Mustafa Rifat Dauti ka qenë Myftiu i fundit në Elbasan para ndalimit të fesë më 1967 nga partia në pushtet e kohës së diktaturës.

Hafiz Mustafa Rifat Dauti

Hafiz Mustafa Rifat Dauti

Ai lindi më 1901 në Përlep të trojeve shqiptare në Maqedoni dhe ndrroi jetë më 1990 në lagjen Fushë Mbret të Elbasanit.

I ati i tij, Rifat Dauti, ka qenë nënpunës i Perandorisë Osmane në Përlep.

Në kohën kur u mblodh Kongresi i Manastirit ka ndihmuar në krijimin e  kushteve të mira për mbarëvajtjen e punimeve të këtij kongresi që u quajt edhe Kongresi i parë i drejtëshkirmit.

Më 1912, në kohën e Luftës Ballkanike u vra nga serbët në Manastir, duke e lënë një javë të ekspozuar për të trembur njerëzit që të mos merreshin me punë patriotike si ai. Shtëpinë ia dogjën dhe fëmijët ia shpëtuan kushërinjtë. Fillimisht i çuan në Edrene të Turqisë dhe mandej në Stamboll.

Mustafai vazhdoi shkollën fetare dhe në përfundim mori edhe titullin “Hafiz”. Vazhdoi shkollën në nivele të larta.

U martua me zonjën Safije nga të shqiptarëve të Maqedonisë dhe me të bëri 2 fëmijë të cilët nuk jetuan për shkaqe të rrethanave të kohës. Më pas vajti hoxhë në një xhami të një lagjeje të Stambollit.

Hafiz Mustafa Rifat Dautit  në varrimin e Sulejman Tabakut

Hafiz Mustafa Rifat Dautit në varrimin e Sulejman Tabakut

Më 1933 vjen në Shqipëri për rrethanat që u krijuan në Turqi nga qëndrimi i Ataturkut ndaj klerikëve muslimanë.

Më 1 tetor 1935 janë hapur themelet e shtëpisë së Hafizit Mustafa Dauti që shënon edhe fillimin e krijimit të lagjes Fushë Mbret dhe që kjo shtëpi ndodhet fill pas xhamisë së kësaj lagjeje.

Selim Zyma ka qenë inxhinieri dhe arkitekti i Oborrit Mbretëror, që, së bashku me Kosta Meksin, konsullin e Zogut në Maqedoni, e projektuan dhe bënë ndarjen e parcelave për 72 familjet kosovare ku edhe u ndërtuan shtëpitë e mëpasme.

Kjo lagje ishte quajtur Fushë Mbret edhe më parë se të vinin kosovarët, sepse në këtë hapësirë ishte vendosur në kohë edhe shtabi i ushtrisë osmane dhe shtëpia e Hafizit u ndërtua mbi disa themele të vjetra.

Hafiz Mustafa Dauti ishte një nga Myftijtë që la një emër të mirë në qytetin e Elbasanit.