Pamje në brendësi të hamamit

Qytetarët që kalojnë në pjesën e pasme të  Turizmit “Skampa” kanë mundësi të shohin një ndërtesë të vjetër, e cila në qytet  njihet si “hamami i Shabanajt”. Ky hamam nuk është i vetmi që njihet me këtë përcatim në qytet, sepse po me po të njëjtin mbiemër njihet edhe ” Mulliri i Shabanajt”. Të bën përshtypje fakti që të dyja emërtimet, të cilat përdoren prej një kohe të gjatë  vijnë nga mbiemri i fisit Shabanaj.  Nga një bisedë me zotin Abdullah Shabanaj, më i vjetri i fisit në fjalë, i cili na rrëfen  historinë e hamamit dhe mullirit që njihen me mbiemrin e fisit në fjalë, kemi arritur të mësojmë më shumë për këto emërtime. Ndër të tjera në lidhje me këto dy prona të familjes së tij Z.Abdullah thotë:

Pa,mje në brendësi të hamamit

“Hamami nuk ishte hamam, ishte truall dhe kishte sipër disa fiq të egër, mbushur me dhe. Unë jam 95 vjeç. Aty  ka qënë një masë me dhe që është dera e Dervish Beut sot, po hamami ishte mbuluar me dhe. Por hamami ishte ndërtuar edhe më parë, qysh në kohën e Bizantinëve, qysh në kohën e Romakëve. Shabanaj e bleu për dyqane, bashkë me Osman Ballkanikun, i gjyshi i Pirro Ballkaniku , që ka qënë arsimtar. Mirëpo ishte punë e madhe. Bashkia në kohën e Turqisë i dha urdhër që dheu që ishte te Hamami me ato fiqtë e egër dhe me karabobe, i themi ne, të derdhej në Shkumbin. Duhej para e madhe. Balltaniku, i gjyshi i Pirro Balltanikut, u tërhoq. “Shabanaj, – i tha – duhet para e madhe. Unë do iki.” Dhe bleu te Stambollxhinjtë, ku është Posta sot. Shabanaj e mbajti dhe filloi punimet për të bërë dyqanet. Puno, puno, puno, dolën themelet e vjetra të Hamamit. “Atëherë, punoni me kujdes – i tha – që të hapen themelet”. U hapën themelet. Mbi këto themele ndërtoi Hamamin e vjetër.  Pasi u ndërtua Hamami i vjetër, bëri dhe 7 dyqane përballë, që u prishën kur u zgjerua rruga në kohën e Partisë së Punës e Enver Hoxhës dhe mbeti vetëm Hamami. Pasi ndërtoi Hamamin, filloi lëvizja, larja. Ky quhej Hamami i vjetër, më vonë u bë dhe Hamami i ri te Kalaja”.

Për sa i përket “Mullirit të Shabanajt” vazhdon rrëfimin:

“Edhe Mullini është i vjetër, por nuk e di para Hamamit apo pas tij. Ndodhet te ullishta e Kusarthit. Bluhej edhe misër, edhe grurë. Ka qënë mulliri i dytë si më i mire. Se këtu ka pasur tre mullinj. Ka qënë edhe mulliri i Vyshkës, te fusha e sportit, poshtë. Ka qënë dhe mulliri i Vërlacit në Fushë Mbret. Ai ka qenë më i miri, i dyti vinte ky i yni për bluarje. Pastaj vinin të tjerët”.

 

Intervistoi Hyqmet ZANE