Fatos Shmili lindi në Elbasan, në vitin 1936, në një familje intelektuale. 

Në vitin 1955 përfundon shkollën Normale dhe më pas emërohet mësues fillimisht në fshatrat e Mallakastrës, më pas punon në Rrajcë të Librazhdit, në Shalës dhe në fund në Shtërmen.

Zotëronte në nivele të larta gjuhën ruse dhe atë frënge, e për këtë arsye u angazhua edhe si përkthyes. Vepra e parë që përktheu ishte “Dashuria e parë” e Turgenievit. Në leximimin e parë të kësaj vepre u vu re përkthimi brilant i tij.

Ishte i pari që përktheu në shqip volumin e parë të veprës “Doktor Zhivago”, e cila doli në botim në vitin 1994. Ndër të tjera ka përkthyer e përshtatur në shqip vepra si: “Zhelani i vogël” novelë për fëmijë nga James Greenwood, “Violinë shumëtelëshe” nga Niçe, “Ulkonja” nga Giovanni Verga etj. Fatos Shmili do të mbahet mend si njeriu që me talentin e tij shënjestroi edhe diktaturën, me shkrime si: “Shpirt kokatari mbytur në tragjizëm”, “Ditari i një mësuesi” etj.

Shkroi për vite të tëra në Revistën “Kunji”, por kontributi i tij mbeti i pashpërblyer deri në fund të jetës.

Kanë kaluar tanimë 20 vite nga ndarja nga jeta e Fatos Shmilit dhe sapo përmendet libri apo filmi “Doktor Zhivago” mendja na shkon menjëherë tek emri i tij.