Numuri i 3-të i gazetës "Ku Vemi?"

Numuri i 3-të i gazetës “Ku Vemi?”

Në kuadër të shpalosjes së shtypit lokal të viteve 1921- 1924, ju informojmë rreth një tjetër gazete të kësaj periudhe siç ishte gazeta “Ku Vemi?”. Kjo gazetë u botua në vitin 1924, në periudhën nga 12 janari deri në 19 tetor dhe mundi të nxjerrë vetëm 20 numura. Pronar dhe drejtor i saj ishte Salih Çeka.

Emrin e kishte “Ku Vemi?” për të treguar që ishin në kërkim të së panjohurës, të cilën synonin t’a zbulonin pikërisht përmes kësaj pyetjeje.

Kjo gazetë deklaronte se do të ishte asnjanëse, ndryshe nga gazetat e tjera që sipas saj nuk ishin të tilla. Për të mbështetur këtë u hartua edhe një program, të cilin e kishte shpallur që ne numurin e parë të saj për të treguar synimet që kishte. Programin e kemi shkëputur nga kjo gazetë dhe është tekstualisht si më poshtë:

7 pikat e Programit të gazetës “Ku vemi?”:

  1. Do të jetë krejt indipendent.
  2. Do të përpiqet që t’i thotë të bardhës e bardhë; të zezës e zezë, me pasun për udhëheqës të drejtën e të vërtetën.
  3. do të ruhet nga konfliktet e kota dhe do të rrijë lark personalitetevet, përmbrenda urtis të fletorizmës qytetare.
  4. Do të përpiqet të çelij nji rrugë kulturore të reformës shoqnore, politike, arsimore e ekonomike mbi baza të vërteta të shkecavet, në mënyrë qi të përfitojë çdo shkallë mendore e popullit.
  5. Do të spjegojë e përhapij mendimin botuer të shqiptarit, parimet e vërteta të demokratis, dhe do të përpiqet të naltësojë vegjëlin në shkallën njerëzore të meritueshme.
  6. Do të kryejë detyrën si nji organ politik me arsye, me artikuj të posaçëm e teknikë përpara kuvendit të math të kombit.
  7. Do të mbrojë asnjanësinë shkollore n’arsimin komtar, dhe do të përpiqet qi të sigurojë njisin shkollore, mendore, shoqnore dhe politike të shqiptarit të ri të pritmit.

Përmes këtij programi arrijmë të kuptojmë qasjet demokratike të saj me grupime të caktuara politike të kohës, siç ishte “As i pashës, as i Beut”. Mjaftoi kjo që të niste një tjetër përplasje në shtypin e shkruar të Elbasanit. Duket se gazeta tjetër “Elbasani” këtë afrimitet nuk e pa me sy të mirë edhe për konfliktet verbale që kishte grupimin në fjalë dhe me gazetën “Ura e Shkuminit”.

Sipas gazetës “Elbasani”, “Ku Vemi?” kishte kërkuar anëtarësimin në grupimin “As i pashës, as i Beut”  dhe e pasqyronte kështu në një artikull të saj: “ne sna pranuan në grupin As i pashës, as i Beut, por mbasi patëm letra të hapuna për fuqitë armore nuk bëzajtin”. Gazeta “Ku Vemi?” këto e të tjerë artikuj në drejtim të saj i konsideronte shpifje dhe sulme jo të arsyeshme për kohën ku jetonin, në të cilën duhej respektuar mendimi i tjetrit dhe liria e fjalës. Po ashtu ajo shtonte se pati afrime jo vetëm me grupimin në fjalë, por edhe me grupimin tjetër politik “Pleqesia”, por kishin parime të njëjta më shumë me grupin e parë, sepse aty mendonin se kishte njerëz të vegjël si ata. Për këto e shumë të tjera “Ku Vemi?” deklaronte se gazeta “Elbasani” nuk kishte seriozitetin që duhej të ketë një gazetë.

Rubrikat kryesore nga të cilat përbëhej “Ku Vemi?” ishin: Artikulli kryesor  në faqe të parë  ku trajtoheshin problematika kombëtare, Sqimet e plakës (shkruhej gjithmonë nga pseudonimi “yjet e natës”), Gjendja politike, Lajme të Jashtme, Shtypi shqiptar, Lajme të Mbrendëshme, Ora e fundit (lajmet më të fundit) etj.

Gazeta shpesh kritikonte në artikujt e saj qeverisjen e kohës dhe ishte për pajtim të dy partive kryesore me njëra – tjetrën.