Në Elbasan ka pasur një traditë të vyer për bamirësi. Kështu, janë të përmendura veprat e bamirësisë, siç janë ato të dhurimit të pasurisë për biblioteka (Baholli, Çoçoli), apo të faljes së banesave të tyre për objekte social-kulturore (Rrapush Demeti, Leksi i Vinit), si dhe financimit të shkollimit për fëmijët e varfër (Aqif Pasha, Beqir Plangarica) etj.

Mirëpo, tema e sotme është krejt e veçantë, pasi bëhet fjalë familje elbasanase që u shquan për zemërgjërësi dhe bujari e një lloji që jo shumë e dinë, është një altruizëm i shkëlqyer e çuditërisht asnjëherë i përmendur, një solidaritet madhështor njerëzor që sot të mahnit dhe që mjerisht është zhdukur. Janë familje që rritën fëmijë jetimë megjithëse nuk kishin fare lidhje gjaku. Askund e parë dhe e dëgjuar kjo në vende të tjera!

Sa herë që një fëmijë ngelte jetim prej fatit të helmatisur dhe të afërmit nuk ishin në kamje, shumë familje qytetare elbasanase si Domi, Dakli, Ibërshimi, Bishqemi, Harja etj. etj. nuk i lanë ata fëmijë që të bëheshin pre e pezmit dhe fatit të lig. I morët ata, i futën përbrenda shtëpive të tyre dhe i ushqyen, i veshën, i trajtuan dhe i arsimuan njëjtë me fëmijët e shtëpisë.  Asnjë dallim, asnjë përçmim, asnjë paragjykim me inferioritet apo e “fëmijës tjetër”, asnjë qortim të diferencuar. Përkundrazi, këto familje hoqën nga qafa e jetimit mallkimin e fatit dhe i renditën ata te fëmijët e lumtur. Jetimi ishte shndërruar në bir të shtëpisë bamirëse deri sa të martohej. Në disa raste, këtyre jetimëve iu dha pjesë nga prona e familjes bamirëse.

Këto familje fisnike dhuruan shumë, por që kurrën e kurrës nuk e përmendën këtë akt sublim, sepse tradita jonë kështu e kishte dhe që në mënyrë figurative shprehej me këtë simbolikë të bukur: hesht, as dora e majtë mos e shohë të djathtën kur dhuron!