Për banorët e  Elbasanit Mali i Vashës është ndoshta një emër i zakonshëm mali dhe pak mund t’a  dinë historinë e emrit të tij.

Mali i Vashes

Mali i Vashës

Sipas atyre që thuhen, një fshatar i varfër nga Griqani i Labinotit Fushë, ra në dashuri me vajzën e beut të kësaj ane. Fjala kishte marrë dhenë, se djali i pashëm i bujkut të varfër ishte dashuruar me vajzën e bukur e të pasur të një beu të madh të një ane tjetër po në Labinot Fushë, ku edhe është zhvilluar kjo ngjarje. Një ditë fjala arriti në veshin e beut. I turfulluar dhe me inat beu i xhindosur kërkonte të bënte gjëmën. Ai dërgoi yzmeqarët që t`ia sillnin djalin, të dashurin e vajzës së tij para sysh. Ndërkohë që vajzës ia kishte bërë të qartë se nuk do t’a lejonte kurrë një martesë që do t’a turpëronte për jetë. Pavarsisht kësaj nuk e nënshtroi vajzën e tij. Ajo u betua para Zotit dhe para të  atit të saj se nuk donte njeri tjetër në këtë jetë, përveç djalit që i kishte fituar zemrën.

Krenar dhe me dinjitet djaloshi iu paraqit pa iu dridhur syri beut në fjalë. Edhe pse me inat, beu pranoi t`ia jepte vajzën këtij djali, por duke i kërkuar një kusht, që ai me vajzën në krah t`i ngjitej malit përpjetë deri në majë.

Ishte një mal me një të tatëpjetë të madhe, por që djali e kishte ngjitur me dhjetra herë dhe  nuk i frikësohej. Gjithçka u pranua dhe ashtu u bë. Të dy te dashuruarit u përqafuan dhe djali duke e marrë në krah vajzën, nisën t’i hipnin malit.

Rruga nuk ishte e gjatë, por e thyera e malit ishte e hidhur. Dihatja e frymëmarrjes së vështire nga pesha nuk e shqetësontë djaloshin, që kishte realizuar ëndrrën e tij. Ngjitja për në majë po realizohej, siç dëshironte. Këtë çudi po e vështronin me kureshtje dhe ankth shumë banorë të fshatit Labinot Fushë, duke pritur se çfarë do të ndodhte..

Por rruga drejt majës po bëhej e vështirë e  lodhja po bënte punën e vet. Zemra e djalit rrihte e rrihte pa pushim. Fundi erdhi e djali e arriti majën, gëzimi për të u bë i pamatë. Pikërisht në këtë kohë ndodhi edhe tragjedia. Ai u shemb përdhe, sepse zemra nuk i duroi më. Ndërkohë vajza kujtonte se ai u shtri prej gëzimit, por shpejt kuptoi se i dashuri i saj kishte vdekur. Hidhërimi përshkoi tërë qenien e saj. Një britmë e madhe oshëtiu në të gjithë luginën, duke duke u dëgjuar në male tejpërtej. Atë e dëgjuan të gjithë ata që për disa orë po i ndiqnin me sy. Dhe vajza me zemer të thyer, me shpirt të përvëluar, hipën mbi shkëmb dhe hidhet që andej, vrik e për poshtë për të vdekur dhe ajo bashkë me të dashurin e saj.

Edhe beu i egër derdhi lot, jo vetëm për vajzën  e tij, por edhe për djalin, ndaj  kërkoi që të dy, si vajza dhe djali të varroseshin bashkë nën hijen e një rrapi, pikërisht atje në rrëzën e malit qe tashmë mban emrin “Mali i Vashës”.

Edhe sot sa  herë që udhëtarët kalojnë përgjatë rrugës që shikohet me Malin e Vashës, të gjithë kërkojnë të dinë përse e ka emrin të tillë.

(Dhënë për ADE nga Z. Hyqmet Zane)