1937, Elbasan, Ferdinant Paparisto në çardhakun e shtëpisë së tij, duke i rënë violinës kur ishte nxënës në shkollën Normale.

Është njeri nga personalitetet e mjekësisë shqiptare nga familja e Jorgji Paparisto (kuinxhi, argjendar, një zanat i trashëguar) nga Elbasani, ku edhe lindi më 28 gusht 1919. Familja e kësaj dege Paparisto, Drita dhe Jorgji, përbëhej nga 6 fëmijë, dy vajzat, Persefoni që u martua në familjen Buda me vëllanë e Aleks Budës dhe Violeta, martuar me  Vangjel Ikonomi, që është edhe nëna e Ilir Ikonomit që sot punon në VOA (Zëri i Amerikës), e cila ishte erudite dhe njohëse e shumë gjuhëve të huaja.

Ndërsa ishin edhe 4 djem : Kolë Paparisto (1916-1980), Botanist – shef i katedrës së së Botanikës, mbaroi studimet në Universitetin e Sorbonës në Francë, anëtar i Akademisë së Shkencave, nënkryetar i Kuvendit Popullor të asaj kohe. Sofokli Paparisto, ka qenë muzikant, violinist, pedagog në Konservator, mbaroi studimet në Parma të Italisë. Albert Paparisto, kompozitor, drejtor për shumë vjet i Teatrit të Operas dhe Baletit, që mbaroi studimet në Moskë të Bashkimit Sovjetik të kohës. Fedinandi, kirurg i neurologjisë.

Fedinandi kreu shkollen e Ushtrimore dhe Normalen në Elbasan, të cilën e mbaroi në vitin 1937 me rrezultate shumë të mira. Si lëndë ndihmëse bëri gjuhën frënge dhe violinën njëkohësisht.

Pas një viti vjen në gjimnazin e Tiranës dhe konkuron për një bursë në Itali në rang kombëtar dhe fiton vendin e pestë. Për këtë shkak merr një bursë në Itali për mjekësinë se babai tij nuk mund ta financonte privatësisht.

Fillon studimet në Parma në 1939 ku kryen 2 vite me rrezultate të shkëlqyera dhe në vitin 1941 kthehet në Shqipëri.

Në këtë kohë lidhet me luftën për çlirimin e Shqipërisë. Ne vitin 1947 vazhdon studimet në ish Bashkimin Sovjetik dhe i mbaron ato në vitin 1949.

Pas shkollimit fillon punë në spitalin civil të Tiranës në vitin 1949 në kirurgji pranë Dr. Filip Shirokës deri ne vitin 1955, kur doktor Shiroka ndërron jetë.

Më vonë drejtoi shërbimin e kirurgjisë te klinika 2 deri ne vitin 1976. Ai ishte shefi i katedrës së kirurgjisë deri në vitin 1989 kohë kur edhe doli në pension.

Ne vitin 1963-1964 ka bërë një specializim në Paris për neurokirurgji. Deri ne vitin 1969 ishte shef i shërbimit të kirugjisë së përgjithme në klinikën l2 dhe neurokirurgji.

Ndërroi jetë më 9 janar 2000. Në nder të tij klinika e urologjisë në QSUT mban emrin “Ferdinand Paparisto”.