Nga  Dr. Shefqet DELIALLISI

E quanin Refik. E thërisnin Fiku. Ishte jo me shume se 15 vjec. I dobët. I zbehtë. I gjatë. Me këmbë të holla. Kishte shumë vllezër dhe motra. Ishte i varfër. Ishte njeri i mirë.

Në ato kohë (vitet 60-të), nuk kishte shërbim mjekësor urgjence. Urgjencat mjekësore në familje zgjidheshin nga mjekët banorë të lagjes. Sigurisht që ngarkesa binte tek më të shquarit. Problem ishte nata. Trokitjet në derën tonë u bënë thuajse të përnatshme ndersa qyteti rritej. Sa herë që trokiste dera babai ngrihej, merrte çantën, hidhte krahëve një pallto që gjithmonë qëndronte pranë derës, dhe ndiqte pas njeriun e shqetësuar që kërkonte ndihmë. Asnjëherë nuk shprehte pakënaqsi. I butë, fjalëmbël : “Mos u mërzit, do ta regullojmë”, këto ishin fjalët e tij. Kur urgjencat ndodhnin ditën, unë shpesh i qepesha pas. Zakonisht më lejonte. Madje rrugës bisedonim si dy shokë. Ai fliste gjëra që unë shpesh s’i kuptoja si duhet. Hera herës më krijohej përshtypja se ai nuk fliste me mua, por me veten e tij. Isha vetëm një femijë… Por le të kthehemi tek Fiku yne.

Ishte e djelë mbasdreke. Trokitje në derë. Ishte fqinji ynë. Banonte në një shtëpi rrethuar me një kopësht me portokalla. Kërkonte babain. Kish Fikun, “pa qejf”. U nisëm. Babai i Fikut ishte një kultivues i përkushtuar i portokallave. Portokallat e tij ishin të famshëm. Bënin fruta të mëdha e të shëndetshme, ndryshe nga portokallat e vegjël karakteristikë të Elbasanit, me lëng, por të thartë. Sapo hymë në rrugicën pranë shtëpisë, ndjemë erën e rëndë të ilaçit me të cilin spërkateshin portokallat. Kocifosi, qe atë kohë ish bërë i famshëm se përdorej jo rrallë për vetëvrasje. Ishte helm i rrezikshëm.

Fiku bashke me te atin kish spërkatur portokallat me koçifoz. Më pas i kishin filluar shqetësimet dhe kur ne hymë në shtëpi, nuk përmendej. Merrte frymë me vështirësi dhe kish një pamje të frikshme. Fiku po fikej. Duhej dërguar sa më shpejt në spital. Koha nuk priste. Në ato kohë gjithçka mungonte. Nuk kish as telefona, as makina. Në krye të rrugicës, pranë shtëpisë së një shoferi qëndronte një kamion “Skoda” me të cilën ai transportonte trungje pemësh nga pylli. Me këtë kamjon u nisën menjëherë drejt spitalit babai me Fikun, nën vështrimin e shqetësuar të banorëve të rrugicës që kishin dalë nëpër dyer. Unë, tashmë jashtë vëmendjes, i hutuar dhe i menduar, mora rrugën drejt shtëpisë time. Përpara më dilte fytyra e Fikut me sy të zgurdulluar dhe shkumë në gojë. Do të vdiste ? Për orë të tëra qëndrova në dritare. Prisja të kthehej babai nga spitali. S’po vinte. Duket punët ishin keq. Do shpëtonte Fiku apo…? Erdhi nata.Ju perpelitesha ne shtrat. Duke bluajtur këto mendime, më kish zënë gjumi.

Sapo u zgjova në mëngjes, me një frymë hyra në dhomën e prindërve. Babai flinte. Ishte herët.Ta zgjoja ? Nguroja. Ndoshta sapo ishte kthyer. Por unë doja të dija për Fikun. Babai më ndjeu, hapi sytë, vuri re shqetësimin tim. Më buzëqeshi. Më foli me zë të ulët : “Fiku shpëtoi. Është ende në spital, por shpëtoi”. I gëzuar e përqafova, dhe u struka në shtrat pranë tij. Mbi flokë ndjeja dorën që më përkëdhelte.

Sa herë që sot shoh Fikun, tashmë të moshuar, ndërmend më vjen kjo ngjarje. Koçifozi, “Skoda”……. Sigurisht dhe babai, që me dashuri i shërbente të gjithëve.

(Në kujtim të Dr. Ali Deliallisit)