Gojëdhënë për Gjorg Golemin (Gjergj Arianitin ose Gjon Muzakën)

Gjorg Golemi ishte prijësi i Sopotit dhe i gjithë Shqipërisë së mesme. Në vitin 1432, ushtria turke donte të merrte në zotërim kalanë e Sopotit, të cilën u mundua disa herë t’a pushtonte, por nuk arriti dot. Një ditë, ushtria turke duke përshkruar rrugën për t’u ngjitur në Sopot, kaloi Luginën e përroit të Gostimës, nga Fush-Bualli në drejtim të Malit të Gaferrit, ku ishin edhe zotërimet e Gjergj Arianitit ose sipas gojëdhënës e quanin Gjorg Golemi.

Në afërsi të kalasë së Sopotit, ku kishte zotërimet Gjorgu, buzë përroit të  Gostimës takuan një plakë nga fisi Blloshmi. Ata e pyetën atë se si mund të arrinin të pushtonin kalanë. Ajo pasi i dëgjoi iu tha që kjo kala mund të pushtohej vetëm një ditë në vit, por që t’a tregonte atë ditë, ata i ofruan në këmbim një qese me florinj. Plaka i pranoi florinjtë dhe u tregoi. Ajo i tha se kalaja mund të pushtohej vetëm në datën 28 gusht, ditën e Shën  Mërisë, kur Gjorgu me ushtrinë e tij shkonte për t’a festuar në Manastirin e atëhershëm të Galigatit.

Turqit duke marrë parasysh fjalët që u tha plaka, prisnin datën 28 gusht për të finalizuar synimin e tyre. Dhe kështu bënë. Në datën 28 gusht(nuk dihet viti), me ushtrinë e tyre ata u futën në luginën e përroit të Gostimës, iu ngjitën Malit të Sopotit, e rrethuan kalanë që sot quhet Maja e Gaferrit. Kalaja ruhej nga 3 kapedanë. Ata u përballën fillimisht me kapedanin e parë të kalasë, i cili ishte nga fisi Panxhi. Ata i kërkuan që të lëshonte portën e parë, por ai nuk  pranoi. U munduan t’a bindnin dhe në shkëmbim i ofruan një mushkë me florinj, e cila në të vërtetë nuk kishte aq florinj sa pretendonte kapedani, sepse turqit i kishin mbushur thasët me gurë stralli dhe sipër tyre kishin vendosur nga një okë florinj. Kur i hapën grykën e thasëve Panxhit, ai i pa florinjtë e verdhë dhe e lëshoi portën e parë dhe u liroi rrugën për pushtimin e kalasë.

Panxhi u largua dhe ata shkuan tek kapedani i dytë, pjestar i fisit Bezhani. I thanë edhe atij të lëshonte portën se ishin të rrethuar dhe se Panxhi e lëshoi. Ai pranoi t’a lëshonte nga frika.

Mbasi e lanë të lirë të largohej edhe kapedanin e dytë, turqit shkuan tek  porta e tretë, e cila ruhej nga një njeri i besuar i Gjorg Golemit, që i përkiste fisit Bosi, fis i cili sot mendohet të ketë marrë mbiemrin Toçi, që nga rrëzimi i Gjorg Golemit. Banorët e këtij fisi jetojnë edhe sot në Shpat, në Babje, në Fushë Bardhë të Dibrës, në Burrel dhe në Labëri.

Kur shkuan tek kapedani i tretë i thanë t’a lëshontë edhe ai portën sepse dy të parët e lanë të lirë, dhe nëse ai nuk largohej ata do t’a vrisnin e do t’a digjinin kalanë. Roja Bosi kishte nën zotërim të gjithë barutin që mund t’a ndizte më eshkë e me të hidhte në erë të gjithë kalanë. Por edhe ai u largua, sepse s’mund të vinte në rrezik gjithë banorët e asaj zone përmes shpërthimit të barutit dhe kështu vendosi t’a lërë kalanë në dorë të tyre.

Në këtë moment në kala ishte edhe e bija e Gjorg Golemit, Zara. Sapo e mori vesh që kalaja nuk po mbrohej më ajo me vëllain e saj, Markun u nisën me kalë në drejtim të maleve të Shpatit për të lajmëruar Gjorg Golemin se Kalaja ishte pushtuar.

Duke u ngjitur nëpër male e shpate, nga shpejtësia dhe lodhja e madhe, i ngordh Kali. Dhe sot ky vend në  malet e Shpatit mban emrin Qafa e Kalit, që ndodhet disa km larg nga maja e malit Bokanik.

Pas kësaj mori të vëllanë, Markun e filluan të ecnin të dy. Në një qafë tjetër prej disa km vdes edhe Marku. Edhe ky vend, mban emrin e tij, Qafa e Markut, ndodhet pak km larg  Qafës së Kalit.

Zara ngeli e vetme. Vazhdoi rrugën për të lajmëruar të atin për pushtimin e kalasë. Në një majë mali që sot mban emrin Çukë Zara, për nder të saj, sipas legjendes, nga ky vend, që ndodhet përballë Galigatit  Zara i thërret të atit fort, që t’i tregojë se kalaja ishte pushtuar nga turqit. Fati i Zarës pas këtij momenti mbetet i paqartë, por mendohet se mund të ketë vdekur edhe maja e malit  mbi fshatin Pashtresh e ka marrë   këtë emër për nder të saj, emër të cilin vazhdon t’a mbajë edhe sot e kësaj e dite.

Lajmëtarët,  pasi e kishin dëgjuar thirrjen e Zarës, i thonë Gjorgut se Kalaja ishte pushtuar . Ai u thotë se Kalaja nuk pushtohet, vetëm nëse del peshku që është duke u skuqur, nga tava, atëherë kalaja ishte pushtuar. Dhe kështu bënë. Skuqën një peshk dhe ai kërceu nga tava.

Pas kësaj Gjorgu i jep udhëzime ushtarëve të tij të niseshin drejt Sopotit dhe kur doli në malet e Shpatit u përball në Liqenin e kuq, mbi fshatin e sotëm të Gjinarit, në Malin e Bokanikut me ushtrinë turke, që e priste aty.

Në atë vend u zhvillua një betejë e fortë mes ushtrisë turke e asaj të Gjorg Golemit. Edhe për këtë betëjë ka një legjendë të shkruar. Këndohen disa vargje në nder të kësaj beteje:

Sopotare moj të ngrata

Rrokni thika, rrokni shpata

Ushtrinë turke t’a lujftojmë

Gjorg Golemin s’e turpërojmë

Beteja nuk ndalonte, zgjati disa ditë e net. Gjorg Golemi nuk dorëzohej. Thoshte shprehjen:”Pa shkuar gjaku në gjuhë të kalit ne nuk do dorëzohemi”.

Disa gra kur panë se beteja nuk po mbaronte,  i thanë disa ushtarëve të lyejnë këmbët e kalit, nga gjunjtë e deri tek patkonjtë me gjak dhe t’i  çonin  t’i shihte Gjorg Golemi. Kështu bënë. Pasi Gjorg Giolemi i pa, ndali betejën, të cilën thuhet se e fitoi ai dhe shkoi në kalanë e Sopotit.

Kur vajti atje kalaja ishte e rrënuar. Ai i mblodhi të tre kapedanët dhe i pyeti: Pse e dorëzuat kalanë?

Të parin pyeti Panxhin: -“Ti Panxh pse e dorëzove i pari kalanë?” -Ai i tha që e gënjeu turku me një mushkë me florinj, qe as ata si kishte siç i thanë. Gjorgu e mallkoi dhe i tha:-” Ti panxh qelepirxhi qofsh gjithmonë, dy pushkë me një krah mos i mbajtsh!”

Pyeti kapedanin e dytë nga fisi Bezhani: -” Bezhan pse e hape portën?” Ai iu përgjigj: -“Meqë e hapi Panxhi, u tremba edhe nga ushtria edhe e hapa”  – “Ti Bezhan përrua më përrua si shejtan jetofsh e hajër mos pafsh!” e mallkoi Gjorgu.

Pyeti kapedanin e tretë, me mbiemër Bosi: -“Ti Bos pse e hape portën në fund, se un të besova barutin e kalanë që ajo mos të binte?”- ai iu përgjigj: “Mua m’u dhimbs mileti që të mos vriteshin të gjithë.” – “Ti Bos gjynahqar qofsh gjithmonë!”- e mallkoi Gjorgu.

Fisi Panxhi, pas pushtimit të kalasë u shpërnda në Mokërr të Pogradecit e në Shpat. Bezhani jeton në Shpat e kanë jetuar gjithmonë nëpër përrenj e lugina.

Për këto fise ka disa toponime në Sopot, që mund të mbështesin deri diku gojëdhënën. Në një vend afër kalasë së Sopotit thuhet “Lugu i Bosit” ose lugina e Bosit. Për fisin Panxhi edhe sot eshtë në Sopot një man, të cilit i thonë Mani i Panxhit. Kurse për fisin Bezhani nuk ka ndonjë të dhënë të këtij lloji.

Pas vdekjes së Gjorg Golemit, zonja e tij, bashkëshortja autorizon një pjestar të fisit Bosi(Toçi), Ilia Bosi, që ishte një nga më të besuarit e Gjorgu e dërgon në Venedik, për të marrë ndihma për familjen e Gjorgut. Kështu bëri.

Ilia Bosi u kthye me ndihma nga Venediku. Kjo shkruhet edhe në librin “Shpati i Sipërm, ekspedita e 1981”,  që në studimet për zonën e Shpatit të Sipërm, kanë prekur edhe këtë pjesë, madje një informacion e kanë marrë edhe nga dokumentat që ndodhen në Arkivën e Venedikut, në Itali.

Kjo pjesë përputhet edhe me një dëshmi historike të shek.XV te vitit 1467, ku flitet për një Ilia Bosi, i dërguari bruksaskorëve të Sopotit, i cili ka vajtuar për të kërkuar ndihmë në Venedik për luftën kundër turqve. Ai i hyri kesaj pune me pëlqimin e gruaj së të ndjerit Gjorg Golemi, zonjës Arianiti. Ilia Bosi i thotë asaj në një letër, se po bëhej kjo punë. Kjo është e vërtetuar nga dokumentat e Dhimitër Shuteriqit .

Kjo legjendë thuhet edhe sot në të gjithë zonën, me disa elementë më pak ose më shumë.

( Rrëfyer për ADE nga Z. Josif Toçi)