Ikonë e Kostandin Shpatarakut, "Krye- engjëlli Gabriel"

Ikonë e Kostandin Shpatarakut, “Krye- engjëlli Gabriel”

Kostandin Shpataraku, piktori i njohur mesjetar, e ka marrë këtë mbiemër prej mbishkrimeve që linte në pikturat e tij. Kudo ku pikturonte, shkruante gjithmonë Kostandini prej Shpati. Ky është një tregues i origjinës së tij, prej Shpatit të Sipërm, konkretisht hamendësohet për 3 fshatra që mund të jenë origjina e tij: Seltë, Pashtresh dhe Valësh. Mbiemri i tij i vërtetë mendohet të ketë qenë Oga. Fise me këtë mbiemër kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë edhe sot në fshatin Valësh.

Në po të njëjtin fshat, në qendër të tij ekziston i ashtquajturi “Çifligu i Ogës”, 300m larg të cilit ndodhet edhe varri i Kostandin Shpatarakut, edhe pse nuk dihet saktësisht se ku është varri brenda kuadratit prej 30-40 metrash katrorë. Ky fakt lidhet me historinë e vrasjes se Kostandinit.

Kostandin Shpataraku kishte shkuar në Strugë për të festuar  “Shën Mërinë” në 21 shtator. Në Strugë festimet bëheshin që në datën 20 në darkë, pranë gjolit dhe në mëngjes hapej kisha e festonin përgjatë gjithë ditës. Kjo festë lidhet edhe me festën që festohet në Valësh çdo 21 shtator në nder të Kostandin Shpatarakut. Por cila është lidhja?

Kostandini niset nga Struga për të ardhur në Shpat, menjëherë pas festimeve . Duke qenë se ai përhapte krishtërimin përmes pikturave të tij dhe mësonte gjuhën shqipe, ishte vënë në qendër të vëmendjes turke për t’u ekzekutuar.  Për të ishte dhënë urdhëri i vrasjes dhe sapo vjen në Elbasan, në vendin e quajtur “Gjurma e Mushkës” e ekzekutojnë me prerje koke . Kokën ia  ngulin në një hu gardhi dhe trupin ia lënë të shtrirë përtokë.

Pasi kishin kryer vrasjen, ushtarët turq shkojnë tek garnizoni në kala dhe lajmërojnë komandantin e tyre që urdhëri ishte kryer. Ata i thonë: – E  therëm Kostandinin! – Ku e keni kokën? – i pyet ai, – E kemi ngulur në një hu gardhi. – Shkoni e merreni!

Pas kësaj ushtarët nisen të shkojnë tek vendi ku e ekzekutuan dhe nuk arritën t’a merrnin kokën, sepse në të ishin grumbulluar pickuese (bletë, grerëza etj), që i dëmtuan ushtarët nga fytyra, nga duart dhe trupi.

Banorët e lagjes “Gjurma e Mushkës” dhe shoqëruesit e Kostandin Shpatarakut dërgojnë haber në Valësh, tek fisi Oga, për të marrë trupin dhe kokën  e Kostandinit, bashkë me shpatarakët e tjerë.

Kur këta të fundit erdhën ditën tjetër për të marrë trupin dhe kokën e tij, pickueset u larguan. Banorët e lagjes e panë skenën, ashtu siç kishin parë edhe skenën tjetër kur erdhën ushtarët për ta marrë dhe u habitën. – Ç’është kjo që po ndodh?- thonin ata.  Mbasi shpatarakët e morën Kostandinin me vig, banorët ndezën qiri tek vendi ku u ekzekutua, gjë të cilën e bënë edhe më vonë duke e konsideruar si vend të shenjtë. Edhe sot në po të njëjtin vend vazhdojnë  dhe ndizen qirinj edhe pse shumë njerëz nuk e dinë se çfarë simbolizon ky vend.

Pasi e dërguan në Valësh, fisi Oga dhe fshatarët e tjerë vendosën që të bënin 3 varre brenda ditës, ku vetëm në njërin varr vendosën trupin dhe kokën e Kostandinit, kurse 2 të tjerët ishin bosh. Kjo taktikë u bë nga fshatarët me qëllim që turqit të mos e dinin se ku ishte saktësisht varri i Kostandinit.

Që nga vdekja e tij, fisi Oga bën një festë çdo 21 shtator, pranë varrit të Kostandinit, për të kujtuar vdekjen e tij.  Festa organizohej nga ky fis, i cili blente një lopë ose një ka, 3 deshë ose 3 kokë dhie dhe i thernin tek varri i tij, duke festuar më pas me gjithë fshatin dhe me priftin.  Mishin e thernin dhe e zienin në një “kishëz” të vogël  aty pranë dhe më pas e shpërndanin për të gjithë banorët e fshatit që merrnin pjesë në festë. Ushqimet e tjera, mezet, bukën e rakinë i merrnin fshatarët e tjerë dhe të gjithë në shesh, të ulur përballë njëri – tjetrit festonin së bashku.

Në vitet 1940-1941 kryeplaku i fshatit të asaj kohe Galip Toçi dhe pleqësia e fshatit, vendosën që fisi Oga të mos shpenzojë më për blerjen e mishit, por atë t’a blente i gjithë fshati. Ogat  këtë festë e bënin edhe në shtëpi në darkë, ku prisnin miq nga fshati për të festuar.

Me heqjen e fesë nga regjimi komunist, ajo nuk u festua më nga viti 1966 deri në 1990. Pas 1990 filloi të festohej sërish dhe festohet edhe sot e kësaj ditë çdo vit, më 21 shtator.

Me heqjen e fese në këtë periudhë (1966) u prish nga rinia e fshatit edhe “kishëza” pranë varrit të Kostandinit.  Në vitin 1966, unë dhe bashkëmoshatari im Vasil Toçi, ishim vetëm 10 vjeç dhe të dy së bashku, një mbrëmje rindërtuam fshehurazi “kishëzën” po me materialet e saj që ishin lënë aty përreth. Morëm qirinj dhe shkrepëse në shtëpi e shkuam i ndezëm në kishë. Kur e panë fshatarët të nesërmen menduan se e kishte “ndërtuar” zoti dhe vazhduan të ndiznin fshehurazi qirinj. Që prej asaj kohe “kishëza” nuk u prish më dhe vazhdon të jetë edhe sot në po të njëjtin vend e njerëzit ndezin sërish qirinj.

Fshatarët e Shpatit e konsiderojnë shenjtor Kostandin Shpatarakun. Nga mendimet e gojëdhënat mendohet se ai vërtet i përket fisit Oga, por ai dhe fisi i tij janë të ardhur në Shpat, nga Petrela e Tiranës, pas vdekjes së Skënderbeut. Një pjesë e këtij fisi u zhvendos në Itali, pjesa tjetër në Greqi, në lagjjen “Spata” në Athinë. Edhe sot në Siçili ka fis me mbiemrin Oga.

(Rrëfyer për ADE nga Z.Josif Toçi)