Është e vështirë të shkruash për mësuesit dhe drejtuesit e Normales. Një ndër to ka qenë edhe Grigior Kallajxhiu, i cili kaloi 30 vjet në këtë shkollë, pra një jetë të tërë në të, fillimisht si mesues dhe më pas si drejtues i saj.

Grigor Kallajxhiu

Grigor Kallajxhiu

Në qytetin e tij mori mësimet e para, kurse në vitin 1951 mbaron shkollën Normale. Në vitin 1960 përfundoi studimet në Universitetin e Tiranës, në degën Histori.

Fillimisht emërohet mësues në rrethin e Gjirokastrës, në fshatin Topojë të Zagorisë. Në vitet 1953-1955, punon si mësues historie në Teknikumin e Naftës të Qytetit Stalin, (Kuçovë). Në vitet 1955-1956 jep mësim në qytetin e Korçës, fillimisht në Liceun e Korçës, më pas në Teknikumin bujqesor ”Irakli Terova”.

Në vitin 1959 bëhet nëndrejtor deri në vitin 1971, vit në të cilin emërohet drejtor i shkollës së mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi”. Me këtë detyrë  mbylli rrugëtimin e tij, derisa doli në pension, në janar të vitit 1986.

Grigor Kallajxhiu është marrë edhe me studime me karakter pedagogjiko – shkencor dhe është autor i disa studimeve dhe shkrimeve të botuara në shtypin e kohës. Këtu mund të permendim shkrimet: “Luigj Gurakuqi, drejtor i parë i shkollës Normale”, ku vlerëson rolin dhe rëndësinë e kësaj shkolle në përgatitjen e mësuesve në mbarë vendin. Është autor i teksit “Historia e Kohës së Re”, në vitin 1975. Në 70-vjetorin e shkollës Normale, në vitin 1979, në konferencën historiko – pedagogjike për Normalen, ai mbajti kumtesën kryesore, me temë: “Shkolla Normale – vatër e rëndësishme e përgatitjes së kuadrit pedagogjik”. Në vitin 2001 boton një monografi për drejtorin ikonë “Vasil Kamami – figurë e nderuar e arsimit tonë kombëtar”.

Duke qenë pothuajse 30 vjet mësues e drejtues në këtë shkollë, patjetër që la gjurmë të pashlyeshme në shumë breza normalistësh, jo vetëm të Elbasanit, por edhe më gjërë.

Është karakterizuar gjithmonë nga profesionalizmi, përkushtimi, racionaliteti, bashkëpunimi me kolektivin dhe komunikimi. Grigori ka punuar me përkushtim, jo vetem si drejtues i shkollës, por edhe si një vazhdues i denjë i ruajtjes dhe zhvillimit të traditave, për të cilat është shquar gjithmonë kjo shkollë. Edhe sot, edhe pse në moshë të thyer, është tepër aktiv në jetën e përditëshme.