Fot Papajani

Elbasani. Qyteti i shtresëzuar me histori, kulturë, traditë dhe bujari. Dhe në këtë shtresëzim janë arkivuar edhe personazhet realë, njerëzit që u dalluan mbi të tjerët. Personalitete që i dhanë Elbasanit sa mundën, fizikisht dhe mendërisht. Natyrshëm ata nuk ishin të vetëm dhe të izoluar në një ambient të shkretë. Përkundrazi, këtu “vlonte i gjithë kazani” dhe për çdo ngjarje kishte një përkrahje mbarëqytetare dhe pjesëmarrje masive.
Por, në këtë shkrim të thjeshtë do ndalemi tek Fot Papajani, fotografi ynë i cili për ne ishte “Marubi” i Elbasanit. Me përjashtim të disa fotografive të bëra nga të huajt, në Elbasan nuk kishte fotograf tjetër. Fot Papajani me aparatin e tij të thjeshtë fotografik na ka lënë një fond të papërsëritshëm vizual të ngjarjeve, personazheve dhe peisazheve të veçanta të këtij qyteti. Ai ishte personalitet mjaft interesant, i cili sot njihet pak ose aspak. Për fat të keq. Njerëzit që e kanë njohur nga afër thonë se Foti ishte një burrë i urtë dhe i heshtur, një fisnik i vërtetë me sharm intelektuali. Në profesion ishte mësues, por ka qenë aktivist që në shpalljen e Pavarsisë dhe doli komit i armatosur në vitin 1912 me çetën e Bushekut, është marrë me publicistikë dhe me përkthime nga frengjishtja i temave shoqërore, të cilat janë botuar tek “Kopështi Letrar” i Lef Nossit që në dhjetëvjeçarët e parë të shek.XX. Por mbi të gjitha, pasioni i tij ishte fotografia amatore. Ndoshta ky art i magjishëm që ndalon kohën, u bë për të pasioni i jetës.
Fot Papajani la pas një trashëgimi të pasur me fotografi të cilat na kallzojnë mbi qytetin tonë para pothuajse 100 vjetësh. Në fotot e tij janë fiksuar shumë personazhe të historisë së Elbasanit e më tej, por edhe njerëz të thjeshtë, aktivitete publike, ndërtesa dhe rrugë, objekte kulti dhe festa familjare e kolektive etj.
Në një farë mënyre, krijimtarinë dhe trashëgiminë fotografike të Fotit e përdorën të tjerë, ose edhe e zhvatën pa turp dhe emrin e tij e lanë n’harrim. Shumë njerëz pasuruan punimet e tyre studimore me fotot e tij, të tjerë zbukuruan stendat e muzeve apo librat e tyre me fotot e këtij burri dhe prapë nuk e përmendën emrin e tij. Kjo është një lloj përdhosje intelektuale e paskrupull dhe e pa justifikueshme, të cilën Foti nuk e meritonte.
Unë besoj që pak njerëz e dinë se shumica e fotove të vjetra nga Elbasani, të cilat i shohim të varura në muret e institucioneve të ndryshme, janë realizuar nga dora e Fot Papajanit. Është fati ynë që ai ishte elbasanas. Foti punoi mësues i gjuhës së bukur shqipe edhe në moshë të thyer dhe kur ishte pothuajse i verbuar, përkrah Aleksandër Xhuvanit. Pas vdekjes ai u nderua me titullin Mësues i Merituar.
Foti Papjani ndërroi jetë në moshën 75 vjeçare dhe u përcoll në amshim me respekt nga qindra e qindra bashkëqytetarë dhe kortezhe me nxënës. Ai u varros në varrezat orthodokse që ndodheshin pranë kishës “Shën Thanasi” në veri-lindje të Elbasanit.

2

Apostol Monçi dhe Fot Papajani

Fot Papajani, portret.

Pamje nga ceremonia e varrimit të Fot Papajanit

Përgatiti: B. Dylgjeri, Elbasan, Shkurt 2015.