Dy numura të Gazetës “Flamuri”

Gazeta “Flamuri” u botua në Itali për 32 vite rresht, nga viti 1950 deri në vitin 1982, nga elbasanasi Vasil Andoni. Gjatë kohës që ky i fundit jetoi në Itali u impenjua për botimin e kësaj gazete çdo muaj, duke pasqyruar përmes artikujve  të saj realitetin politik të kohës në Shqipëri. Kjo gazetë ishte organ i Partisë Agrare, Demokratike Shqiptare “Balli Kombëtar”, pjesë e rëndësishme e të cilës ishte edhe vetë Vasil Andoni. Për këtë arsye një pjesë e mirë e veprimtarisë dhe artikujve të gazetës “Flamuri” ishte në mbështetje të “Balli-t Kombëtar”.

“Flamuri” përmbante artikuj në disa gjuhë si: shqip, anglisht, frengjisht, italisht etj. Vëmendje të veçantë merrte sidomos çështja shqiptare dhe mardhëniet e Shqipërisë me fqinjët dhe shtetet e tjera. Kjo refletohet në shumë prej artikujve të “Flamurit” ndër vite si për shembull: “Grecs et Albanais” (Grekët dhe Shqiptarët), “La situation du groupe ethnique albanais de Youguslavie se presente comme une plaie douloureuse dans L’Europe actuelle” (Situata e grupit etnik shqiptar në Jugosllavi shfaqet si një plagë e dhimbshme në Europën aktuale), “Albania and her neighbours” (Shqipëria dhe fqinjët e saj), “Shqipnija dhe Jugosllavia”, “Politika e Italisë në Shqipni” etj.

Kryesisht shumicën e faqeve të gazetës “Flamuri” e përbënin artikuj që flisnin për problematika të çështjes kombëtare shqiptare.

Artikujt shkrueshin jo vetëm nga shqiptarë, por edhe të huaj si: Dimce Belovski, Malcom W.Browne, Giulio Guazzini etj. Një pjesë të mirë të artikujve e shkruante edhe vetë themeluesi dhe botuesi i gazetës Vasil Andoni,  edhe pse për arsye që nuk dihen, jo gjithmonë e shkruante emrin e tij në fund të çdo artikulli.

“Flamuri” në hapsirat e tij i jepte rëndësi edhe përvjetorëve të veçantë, duke kujtuar e sjellë në vëmendje data e persona të rëndësishëm për kombin. Këtu  mund të përmendim jo vetëm Ditën e Flamurit, festën kombëtare, por edhe përvjetore lindjesh e vdekjesh të figurave si Mit’hat Frashëri e të tjerë.