Pamje e fshatit Dërstilë

Dy vëllezër të fisit që sot mban mbiemrin Dërstila para shumë viteve mërguan në Stamboll. Atje mësuan të punonin zejen e dërstilës, distilim i leshit nëpërmjet ujit.

Më vonë kur u kthyen në fshatin e tyre, duke qenë se ai kishte  ujë të bollshëm filluan të ndërtonin edhe aty zejen e dërstilës.

Vëllezërit punuan për një kohë të gjatë bashkë dhe pastaj u ndanë, njëri kaloi në stan, duke kaluar përroin dhe u largua nga fshati ku ishte për të shkuar në Gjinar. Vëllai tjetër mbajti dërstilën. Fisi në fillim e ka pasur mbiemrin Ruçi. Këtë mbiemër e mbajti vetëm vëllai që u largua, kurse vëllai që ndenji në fshat, per hir edhe të zejes që punonte mori mbiemrin Dërstila, që e mban sot i gjithë fisi në fjalë, pasardhës të tij.

Jo vetëm ky fis, por i gjithë fshati mori këtë emër. Interesante është që vëllai që mori mbiemrin Dërstila ndërroi fenë duke u konvertuar në musliman, kurse vëllai tjetër mbeti i krishterë. Edhe sot pasardheësit e dy vëllezërve jetojnë në fshatra të ndryshme, disa në Dërstilë, disa në Gjinar. Të parët janë të fesë islame, të dytët janë të krishterë. Sot ata janë kushurinj të katërt ose pestë dhe vazhdojnë të ndjekin zakonet e  vjetra. Bëhen “nunë” tek njëri-tjetri dhe ftojnë njëri – tjetrin në festat fetare, të krishtera e islame.