit ma vonë nji ndërtesë për Theatre të mirë e ta pasunojë me petka e dekoracjone të nevojshme. Si çdo shoqni, ka dhe kjo një pari të vogël të pëbame prej nji kryetari, dy anëtar, një shkrues, një kontrollor. Kryetari asht dhe dirigjenti. Rregullorja që ka Shoqnia asht e vogël e me pak nyje……… marrim vesh se mas këtyne komedive, do të çfaqin dramën “Fe e Kombësi” të Kristo Floqit. Cdo shqiptar, qi ka shkrue a munt të shruje e përktheje drama e komedi, duhet t’ia coje kësaj Shoqnie për t’i çfaqe, duke i ndihte me këtë menyrë qëllimit të saj….”.

Përgatiti: Bashkim Paheshti