Hafiz Musa Ali Basha

Në vitin 1928 do të zhvilloheshin zgjedhjet për kryebashkiak në Elbasan, ku dy kandidatët kundërshtarët të fortë ishin hafiz Musa Ali Basha për Partinë Popullore dhe në krahun tjetër ishte kandidati i të Vjetërve.

Asokohe në politikë ka pasur një luftë të ashpër politike ku Partia e të Vjetërve garonte me partinë e të Rinjve, te të Vjetrit hynin kryesisht pjesa e bejlerëve me Ahmet Zogun, Shefqet bej Vërlacin etj., ndërsa te të Rinjtë hynin Avni Rustemi, Mehdi Frashëri etj., të cilët kërkonin reforma të thella sociale, perëndimizimin e Shqipërisë etj.

Kështu, Hafiz Musa Aliu i përkrahur nga një grup i mirë tregtarësh, zejtarësh, intelektualësh dhe nga besimtarë të krishterë e myslimanë ia del të fitojë postin e kryebashkiakut të Elbasanit dhe të marrë mandatin nga ministri i brendshëm Abdurahman Dibra më 2 prill 1928.

Në qytetin e Elbasanit H. Musa Aliu ishte i njohur për një komunikim të përsosur me bashkëqytetarët e tij pasi deri në ato momente kishte shërbyer edhe si Myfti i qytetit, ku ishte dalluar si njeri bamirës dhe që kujdesej më shumë për vajzat jetime, të cilat i merrte në shtëpinë e vet, i rriste si t’i kishte fëmijët e vet, i edukonte dhe kujdesej t’i martonte.

Menjëherë sapo mori postin drejtues H. Musa Aliu u shqua për përkushtimin e vet dhe falë vizioneve të tij civilizuese Bashkia dhe qyteti arritën të kenë ndryshime pozitive. Një punë të madhe H. Musa Aliu ka bërë në rregullimin e pazarit të Elbasanit, që jo vetëm ta nxirrte nga apatia e viteve, por edhe ta rregullonte e t’i jepte një fytyrë të re, duke ruajtur vlerat antike të këtij pazari të mirënjohur në të gjitha trevat shqiptare të kohës.

Kryetari Bashkisë ndërmori një aksion energjik për të zhdukur pamjen e shëmtuar, që i jepte qytetit pazari i rrënuar dhe për të risjellë edhe një herë Bezistanin, që e kishte bërë të famshëm Elbasanin. Pronarëve të dyqaneve iu kërkua që sipas një plani të miratuar nga Bashkia, që në vend të dyqaneve të rrënuara prej dërrase të ndërtonin dyqane të rinj me tulla e me qepena llamarine.

Kështu, dyqanet siguroheshin më shumë nga zjarret e stuhitë, por edhe i jepnin një pamje të re qytetit, të cilit i nevojiteshin tashmë ndryshimet. Për ata tregtarë që nuk i shin mundësitë e mjaftueshme për të kryer ndërtimin e dyqaneve të reja Bashkia krijoi mundësitë që punimet të kryheshin nga shërbimet e veta komunale dhe shpenzimet e bëra t’i lanin me këste. Ky ishte edhe veprimi i parë dhe që solli një ndryshim rrënjësor nga kryetari i zellshëm i Bashkisë, H. Musa Aliu.

Veprimi i dytë që të garantonte shërbime më të mira ishte kontrolli i vazhdueshëm i tregut të kushteve të pastërtisë dhe të higjenës në tregtimin e ushqimeve. H. Musa Aliu u tregua i rreptë dhe i gjobiste ata që nuk tregoheshin të vëmendshëm ndaj porosive të Bashkisë. Po ashtu vjedhësit dhe abuzuesit u ndëshkuan duke iu dhënë për ndjekje autoriteteve gjyqësore.

Një pjesë e këtyre njerëzve, të cilët mbetën të pakënaqur nga masat e forta të marra u ankuan në Tiranë, duke thënë se H. Musai shpërdoronte fondet e Bashkisë. Një inspektor nga Oborri Mberetëror i Tiranës, Harito Harito u paraqit në Bashki dhe e kontrolloi atë imtësisht. Në fund kontrolli rezultoi se Bashkia anën financiare e kishte shumë në rregull.

 Pazari Elbasanit, panoramë

Pazari Elbasanit, panoramë

Gazeta “Shekulli i ri” e 29 qershorit 1928 shkruante: “Kryetari i bashkisë, z. Musa Haxhi Aliu ka treguar mjaft energji në përmirësimet e dyqaneve të qytetit dhe ka bërë për pak kohë më shumë punë se sa kanë bërë për shumë vjet të mëparshmit e tij.” Po kjo gazetë e datës 20 korrik 1928, pra në më pak se një muaj, shkruante përsëri: “Qyteti po modernizohet. Me gëzim të madh po shohim se filloi prapë me energji puna e Bashkisë, për t’u dhënë dyqaneve formë moderne. Kjo masë përvec bukurisë që i jep qytetit, i ruan dyqanet nga zjarri,mbasi po ndërtohen me tulla e me qepena hekuri. Gjithë populli e sheh me sy të mirë këtë vepër të Bashkisë.”

Musa Aliu u tregua aktiv gjatë gjithë kohës dhe rrinte në kontakt të drejpërdrejt me njerëzit dhe nevojat e qytetit. Një nisëm tjetër e tij është edhe në drejtim të prodhimit të mëndafshit një zeje e njohur prej disa shekujsh në qytetin e Elbasanit. Ai së bashku me një komision qytetarësh të shquar si intelektualë të Elbasanit, si Emin Haxhiademi, Lef Nosi e Taq Buda morën nismën për futjen e mësimit të tezgjahut në një nga shkollat femërore të qytetit. Kështu do të merrte zhvillim kjo zeje tradicionale që do të ndihmonte në mirëqenien qytetare.

Gjithashtu me vendim të Asamblesë së Bashkisë së Elbasanitu dha me koncesion centrali elektrik për një periudhë 20-vjecare. Po ashtu përgatit preventivi për ngritjen e argjinaturës te Përroi i Zaranikës, që përmbyste qytetin dy herë në vit.

Musa Aliu u tregua i kujdesshëm ndaj politikave tatimore dhe udhëzoi, që mbështetur në dokumente të saktësoheshin të ardhurat e familjeve të pasur dhe në bazë të tyre të taksoheshin, kështu më pas u rritën të ardhurat në favor të buxhetit të Bashkisë. Kjo masë solli që të ardhurat e buxhetit të Bashkisë të përdoreshin për zhvillimin e arsimit, përmirësimin e higjenës së qytetit etj. Këto ishin arritje për një periudhë të shkurtër dy vite e gjysmë të Hafiz Musa Aliut, me të cilat ai fitoi simpatinë e publikut të gjerë. Duke parë aftësitë e tij menaxhuese me një vendim të Ministrisë së Ekonomisë do të kalonte në Odën e Tregtisë së Elbasanit si kryetar i saj nga viti 1931 deri më 1935.

Në vitin 1936 do të ishte vetë H. Musa Aliu që do të vihej në krye të një proteste të qytetarëve elbasanas kundër një vendimi qeveritar, i cili donte ta hiqte shkollën normale nga Elbasani për në Shkodër. Gjatë Luftës së Dytë Botërore H. Musa Aliu përkrahu Frontin Nacional-clirimtar dhe kur mbaron lufta zgjidhet kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, detyrë që e mbajti për gati 10 vjet deri në vitin 1954, kohë kur nga zhvillimet që po merrte drejtimi i fesë detyrohet të largohet dhe të tërhiqet e të bëjë një jetë familjare larg politikës dhe zhvillimeve të Komunitetit Mysliman, i cili ishte vënë në shënjestër nga regjimi, që së bashku me komunitetet e tjera u detyruan me forcë të mbyllin veprimtaritë e tyre.

Hafyz Musaja, siç e njihnin njerëzit u tërhoq i zhgënjyer nga dëmtimi që po i bënin fesë udhëheqësit komunistë. Ai i la pasardhësve një model pune dhe përkushtimi që pak-kush mund ta ndjekë.

Autor: Roald A. Hysa