Vetëm pak kilometra në jug të Elbasanit ndodhet një fshat i vogël i quejtun Kryezjarrth. Ky fshat bȃn pjesë në grupin prej 19 fshatrash të Shpatit të Ulët dhe sipas gojëdhanave, ky fshat ȃsht shumë i vjetër dhe banohet prej shekujsh. Âsht fshat i bukur kodrinor, me banorë të qetë e shumë puntorë. Ullishtat përreth dhe kopshtijet e sistemueme e të mbjella me perime të ndryshme, të japin ndjesinë sikur ke përballë një pejsazh të gjallë të Van Gogh. Por, të bȃn përshtypje emni i tij, emni Kryezjarrth. Nuk dihet saktë se kur ȃsht quejtun kështu ky fshat, si e ka pasun emnin fillestar, kush e quejti etj.. Por, le të ndalojmë ke emni që ka sot, Kryezjarrth.
Âsht nji nativizim krejt shqip, emën i përbȃmë nga fjalët “krye” dhe “zjarr-th” e që i ka rezistue me kryeneçësi huturbisë së sllavizmave që kanë kaplue shumicën e toponimeve tona.
Në mes të fshatit dhe buzë nji p’rroi që dredhon aty pranë, gjindet nji kodër të cilën vendasit e quejnë Bregu. Kjo kodër, Bregu, ka nji pozicion topografik të favorshëm për zonat përreth dhe që aty shikon lirshëm Bregoren e fshatit Shelcan, dhe Fushën e Kuqe të Gjinarit. Bregu i Kryezjarrthit adhurohej nga të moçmit se ȃsht vend i lidhun me historinë e kryengritjeve antiosmane. Duke qenë fshat afër Elbasanit, fshatarët e tij kishin mundësi me shikue çdo lëvizje të trupave osmane kur dilnin nga qyteti. Tradita gojore e fshatit na bȃn me dije se sa herë që ekspeditat ndëshkimore osmane e lëshonin fortesën e Elbasanit dhe kapërcenin Shkuminin për me shtypun kryengritësit shpatarakë, ke Bregu ndizej nji zjarr shumë i madh. Aq i madh bȃhej zjarri, sa flakët dhe ndriçimi i tij dukeshin edhe ditën prej disa kilometrave larg. Ky zjarr ishte shenjë dhe kod për me komunikue dhe njoftue fshatrat e tjerë për me u mbrojt nga rreziku. Ishte mënyra mȃ e shpejtë për me lajmërue, kur nuk kishte rrugë dhe as mjete të tjera komunikimi.
Pra, në “krye” të herës (në fillim) “zjarri” i parë njoftues ndizej këtu, për të vijue me zjarre të tjerë të ngjashëm në fshatrat e malësisë si, Gjinar, Zavalinë, Polis etj. Lajmi merrte dhenë për pak orë dhe burrat e aftë për luftë zinin prita në grykat dhe honet ku do kalonte ushtria e huej, ndërsa merrnin masat për pleqtë, gratë, fëmijët dhe bagëtinë të cilët i strehonin në pyll. Thuhet se prej kësaj historie ngeli emni i fshatit Kryezjarrth.

Përgatiti: Bukurosh Dylgjeri, Elbasan, janar 2015. (Këtë histori e ka rrëfyer i ndjeri Petër Oga nga ky fshat, i cili ka ndërrue jetë në moshën 96 vjeçare).