Numuri 41 i Gazetës “Shkumini”

Gazeta “Shkumini”  ishte një gazetë e përjavëshme, politike dhe letrare. U botua nga 14 janari i vitit 1921 deri në 20 janar të vitit 1922 dhe gjithsej nxorri 47 numura. Drejtor i saj fillimisht ishte Filip Papajani, më pas nga numuri 20 e më tej drejtor u bë Emin Matraxhiu. Botimi  bëhej i mundur nga Shtypshkronja “Elbasani”.

Si moto “Shkumini” përdorte: “Mpron Lirin e Njësin e vërtetë” dhe shprehej se nuk ishte vegël e verbër e askujt dhe asgjëje, por i shërbente vendit dhe ishte asnjanëse.

Rubrikat e saj ishin: në faqe të parë artikulli kryesor në të cilin trajtoheshin tema të aktualitetit politik, në të cilat nuk kursenin as kritikat për qeverisjen. Shpesh në këto artikuj zinin vend edhe tema që kishin të bënin me çështjen kombëtare, të cilën e propagandonin shpeshherë,  të reflektuar në artikuj si: “Greqia dhe Shqipëria”(nr.19), “Kufinjt e Shqipnis”(nr.20), “Shpifje greko-turke”(nr.21), “Nji dokument mbi qëllimin e Jugosllavëve”(nr.37), “Si e kur ka me marrë fund çashtja shqiptare?”(nr.23) etj. Rubrika të tjera ishin: Telegrama, Tragëzat e Mullinit, Rreth botës, Lajmet e vendit etj.

Ndaj gazetës “Shkumini” ka pasur ankesa nga individë dhe qarqe qeveritare, madje situata u agravua deri në arrestimin e drejtorit të saj Emin Matraxhiu. Këtë rast “Shkumini” e pasqyroi në artikullin me titull “Liria e të drejtat e shtypit duhen caktue” (nr.31), duke e konsideruar si një sulm dhe censurë ndaj shtypit.

Numuri i parë i Gazetës “Shkumini” në frengjisht

Numuri i parë i gazetës “Shkumini” u botua edhe në frengjisht në 25 prill 1921 me moton: “Chaque homme civilisé a des patries: La sienne et la France” (Përkthimi: Çdo njeri i qytetëruar ka dy atdhe: të tijin dhe Francën). Në këtë numër special bëhej ftesë publike për të vizituar qytetin e Elbasanit.