Gani BEDHIA – Mësues i talentuar, Metodist, Didakt, Veprimtar i arsimit.

Gani Bedhia - Mësues i Popullit

Gani Bedhia – Mësues i Popullit

Lindi në një familje qytetare në Elbasan në 8 janar të vitit 1926.

Në vendlindje mbaroi arsimin fillor dhe atë të mesëm në shkollën Normale.

I formuar me idealet e profesionit të mësuesisë, ai shërbeu si mësues në fshatrat Valsh e Mlizë në Elbasan dhe Floq të Librazhdit.

Ishte shef i Seksionit të Arsimit në Librazhd, pastaj mësues i klasës së I fillore në shkollën Ushtrimore, drejtor i shkollës Ushtrimore në Tiranë dhe më pas në Elbasan.

Në dhjetor 1953 mori pjesë në Konferencën kombëtare të mësuesve të dalluar.

Në veprimtarinë shkollore të Gani Bedhisë, një pjesë të mirë e zë puna e tij prej metodisti, prej afro dy dekada në Kabinetin pedagogjik të Elbasanit.

Veprimtaria shkencore pedagogjike e tij zë fill qysh në vitet ’50, por më e dendur është ajo e viteve ’60 dhe ’70. Më 1967 botoi “Metodika e këndimit”, më pas “Abetarja” si bashkëautor. Librat e tij qenë fryti i një pune të gjatë shkencore, hulumtuese e krahasuese.

Gani Bedhia ishte bashkëautor i revistave “Shkolla fillore”, “Revista Pedagogjike”, gazeta “Mësuesi”. E gjithë veprimtaria pedagogjike e tij i kushtohet shkollës fillore e në veçanti klasës së parë.
Mendimi i tij didaktik është shtjelluar në një varg studimesh, si : “Të luftojmë të metat e klasës së I në lexim e shkrim” 1954; “Probleme të forcimit cilësor në ciklin fillor të shkollës 8-vjeçare” 1973; “Të përhapurit e përvojës pozitive lidhur me pritjen e veprimtarisë së pavarur të nxënësve” 1974; “Për një punë edukative jashtëshkollore më frytdhënëse” 1973.

Vdiq në Elbasan në 12 maj të vitit 1978, duke lënë pas, emrin e nderuar të qytetarit dhe intelektualit shembullor.

 

(Marrë nga libri “Mirënjohje për mësuesit e nderuar të qytetit tim”)