Kushdo që ka udhëtuar nga Peqini në Elbasan dhe anasjelltas, duhet t’i ketë rënë në sy një tabelë e sinjalistikës rrugore që shënon fshatin Paulesh. Ndodhet midis Pajovës dhe Paprit dhe fare pranë lumit Shkumbin. Emër i çuditshëm dhe është e habitshme se ky emërtim nuk ka asgjë të përbashkët me gjuhën shqipe. Në të vërtetë shumë toponime tek janë të huaja, kryesisht sllavo-bullgare që thuhet se u vendosën në fillimet e mijëvjeçarit të dytë të erës tonë në kohën e pushtimit bullgar të territoreve arbërore (Jagodinë, Shushicë, Pogradec, Dragostunjë, Çermenikë, Çorovodë etj.etj).
Mirëpo, fjala Paulesh nuk është sllave, as shqip. Secili nga ne që ka sadopak formim gjuhësor e kupton që bëhet fjalë për diçka tjetër. Rrënja e kësaj fjale është PAUL, ndërsa sufiksi është ESH, pra PAUL-ESH. I shtyrë nga kureshtja pyeta disa banorë të fshatit mbi etimologjinë e kësaj fjale, kur ka filluar të përdoret, kush e ka pagëzuar me këtë emër fshatin etj. Përgjigjet e tyre ishin të njëjta dhe gati qesharake. Më thanë se dikur dy burra kishin dalë me çifte për të gjuajtur lepuj. Njëri prej tyre kishte qëlluar një lepur që kaloi aty pari, por saçmet e dala nga gryka e armës nuk e kishin kapur lepurin e shpejtë i cili u zhduk si vetëtimë pas kaçubeve. Gjahtari i mërzitur kish thënë me vete: PAU-duke imitur krismën e armës dhe pastaj: LESH-një fjalë zhargon që ne përdorim rëndom për diçka që nuk bëhet, nuk shkon mirë. Dhe kështu ngeli emri i fshatit.

Në të vërtetë fjala Paulesh duhet të jetë shumë më e vjetër dhe me kuptim tjetër nga shpjegimet banalo-folklorike të njerëzve të thjeshtë. Kjo fjalë mund të ketë lidhje me emërtimet që romakët i bënë stacioneve të shumta të udhës Egnatia. Ata i kishin pagëzuar këto stacione me emra të ndryshëm të perandorëve dhe guvernatorëve të tyre. Kështu, mendohet se pikërisht në fshatin për të cilin po flasim, pra Paulesh, mund të ketë qenë një stacion i kësaj udhe legjendare i quajtur Paul-est, (thuhet në nderim të një konsulli të quajtur Paulus Emilius) që shumë shekuj më vonë mori trajtën Paulesh. Po kështu, edhe fshati LOLAJ që ndodhet më pranë Peqinit, mendohet që të ketë qenë një stacion i radhës së Egnatias i emërtuar prej romakëve si stacioni LOLIAN, (për të nderuar Mark Lolianin i cili mendohet se ka qenë një administrator i kësaj perandorie). Në këtë varg të shkëputur të emërtimeve romake të stacioneve të Egnatias, bën pjesë edhe emri i qytetit të Librazhdit. Në zanafillë ky stacion mund të ketë qenë emërtuar: LIBER-EST, që sot haset i formësuar në trajtën Librazhd (Liberi). Ky stacion në fakt ishte poshtë rrugës Egnatia e cila vijonte në fshatin Spatharë që ndodhet në bregun jugor të lumit Shkumbin dhe mbi këtë qytet.
Të gjitha këto më sipër, si dhe shumë të tjera që do të zbulohen më vonë, janë dëshmi që pasurojnë historinë tonë mbi vazhdimësinë e jetës së popullit shqiptar në këto troje të begata nga çdo pikëpamje. Por, na kujtojnë gjithashtu se pushtuesit e kohëve të shkuara, kësaj toke i kanë vënë edhe emra të huaj. Ndoshta ka ardhur koha që të fillojë riemërimi shqip i të gjitha këtyre fjalëve të pakuptimta për ne.
Sidoqoftë, çështja e emërtimeve të huaja në territoret tona është problem i shkencëtarëve të gjuhësisë historike të cilët duhet të japin përfundime të qarta dhe të pranuara.

Pasthënie: “Për të asgjësuar popujt fillohet duke asgjësuar kujtesën e tyre. Shkartohen librat, kultura dhe historia e tyre. Dhe dikush tjetër shkruan libra të tjerë, i përcjell një kulturë tjetër, shpik për to një tjetër histori. Mbas kësaj, populli fillon dalëngadalë ta harrojë atë që është dhe atë që kishte. Dhe bota përreth tij harron më shpejt se akoma”. Hubel.

Përgatiti: Bukurosh Dylgjeri, Elbasan, Korrik 2014.