Mihal Gjika lindi në Elbasan, në vitin 1947 në familjen e Dhoksi dhe Miri Gjika në Lagjen “Shënkoll” . Ishte një prej 9 fëmijëve të familjes Gjika, 3 prej të cilëve ishin futbollistë (Mihali, Dhimitri dhe Petriti).

Në foto: Mihal Gjika - ish futbollist.

Në foto: Mihal Gjika – ish futbollist.

Nga fillimet e tij në futboll Mihal Gjika kujton: “Ishte viti 1960 kur zhvillohej spartakiada e pionierëve në Durrës, kur unë do të isha pjesmarrës me ekipin e Elbasanit dhe trajneri im i parë ka qenë Skënder Qorri dhe Hasan Hoxha si përgjegjës i klubit. Por seleksionimin e pionierëve futbollistë e bëri i mirënjohuri Shefqet Lamçja, që të gjithë në Elbasan e njohin me emrin Lala. Është ky specialist i mrekullueshëm që në kapionatet e lagjeve të qytetit, dinte dhe nuhaste futbollistët e ardhshëm. Ishte kjo arsyeja që ai u caktua seleksionues, duke u kthyer në “babai i seleksionerëve të futbollit elbasanas. Nga kjo Lala e mori Lakën më 1961 në ekipin e të rinjëve, duke bërë që mjeshtri i seleksionimit të ishte edhe trajneri i parë. “Me lalën kam luajtur deri më 1963-64, duke fituar eksperiencat më të mira të një njeriu që mbeti i dashur jo vetëm për mua, por për të gjithë Elbasanin, veçanërisht për futbollistët”, – tregon natyrshëm Laka, duke fshehur brenda vetes edhe brengën e njeriut që tashmë ka mbetur vetëm tek kujtimet, duke vazhduar të shprehet se: “gjatë vitit 1964 hera-herës grumbullohesha në ekipin e parë për t’u provuar, ndërsa në vitin 1965 kuadrohem në ekipin  e parë të futbollit, ku trajnerët e mi ishin Sabri Peqini dhe Agron Stringa. Falë punës së tyre që na ngarkonin me detyra personale për t’u bërë futbollistë, erdhi vera e vitit 1966, kur u grumbullova me ekipin kombëtar “Shpresa” të Republikës së Shqipërisë në Durrës. Isha lojtar formacioni”.

Foto e bërë më 14 mars 1975. Labinoti i Elbasanit fiton për herë të parë Kupën e Shqipërisë. Kapiteni Mihal Gjika në mikrofonin e gazetarit Ahmet Shqarri.

Foto e bërë më 14 mars 1975. Labinoti i Elbasanit fiton për herë të parë Kupën e Shqipërisë. Kapiteni Mihal Gjika në mikrofonin e gazetarit Ahmet Shqarri.

Mihal Gjika ka një kujtesë të freskët, kur pohon se: “pas turneut Shpresës në Kinë, ku trajnerë ishin Zyber Knçi, Refik Resmja dhe Skënder Jareci, nisi edhe “lufta e brendshme” mes Refikut dhe Skënderit se kush do t’më merrte në ekip, se më kishte ardhur mosha e ushtrisë. Dua të jem i sinqertë se i dhashë fjalën trajnerit tim të ardhshëm, Mjeshtrit të Madh të Sportit Refik Resmja, që është njëherazi edhe legjenda e futbollit shqiptar me ekipin e Partizanit”. Dhe ashtu valë-valë mendimet e Lakës renditen për atë kohë, kur ai kujton se “që ditën e parë që shkova në ekipin e Partizanit, trajneri Refik Resmja më kujtohet se më tha : “brenda vitit të dua lojtar të ekipit kombëtar”. Kjo thanie e tij më bëri të stërvitesha tre herë në ditë. Nuk ekzagjeroj kur them se unë flija në një dhomë me një nga mesfushorët më të mirë të Republikës, Mexhit Haxhiu. Ai më thoshte : “Laka, nëqoftëse do të bëhesh futbollist, duhet të ngrihesh herët në mëngjes dhe, para se të shkosh të hash bukë, duhet të bësh “palexho” (mbajtje e topit me dy këmbë, me kokë, me gjoks në vend dhe në lëvizje). Stërvitja e dytë fillonte në orën 9 e 30 të mëngjesit dhe e treta në orën 3-4, sipas kohës. Isha i detyruar të bëja tre herë stërvitje në ditë jo se më detyronte njeri, por duke mendu se përfaqësoja një klub si Partizani dhe luaja përkrah yjeve të futbollit shqiptar, duke filluar nga porta me Mikel Jankun, portier i ekipit kombëtar, përkrah kapitenit të Partizanit dhe ekipit kombëtar Lin Shllaku, në mesfushë me Ramazan Ragamin, Todo Vaso, Saba Bizi dhe në sulm, Robert Jashari, Tomorr Shehu dhe me superyllin, të famshmin dhe të madhin, të paarritshmin Panajot Pano. Isha fizikisht shumë i fuqishëm, por nga ana teknike e taktike që të arrija këta yje, më duhej shumë punë, djersë dhe sakrifica. Duke luajtur në krah të djathtë, nuk më harrohen këshillat e stoperit më të mirë të të gjitha kohërave, Lin Shllaku, kur më thoshte “Laka, duhet të punosh shumë me topin, të jesh më i qartë taktikisht. Në si klub na duhet që ekipin kombëtar ta përfaqësojmë si mbrojtës”. Me thënë të drejtën, këshillat e Mexhitit, Linit e të tjerëve, u mundova me çdo kusht të eleminoj defektet e mija dhe pas dy vjetësh u bëra lojtar i ekipit kombëtar në vitet 1966-1969”.

E gjithë koha e qëndrimit të Lakës në ekipin Partizani, ka qenë njëherazi edhe eksperienca më e mirë, ku u ngrit në lartësitë e duhura futbollisti që ka krenarinë që ka qenë një prej lojtarëve të një ekipi që i ka dhënë aq shumë futbollit shqiptar me pjesmarrjen e yjeve të tij në ndeshje të tilla si ajo në rrang europian, kur më 1968 Partizanit i ra shorti me AC Torino për Kupën e Kupave. “Isha shumë i emocionuar. Ishte ndeshja ime e parë që kishte vlera të tjera nga ato që kisha luajtur në takimet ballkanike. Ndeshja me AC Torino ishte me një ekip profesionit  perëndimor me lojtarë me emër. Ndeshaj e parë, – kujton me nostalgji Laka, – u zhvillua në Tiranë në shtator 1968, ku Partizani fitoi 1 me 0. Rezultati mund të ishte minimalisht 2 me 0, kur një krosim nga krahu i djathtë dhe një dalje e gabuar e portierit italian, për çudinë e të gjithëve dhe të rreth 20 mijë sportdëshësve në stadium, me portën bosh, i madhi Panajot Pano, i pashqetësuar nga njeri, në vend që të godiste lehtë e të çonte topin në rrjetë, e goditi fort ate dhe topi shkon tek ora. Në tetor 1968 ndeshja e kthimit në Torino. Ekipi luajti shumë mirë, dominoi në të gjithë anët ekipin torinez, por për mungesë eksperience të Partizanit, humbëm shumë raste. Ndeshja përfundoi 3 me 1. Partizani eleminohet. Gazetat e athershme shkruanin shumë mirë për ekipin e Partizanit, por cilësohej edhe mungesa e eksperiencës, kuptohet që shumica e futbollistëve të rinj u çuditën, kur luajtën në stadiumin komunal të Torinos”.

Në foto: Ekipi i futbollit  Labinoti në vitet 60-70. Trajner Shefqet Lamçja. P.Kallajxhiu, Enver Ibershimi, Hyqmet Krati, portieri L.Shkurti, Qazim Radoniqi, Mihal Gjika, Isa Hoxha, Fatmir Lamçja, I. G.

Në foto: Ekipi i futbollit Labinoti në vitet 60-70. Trajner Shefqet Lamçja. P.Kallajxhiu, Enver Ibershimi, Hyqmet Krati, portieri L.Shkurti, Qazim Radoniqi, Mihal Gjika, Isa Hoxha, Fatmir Lamçja, I. G.

Ishte vetëm 29 vjeç, kur i dha lamtumrën futbollit dhe tifozërisë elbasanase nga një dënim i pamerituar i Bashkimit të Fizkulturistëve të Shqipërisë. Por në kujtesën e këtij njeriu që futbollin e ktheu në pasion, në punë dhe art, Mihal Gjika kujton jo pa nostalgji.

Momenti më i hidhur i jetës së tij ka qenë pikërisht ky, kur ka lënë futbollin në prill 1976, kur Elbasani luante në një ndeshje ndërkombëtare miqsore me një ekip rumun. “Tre ditë më parë kësaj ndeshjeje, – kujton Laka, – në ndeshjen me Shkodrën për kampionatin kombëtar. Gjatë kësaj ndeshjeje u dëmtova nga një ndërhyrjeje e një sulmuesi shkodran, duke u çarë në këmbën e djathtë në dy vende. Më duhej që ditën e mërkurrë të luaja në ndeshjen me rumunët. Trajneri im Agron Stringa më thotë që të zhvishesha, por unë i thosha se isha i pamundur. Pusho, – më tha ai, – por mos harro se ditën e mërkurrë do të vijë ekipi rumun dhe ti duhet të jeshë në gadishmëri, megjithëse unë isha deri të mërkurrën në po të njejtën gjendje. Erdhi ora e ndeshjes, që në fakt do të ishte ora dhe minuta e fundit si futbollist në fushën e blertë që e dashuroja. Shkova edhe unë në stadium me mendimin se nuk duhet të luaja. Miku im, mjeku i skuadrës dhe ish koleg im në futboll, Pëllumb Himçi më thotë se “Lake mos luaj, se po luajte, me këtë gjendje që e ke këmbën, nuk ke për të luajt futboll ma”. Dhe çuditësrisht ashtu ndodhi, por jo nga plaga ime, por nga një incident i padëshiruar. Që nga ai moment dhe nga ajo ndeshje nuk luajta ma”. Duke mos dashur që t’i hynte dënimeve të gjata që ka pasur Mihal Gjika si futbollist nga Federata e Futbollit, por ky dënim nga Bashkimi i Futbollistive të Shqipërisëe ishte i paramenduar. “S’di se kush e çoi punën deri aty, por unë mbylla karierën time në moshën 29 vjeçare, jashtë dëshirës sime, se isha akoma i ri dhe mund të jepja akoma kontribut, – kujton me një nostalgji prekëse ky ish futbollist i talentuar që shton se – në kohën kur është marrë vendimi për përjashtimin tim, kam qenë futbollist i ekipit kombëtar dhe kapiten i skuadrës së Elbasanit. Megjithatë sekush bën punën e vet. Unë sa pata mundësi dhashë për ekipin e zemrës sime”.

Duke vazhduar në kujtimet e tij, Laka shprehet me një ndjesi edhe mallëngjimi se “pasioni për futbollin ishte atëherë i madh, se në të tilla kushte luhej. Atëherë futbollistët ishin më të pasionuar. Ndoshta disa yje të atëhershëm, zor se arrihen sot. Elbasani ka pasur një sulm nga më të mirët në Shqipëri me Enever Ibërshimin, Pëllumb Himçin e të tjerë, por pa harruar Lashin, mbrojtësin e famshëm dhe mikun tim të mirënjohur në arenën e futbollit, kur emri i tij ishte Frederik Jorgaqi”.

Megjithatë Mihal Gjika sot kujton se ishin të paharruara ato vitet e para kur kishte në skuadër njerëz të tillë të paharruar si kapiteni i skuandrës Hyqmet Krati, duke luajtur edhe me të njohurin Tit Brungun. “Kur kam qenë kapiten skuadre kam luajtur edhe me Ferd Lleshin, mikun tim, Mit Gjikën. Me këtë treshe mbrojtëse morëm edhe 3 kupa që thashë më sipër”.

Mihal Gjika

Ka luajtur 11 ndeshje ndërkombëtare me ekipin kombëtar,.

Ka luajtur 2 ndeshje olimpike me ekipet ndërkombëtare,  mbi 40 ndeshje ndërkombëtare me ekipet ballkanike.

Nga viti 1989 deri në vitin 1976 ka luajtur me ekipin e “Labinotit” Elbasan.

Është fitues i kupës së Republikës me ekipin e Partizanit në vitin 1968.

Nënkampion me Partizanin në vitin 1968.

Fitues i Kupës së Republikës me Elbasanin në vitet 1974-1975.

Fitues i Kupës Sporti në vitet 1974-1975.

Fitues i Kupës Gazeta “Zëri i Popullit” në vitin 1972.

Në foto: Mihal Gjika me tifozin e tij personal, Lluka Poroveli sot 92 vjeç.

Në foto: Mihal Gjika me tifozin e tij personal, Lluka Poroveli sot 92 vjeç.