Gani Bedhia, Mesues i Popullit, Elbasan, Arkivi Digjital Elbasan

Gani Bedhia “Mesues i Popullit”

Gani BEDHIA  “Mësues i Popullit “

Mësues i talentuar, Metodist, Didakt, Veprimtar i arsimit
Lindi në një familje qytetare në Elbasan në vitin 1925. Në vendlindje mbaroi arsimin fillor dhe atë të mesëm Normale. I formuar me idealet e profesionit të mësuesisë, ai shërbeu si mësues në fshatrat Valas e Mlizë në Elbasan dhe Floq të Librazhdit. Ishte shef i Seksionit të Arsimit në Librazhd, pastaj mësues i klasës së I fillore në shkollën Ushtrimore, drejtor i shkollës Ushtrimore në Tiranë dhe më pas në Elbasan. Në dhjetor 1953 mori pjesë në Konferencën kombëtare të mësuesve të dalluar. Në veprimtarinë shkollore të Gani Bedhisë, një pjesë të mirë e zë puna e tij prej metodisti, prej afro dy dekada në Kabinetin pedagogjik të Elbasanit. Veprimtaria shkencore pedagogjike e tij zë fill qysh në vitet ’50, por më e dendur është ajo e viteve ’60 dhe ’70. Më 1967 botoi “Metodika e këndimit”, më pas “Abetarja” me bashkëautor. Librat e tij qenë fryti i një pune të gjatë shkenciore, hulumtuese e krahasuese. Gani Bedhia ishte bashkëautor i revistave “Shkolla fillore”, “Revista Pedagogjike”, gazeta “Mësuesi”. E gjithë veprimtaria pedagogjike e tij i kushtohet shkollës fillore e në veçanti klasës së parë.
Mendimi i tij didaktik është shtjelluar në një varg studimesh, si : “Të luftojmë të metat e klasës së I në lexim e shkrim” 1954; “Probleme të forcimit cilësor në ciklin fillor të shkollës 8-vjeçare” 1973; “Të përhapurit e përvojës pozitive lidhur me pritjen e veprimtarisë së pavarur të nxënësve” 1974; “Për një punë edukative jashtëshkollore më frytdhënëse” 1973. Vdiq në Elbasan në vitin 1978, duke lënë pas, emrin e nderuar të qytetarit dhe intelektualit shembullor.