Fusha e Torvjollit apo Domosdovës, a kanë lidhje me njëri-tjetrin këto toponime?

Siç dihet nga historia, më 29 qershor 1444 Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në një prej betejave u ndesh dhe e theu keq ushtrinë osmane të komanduar nga Ali Pasha. Beteja u zhvillua në Fushën e Torvjollit (?!). Por vendi ku u ndeshën dy ushtritë ende nuk është përcaktuar ku ndodhet, si dhe pse e ka pasur këtë emër, çdo të thotë Torvjoll, a përdoret sot etj.
Shumë historianë të vjetër dhe të rinj janë ende në garë për të fiksuar saktë fushën ku u zhvillua kjo betejë me ushtrinë e superfuqisë mesjetare. Referuar dokumentave të pakta dhe të dyshimta të kohës, disa prej tyre kanë gjetur si më të mundëshmen Fushë-Çidhnën në Dibër të Poshtme, ose Fushën e Shubatit, Fushën e Thatë etj etj. Megjithatë nuk jepet asnjë shpjegim për emrin Torvjoll të kësaj fushe, që sot nuk përdoret askund. Po nga këto dokumenta vërejmë edhe një shënim tjetër ku thuhet:
“…Skënderbeu u drejtua për në Dibër të Poshtme, dhe këtu e vendosi ushtrinë në Fushën e Torvjollit, që është e gjerë rreth 3 milje dhe e gjatë 7 milje, e rrethuar prej malesh, brigjesh dhe pyjesh nga të gjitha anët (por sot nuk ekziston një toponim i tillë) dhe përmes saj kalonte lumi Skampanio (Shkumbin)”.
Disa historianë të tjerë e lidhin betejën në fjalë me fushën e Dosmosdovës që gjendet pranë Prrenjasit, por që lumi Shkumbin ndodhet pak kilometra më në perëndim. Nëse ky variant i dytë është i vërtetë, lind pyetja si është quajtur në mesjetë fusha e Domosdovës dhe pse e ka marrë këtë emër të ri të pakuptimtë?
Sipas legjendave dhe gojëdhanave popullore, fusha e sotme e Domosdovës është quajtur më parë Fusha e Tri-Vjollave (vjollë-vendi ku futet kripa për bagëtitë). Sipas këtyre thënjeve, në këtë fushë veronin për kullotë bagëtitë e tre krahinave, Çermenikës, Mokrës dhe Rrajcës dhe secila tufë e bagëtive kishte vjollën e vet për kripën. Ende sot të moshuarit e zonës nga fshati Xibrrakë deri në Qafë-Thanë e përdorin termin VJOLLË për vendin ku i futet kripa bagëtive.
Në shenjë hakmarrje dhe poshtërimi prej disfatës që pësuan në këtë fushë, turqit e emërtuan atë: DOMUZ VE DOMUZ e cila më pas mori trajtën e sotme DOMOSDOVË. (turq. domuz ve dovuz – shq. “derr me derr” – që ka kuptimin ofendues fushë derrash), pasi dihet përbuzja që kanë myslimanët për derrin.
Një gojëdhanë tjetër thotë se termi DOMOSDOVË ka ngelur nga përgjigjet që ushtarët i dhanë Skënderbeut kur ai para betejës i pyeti nëse do të fitojnë. Ata iu pergjigjën: – Do të fitojmë DOMOSDO! Pra me çdo kusht.
Ku i dihet…..?!

Përgatitit: Bukurosh Dylgjeri, Elbasan, janar 2014

Për herë të parë fjalën vjollë dhe kuptim-përdorimin e saj e kam dëgjuar nga një miku im I quajtur Muhamet Shkalla me origjinë nga fshati Xibrrakë që ndodhet në rrugën Elbasan-Librazhd. Ai ishte duke më treguar për kohën kur ka punuar çoban i bagëtive në ish kooperativën e zonës në fjalë. Ndër të tjera, ai tha “…. kam qenë rehat në kooperativë, punoja bari me tufën e deleve. I lëshoja bagëtitë në mëngjes për kullotë dhe aty nga dreka i dërgoja tek vjolla që të hanin krypë. Ndërsa në darkë i ktheja në stan”. Mua më bëri përshtypje kjo fjalë dhe i kërkova të më tregojë më gjatë mbi vjollën, për çfarë shërbente, ku bëhej, me çfarë ndërtohej, ç’formë kishte etj.