Kush ka vizituar pazarin e Korçës mund të ketë dëgjuar edhe për Hanin e Elbasanit. Të ngjall kuriozitet fakti që një han në Korçë të mbajë pikërisht emrin e qytetit tonë dhe menjëherë lind pyetja:

A  ka ndonjë lidhje ky han me Elbasanin?

Hani i Elbassani në Korçë

Hani i Elbasanit në Korçë

Mendohet se ai ka marrë këtë emër sepse është ndërtuar nga tregtarë elbasanas dhe për këtë arsye i ka ngelur emri Hani i Elbasanit. Hanet e kësaj periudhe në Korçë kanë marrë emrin ose nga pronarët e tyre ose nga frekuentuesit dhe mendohet që Hani i Elbasanit, një ndër 16 hanet e asaj periudhe të ketë këtë emër prej pronarë të tij.

Nuk ka të dhëna të sakta për kohën në të cilën mendohet të jetë ndërtuar ky han, edhe pse flitet të jetë ndërtuar rreth viteve 1800, pa e përcaktuar saktë.

Hani i Elbasanit është ndërtuar në krahun e djathtë të rrugës kryesore që të çon tek pazari i Korçës. Ai është me dy kate dhe ka një oborr të brendëshëm, i cili është i rrethuar nga të gjitha anët me ndërtime. Në oborrin e kalldrëmuar ndodhet një pus i zakonshëm. Ky han ka një ndërtim tipik të haneve. Kati përdhe është i mbyllur, ai ka shërbyer për mbajtjen e kuajve. Në katin e sipërn ndodhen dhomat e fjetjes ose odat. Pjesa ballore e katit përdhe e ka pamjen nga rruga kryesore, në të cilën ndodhen dyqanet.

Në të dallohen dy faza ndërtimi që janë të ndryshmë për nga materialet e përdorura, teknika e ndërtimit dhe trajtimit arkitektonik. Në katin përdhe ka një rradhë të ndarash, të theksuara nga pilastra guri që përfundojnë me kapitele, mbi të cilat ngrihet korniza ndërmjet kateve. Secila ndarje ka hyrje më vete dhe dritare me pamje në oborr, të mbuluara me qemerë cilindrikë . Dyert e dritaret kanë korniza guri të gdhendura e në hapsirën midis tyre ka zgara hekuri dhe kanate metalike. Mbi të ngrihet kati i sipërm, me galeri të hapur e oda.

Kati përdhe i ndërtimit të fazës së dytë ka tipare të tjera, kurse kati i sipërm ka të njëjtin kompozim me pjesën tjetër të katit përdhe.

Duke e krahasuar me hanet e tjera, nga ana e ndërtimit dhe dekorimit ky han është më i pasur, gjë të cilën e bën të dukshme edhe  oborri i tij.