Në traditën e mendimit intelektual, shkencor, kulturor e letrar shqiptar personalitetet shkencore e kulturore që lindën dhe u kultivuan në mjedisin intelektual të Elbasanit, zënë një vend të rëndësishëm. Këto personalitete morën shtysat e para në këtë mjedis dhe, më tej, bartën dhe përçuan përmes veprave të tyre shumë karakteristika të tij, duke krijuar tashmë një traditë të shkëlqyer. Është pikërisht kjo traditë që u formua në mënyrë të shkallëshkallshme, e cila mundësoi që në panteonin e kulturës shqiptare, të vendosen në mënyrë dinjitoze disa emra intelektualësh, studiuesish e shkrimtarësh elbasanas. Në këtë panteon ato vendosen dinjitozë, sepse ato hapën rrugë të reja në zhvillimin e kulturës e shkencës. Njëri prej tyre është Ethem Haxhiademi, shkrimtar i disa planeve, lirike e dramatike, një ndër themeluesit e dramatikës shqiptare, krijuesi i tragjedisë shqiptare. Përmasat dhe rëndësia e kontributit të tij i kalon kufijtë lokalë, duke qenë një ndër përfaqësuesit më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare të traditës në rang kombëtar.

Ethem Haxhiademi u lind në Elbasan më 8 mars 1902, në një familje me tradita patriotike dhe kulturëdashëse. Kaloi një jetë të mbushur me shqetësim intelektual dhe krijues, me pozicione sociale dhe politike të udhëhequra nga parimet e nacionalizmit dhe humanizmit. Është krijues i tragjedisë shqiptare, duke vënë gurë themeltarë në dramatikën shqiptare dhe i mbylli tetëmbëdhjetë vitet e fundit të jetës së tij në mënyrë tragjike, në ferrin e burgjeve të diktaturës, ku edhe vdiq më 1965. Mori formim të gjithanshëm dhe kaloi në rrugë të pashkelur në artin tonë dramatik.

Pas mbarimit të shkollës qytetëse të Elbasanit, mbaron studimet e mesme në Leçe të Italisë e Insbruk të Austrisë (1919-1923) dhe studimet e larta në Berlin e Vjenë (1924-1928), duke u diplomuar në shkencat politiko – juridike. Pasi kthehet në atdhe kalon nëpër një karrierë administrative me zigzake, por në një rrugë të suksesshme letrare e krijuese.

I papajtueshëm me kompromiset e paprincipta administrative, ai i qëndron besnik bindjeve të tij, duke mos toleruar dhe duke qenë i vendosur të përballojë pasojat.

Ndërkohë ai krijon korpusin e tij letrar, duke synuar vlerat artistike dhe ngritjen në art të virtytit njerëzor, dhe jo duke i shërbyer politikave të kohës apo të ditës. Ky qëndrim i shkaktoi zigzaket në jetën administrative në vitet 30-40 dhe më tej burgosjen në vitin 1946, bashkë me shumë intelektualë të tjerë, që në mënyra të ndryshme s’u pajtuan me regjimin komunist. Për Haxhiademin orientimi politik duhej të përcaktohej nga zgjidhja e çështjes kombëtare dhe e qëndrimit humanist në marrëdhëniet mes njerëzve dhe qeverisjes së tyre.

Ka filluar të shkruajë e të botojë qysh në moshë të njomë në revistat dhe gazetat e kohës. Boton në to shkrime të ndryshme të natyrës historike, kulturore, enciklopedike dhe letrare. Krijimet më të hershme i botoi në revistën “Kopshti Letrar”. Në këto shkrime të hershme dalin në pah disa nga treguesit e interesave dhe prirjeve të Haxhiademit, të cilat do të kultivoheshin më tej dhe do të merrnin status të vërtetë artistik në tragjeditë e tij dhe krijimet poetike.

Spikat interesi i tij për historinë e antikitetit dhe personalitetet e asaj periudhe, aftësitë e tij për të ngritur në art dukuritë reale të cilat ai i përjetonte me ankth apo gëzim, me dhimbje apo dashuri.

Më 1922 përkthen dhe boton “Bukoliket” e Virgjilit. Më 1924 shkruan në Berlin tragjedinë “Ulisi”, më 1926 shkruan në Vjenë tragjedinë “Akili” dhe më 1928 shkruan në Lushnjë tragjedinë “Aleksandri”.

Të tria tragjeditë i boton në Tiranë, më 1931. Më vonë shkruan dhe boton tragjedinë “Pirrua”, 1934, “Skënderbeu”, 1935, “Diomedi”, 1936 dhe “Abeli”, 1938.

Më 1937 përgatiti për botim vëllimin poetik “Lyra” të cilin e boton më 1939. Në vitet e burgut shkruan romanin “Jeta e njeriut” dhe dramën “Koha e premtueme”, vepra ende të panjohura.

Vepra e Haxhiademit me kufij të gjerë kohorë dhe hapësinorë evokon të kaluarën e hershme e të vonë, si një këndvështrim i të vërtetave të gjithëkohshme.

Gjeografia artistike e tragjedive të Haxhiademit rrok hapësira të gjera, duke u shtrirë në kufij ndërballkanikë. Sipas natyrës së tragjedisë klasike, subjektet e antikitetit, lashtësisë apo mesjetës, bile edhe ato të prehistorisë biblike, vihen në funksion të një problematike e cila gjen rezonim me dukuritë, idetë dhe problematikat që karakterizojnë realitetin e kohës.

Përmes tragjedive të tij, Haxhiademi synoi të krijojë realitete artistike të cilat do të ishin të përvetësueshme estetikisht prej lexuesit dhe, përmes këtij përvetësimi estetik, ato do të bëheshin me dinjitoze në marrëdhëniet me njëri-tjetrin, me kombin, me shtetin, me traditat e tyre, me moralin që trashëgojnë dhe kultivojnë për të ardhmen.

Këto synime ai i arriti përmes nivelit cilësor të krijimtarisë së tij, si asnjë tjetër në dramatikën shqiptare. Ndaj në tragjeditë e tij mesazhet janë komplekse. Ato vijnë qoftë nga oborret mbretërore të antikitetit, nga sofra e hyjnive apo gjysmëhyjnive, nga mesjeta apo shekulli i 15-të, nga mbretërit ilirë apo shqiptarë, nga mitologjia greke apo ajo biblike.

Le të kujtojmë këtu vetëm titujt e tragjedive: Ulisi, Akili, Aleksandri, Pirroja, Skënderbeu, Diomedi, Abeli. Mesazhet lindin dhe nisin të përçohen nga përplasjet e personazheve jo të zakonshme, me status të lartë shoqëror apo politik, por të përpunuara artistikisht përmes veprimit dramatik në tragjedi; ata janë të kapshme, të pranueshme dhe të dëshiruara nga publiku apo lexuesi i thjeshtë. Analiza e këtij korpusi letrar të fushës së dramatikës dhe e vlerave të tij në visarin e vyer të kulturës shqiptare tashmë po bëhet objekt studimi dhe hulumtimi nga ana e studiuesve tanë, duke e vënë në vendin e merituar këtë klasik të letrave shqiptare.

Regjistrin e lartë të organizimit të mesazhit në tragjedi (të kushtëzuar nga vetë lloji letrar), Haxhiademi do ta bëjë akoma më të kuptueshëm dhe më të pranueshëm përmes krijimtarisë së tij poetike, që, si dhe tragjeditë e tij, shfaqen me pamje tepër interesante.

Në vëllimin “Lyra” ai përmbledh këto krijime: “Galatès”, shkruar më 1927, “Nymfat e Shkumbinit”, 1934, “Nata e zezë”, 1934, “Naim Frashërit”, 1934, “Prej së largu”, 1934, “Asaj”, 1934, “Andrra e Jetës”, 1935, “Koha e kalueme”, 1935, “Kanga shekullore (1912-1937), 1937, “Lufta e dragojve me kuçedrën”, 1937.

Realiteti artistik në poezinë e Haxhiademit dimensionohet në dy plane kryesore: njeriu me dashurinë dhe (sidomos) dhembjen e tij. Në këtë aspekt, që kap pjesën më të madhe të territorit dhe hapësirës së realitetit të tij artistik, gjallojnë ndjesia për vajzën, gruan, nënën, vëllain, babain, mikun, poetin, patriotin, atdheun, bukurinë, shëmtinë, tmerrin, frikën, dhembjen, fatkeqësinë, mëshirën, errësirën, dritën, gazin, shpresën, ëmbëlsinë, hidhërimin. Lidhur ngushtë me këtë univers njerëzor, në dritëhijet e të cilit përplasen fate dhe jetë njerëzish, si një ngushëllim ose pamje më e qartë, krijohet një univers i dytë me qenie dhe jetë konvencionalisht jotokësore, por, në kufijtë e këtij realiteti artistik, tepër real dhe veprues: universi i nimfave, shtojzavalleve dhe qenieve të tjera mitologjike.

Si për kontrast të fortë e të plotë, edhe ky univers i dytë merr dritëhijet e të parit. Duke abstraguar poetikisht, këto dy universe sikur shkrihen, i humbin kufijtë, ngërthehen në gëzimet, shpresat e tragjeditë reciproke. Në këtë mjedis artistik të krijuar nga autori përqasja klasike e mira-e keqja, drita-errësira, gëzimi-dëshpërimi, jeta-vdekja, vjen me një ngjyrë tepër shqiptare, e kapshme dhe artistikisht e realizuar. Nga Galatèa, nëna, Sofia, Naimi, babai, nimfa, Parceja, Atropia, Kuçedra etj, si personazhe, nga konceptet qendrore jeta, vdekja, trupi, shpirti, natyra, njeriu, atdheu, patriotizmi, dashuria, hidhërimi, është endur një tekst poetik që bëhet shprehës jo vetëm i një mendësie të përgjithshme, por sidomos i një mendësie shqiptare, popullore, lokale.

Tashmë veprën e Haxhiademit lexuesi mund ta bëjë pronë të tij, kjo vepër do të rezonojë me të.      … vijon

Tomorr Plangarica

 

Shkruar nga : Tomorr PLANGARICA

(Botuar për herë të parë në gazetën ELBASANI, Dhjetor 1995)