Familja Kovaçi është jo rastësisht një nga familjet më të njohura të Elbasanit. Ajo evidentohet në memorien e qytetit  për meritë dhe kontribut të veçantë në fushën e sportit. Kjo familje me 4 anëtarë iu dedikua e tëra veprimtarive sportive, duke shkëlqyer në disiplina të tilla si në futboll, basketboll, ping – pong, atletikë dhe tenis. Nuk është aspak i panjohur në Elbasan “Mjeshtri i Sportit” futbollisti i mirënjohur elbasanas Fadil Kovaçi. Këtë titull e mbajnë edhe dy anëtarët e tjerë të familjes, gruaja e Fadilit – Shefikat Kovaçi dhe e bija Greta Kovaçi.

Fadil Kovaçi

Fadil Kovaçi

Fadil Kovaçi  i datëlindjes 24.10.1932 e filloi karrierën e tij si sportist në vitin 1950, kur u aktivizua si lojtar në skuadrën e parë të Elbasanit. Në vitin 1954 largohet nga Shqipëria në Poloni për të ndjekur një kurs dy vjeçar atje, ku iu ofrua edhe një mundësi për të luajtur me skuadrën e Keovazhit. Regjimi i asaj kohe nuk i la hapsirë për diçka të tillë dhe ai u kthye sërish në Shqipëri, ku pasi kreu shërbimin ushtarak u bë pjesë e skuadrës së Partizanit, me trajner Loro Boriçin. U bë pjesë e ekipit kombëtar në vitin 1961-1962 dhe një vit më pas ai kreu kursin e parë ne Republikë për trajner futbolli.

Gjatë viteve 1964-1967 punoi si trajner në Peqin. Kjo periudhë ishte një sukses i madh për të sepse e kaloi ekipin në kategorinë e parë. Në 1968ën përfundoi Institutin e lartë të Fizkulturës “Vojo Kushi” në Tiranë. Po në këtë vit ai arriti një sukses të madh me skuadrën e Elbasanit, e cila zuri vendin e parë në Kupën e Republikës. Për disa vite ka shërbyer edhe si anëtar i Komisionit të Apelit dhe si Komisar ndeshjesh  në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Gjatë 16 viteve të karrierës së tij si futbollist nuk ka marrë asnjëherë karton të verdhë.

Për kontributin dhe profesionalizmin që e ka karakterizuar gjatë gjithë karrierës së tij Fadil Kovaçi u emërua me titullin e lartë “Mjeshtër Sporti” në vitin 1994. Në vitin 1998 Bashkia Elbasan e ka nderuar me certifikatën “Nderi i qytetit”, e cila iu dhurua edhe njëherë  në vitin 2003.

Pas vdekjes, në vitin 2009 edhe Federata Shqiptare e Futbollit e ka nderuar  me “Pllakatë” për kontributin dhe talentin e shfaqur në Futboll.

Jo vetëm Fadili e ndoqi rrugën e sportit, por edhe bashkëshortja e tij, Shefikat Kovaçi. Edhe ajo mban titullin “Mjeshtre Sporti”. Kapitenia dhe tranierja për disa vite rradhazi e skuadrës së Basketbollit për femra, është shembulli i një femre elbasanase që bashkë me arritjet në sport përfaqësonte edhe femrën e emancipuar, e cila mundohej të dilte mbi fanatizmin e kohës.

Shefikat Kovaçi, e para nga e majta

Shefikat Kovaçi, e para nga e majta

Shefikati ka lindur në vitin 1932. Që në moshën 16 vjeçare ka filluar të merret me basketboll. Në vite të ndryshme ka qenë pjesë e Klubit sportiv “Bashkimi” dhe shoqërive “Puna”, “Spartak” e “Dinamo”. Nga viti 1958 deri në 1964 ishte trajnere e të rejave të skuadrës së basketbollit të Elbasanit. Ajo ka stërvitur të reja që më pas do të bënin emër në basketboll si: M.Burburija, A. Stafa, F.Mullisi etj. Shefikati punoi edhe si inspektore në Komitetin e Kulturës Fizike të Sporteve të Elbasanit, por kulmin e karrierës e arriti atëherë kur skuadra e basketbollit e  femrave të Elbasanit doli nënkampione e Shqipërisë. Në këtë kohë ajo ishte kapitene e skuadrës.

Në vitin 1995 Shefikat Kovaçi u nderua me titullin e lartë “Mjeshtre Sporti”, duke kurorëzuar kështu të gjithë përpjekjet dhe kontributin që dha për Sportin e Basketbollit.

Pasioni, përkushtimi dhe talenti i dy prindërve si Fadili dhe Shefikati u trashëgua edhe tek dy fëmijët e tyre, të dy të shkëlqyen në sport njëlloj si prindërit e tyre. Greta u mor me ping – pong, kurse Artini ndoqi rrugën e të atit dhe u bë futbollist. Nga të dy fëmijët vetëm Greta ka marrë titullin “Mjeshtre Sporti”.

Greta Kovaçi

Greta Kovaçi

Greta lindi në Elbasan në vitin 1964. Që në moshën 13 vjeçare është anagazhuar për të luajtur në sportin e Ping – Pong, sport të cilit do t’i qëndronte besnike gjatë gjithë jetës. Greta Kovaçi është një emër domethënës në botën e sportit me shumë arritje profesionale. Greta  është shpallur 5 herë nënkampione e Shqipërisë në këtë sport, dy herë është shpallur fituese e vendit të tretë. Ka fituar 4 herë anketën :10 sportistë më të mirë të qytetit të Elbasanit në vitet 1980, 1981, 1982, 1984. Ajo ka marrë pjesë në Spartakiadat e zhvilluara në rang kombëtar, po ashtu edhe në Universiadën për shkollat e larta në vitin 1986, ku ka zënë edhe vend nderi.  Greta, ashtu si prindërit e saj është nderuar me titullin e lartë “Mjeshtre Sporti” në vitin 1995.

Edhe si trajnere e femrave të SK Elbasan, në sportin e Ping- Pong, Greta ka njohur rezultate të larta. Në harkun kohor të 13 viteve (2002 – 2015) ekipi i ping-pong për femra ka fituar vetëm çmime nderi në kampionate kombëtare, në kupa të ndryshme dhe takime të tjera.

Artin Kovaçi

Artin Kovaçi

Artin Kovaçi është pjestari i katërt i kësaj familjeje me suksese e arritje të shumta sportive. Ai lindi në vitin 1962 në Elbasan. Që në moshë të vogël është marrë me Futboll, duke ecur në hapat e të atit. Ndoqi fillimisht shkollën 8-vjeçare të mjeshtërisë së futbollit, për të vazhduar edhe gjimnazin në po të njëjtin drejtim duke studiuar në shkollën e mesme të mjeshtërisë sportive në Durrës. Nga viti 1982 deri në 1985 mbaroi studimet e larta në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë, në degën mësuesi e trajner.

Artini ka luajtur fillimisht në Ekipin e parë të Elbasanit dhe në ekipin e shkollës “Shkëndija”. Nga viti 1985 deri në 1990 ka punuar si mësues në shkollën e mjeshtërisë sportive, në përgatitjen e të rinjve.  Në vitin 1991 ka mbaruar edhe studimet pasuniversitare. Ka qenë pjesë e trajnimeve të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Gjatë karrierës së tij sportive ai ka qenë zv.trajner i KF Elbasan dhe trajner i ekipit të parë të Peqinit. Në vitin 2003 është licensuar si trajner nga UEFA. Për një periudhë kohe ka qenë edhe sekretar i SK Elbasan dhe i FSHF – së.

Kjo ishte familja Kovaçi, një familje për të cilën ka shumë e më shumë për të thënë.  Ajo do të jetë gjithmonë krenari e qytetit, si një familje sportistësh, si një familje suksesi.