Fadil Gurmani, veprimtar i shquar i arsimit, hartues tekstesh, “Mësues i Popullit”, Elbasan, Arkivi Digjital Elbasan

Fadil Gurmani, veprimtar i shquar i arsimit, hartues tekstesh, “Mësues i Popullit”

Lindi në Elbasan më 1905 në një familje qytetare.
I ati i tij, Ismaili, ishte shajakpunues i cili u vra në luftën e Shkodrës duke lënë jetim fëmijët e tij, Eminin, Fadilin dhe Hedijen. Për këtë familje u kujdes veçanërisht Aqif Pashë Biçakçiu.
Arsimin fillor e kreu në shkollën Plotore që më vonë mori emrin “Naim Frashëri” në Elbasan.
Si jetim që mbeti, patrioti Aqif Pashë Biçakçiu i krijoi mudësi financiare për tu shkolluar jashtë shtetit, në Austri dhe në Gjermani. Sipas të thënave të fëmijëve të Fadilit, familja e prodhimit Benz, duke parë aftësitë e zhvillimit të tij intelektual, donte ta mbante për të punuar në kompaninë e tyre. Por Fadil Gurmani preferoi të kthehej në atdhe, duke u specializuar në fushën e mësuesisë. Ndër pedagogët e tij ka qenë edhe psikologu Adler.
Gjatë pushimeve verore të vitit 1920 kur ndodhej në Elbasan u përfshi si instrumentist në orkstrën frymore “Afërdita”. Pas kthimit në Shqipëri, emërohet mësues në shkollën Ushtrimore pranë shkollës Normale. Në Normale jepte metodikën e bukurshkrimit dhe metodikat e tjera.
Në tetor 1935 u emërua Kryemësues në Ushtrimore dhe në vitin 1936 inspektor i arsimit në Prefekturën e Elbasanit.
Në maj 1939, pasi kishte kundërshtuar pushtimin italian, u pushua nga puna dhe u internua në Itali.
Më 1942, lirohet nga internimi dhe emërohet inspektor në prefekturën e Durrësit. Më 1943 qe pedagog në Institutin Femëror ”Nana Mbretëreshë” dhe më 1944 drejtor i Arismit të Mesëm në Ministrinë e Arsimit.
Pas Luftës II Botërore u vendos mësues në Elbasan, por u arrestua më 1947dhe më 9 mars 1948 u pushkatua me akuzën “Krime kundër shtetit”. (?!)
Fadil Gurmani ka dhënë ndihmesë të veçantë në shkollën shqiptare për propogandimin dhe zbatimin e parimeve pedagogjike të shkollës aktive. Në shtyupin pedagogjik të viteve 1929 – 30 botoi artikuj me përvojë dhe kritikë për punën e mësuesit të klasës së parë. Botoi për msuesit e klasës së parë “Mësime shembullore”, “Mësime sendesh”, modele për metodën “shtjelluese kallëzuese”, mënyrat e përdorimit të kallëzimeve e prrallave, lëndë praktike të klasës së parë. Vend të veçantë zë studimi “Metodika e veçantë e klasës I-rë” më 1929.