(Termi esnaf është shumësi i fjalës arabe synyf-un që do të thotë rend, klasë, rregull).

Për të kuptuar sa më mirë shkallën e lartë të civilizimit dhe organizimit gjatë mesjetës në qytetet kryesore të Shqipërisë në përgjithësi e sidomos të qytetit të Elbasanit, është e rëndësishme të njihen edhe marrëdhënjet e prodhimit, llojet e mallrave që prodhoheshin, shitja e tyre, rregullat e vendosura etj. Në këtë kuadër një vend të rëndësishëm zinin edhe bashkimet mbi baza profesioni të zejtarëve vendas, ose e thënë ndryshe: Esnafët. Organizimi esnofor i artizanëve të qyteteve, ishte dukuri e natyrës së shoqërisë osmane. Po kështu, në Europën mesjetare ky organizim artizanal kishte nisur që nga vitet 1200.

Por, ç’ishin esnafët, ç’përfaqsonin, kur kanë ekzistuar dhe si ishin organizuar…

Duke u përpjekur që të mos t’i hiperbolizojmë, mund të thuhet se Esnafët ishin një strukturë tepër e organizuar dhe e fuqishme e grupimeve më tepër se sindikaliste të zejtarëve qytetarë gjatë mesjetës.

Nga studimi i dokumentave arkivore, vihet re se pothuajse njëqind vjet pas themelimit të qytetit të Elbasanit nga pushtuesit osmanë, vihet re një zhvillim i vrullshëm i tregtisë dhe i zejtarisë në këtë qytet. Kjo bëhet e mundur  nga pozita e favorshme e qytetit të Elbasanit si nyje lidhëse ndërmjet të gjitha trevave shqiptare e veçanërisht të funksionimit të transportit përgjatë rrugës tokësore Egnatia që zinte fill në portin e Durrësit dhe përshkonte gati të gjithë Ballkanin Jugperëndimor. Këtyre favoreve u shtohet edhe qetësia e siguria që garantohej nga garnizoni ushtarak osman i fortesës së re, Kalasë së Elbasanit, që u rindërtua në vitin 1466 (viti 870 sipas Hixhretit) nga Sulltan Mehmeti -II-Fatih-u.

Sipas të dhënave të kohës, Elbasani më pas do të numëronte mbi 900 dyqane dhe punishte.  Por,  zhvillimi i tregtisë dhe i zejtarisë do të shoqërohet edhe me format më të përsosura të  organizimit (korporativ) të esnafëve. Gjurmët më të herëshme të organizimit esnafor të fazës embrionale, i takojnë gjysmës së dytë të shek. XVI. Për herë të parë në vendin tonë në vitin 1580 në qytetin e Elbasanit hasen esnafët (tajfat) e tabakëve (lëkurëregjësve), terzinjve, çullhave (leshpunuesve), takijexhinjve, fespunuesve, shpataxhinjve, gëzoftarëve etj. I tillë ishte në vitin 1580 edhe Esnafi i Tregtarëve të Elbasanit (ehli zymreh) i kryesuar nga disa pleq, që kishin krijuar “prej shumë kohësh rregullat”  (besëlidhjet, marrëveshjet) e tyre. Veçanërisht një rëndësi të jashtzakonëshme mori Esnafi i Tabakëve. Kjo del edhe nga Statuti (Sexhere) i këtij esnafi i hartuar nga Sheh Seid Mustafa Sulejmani më 14 Maj 1657 (muaji Shaban 1067). Statuti i Tabakëve të Elbasanit (i gjetur nga Abedin Çaushi) u bë shembull i të gjithë esnafëve të Perandorisë Osmane në Ballkan.

Organizimi i esnafëve ishte i tillë: detyrimisht anëtarët ishin mjeshtra të së njëjtës zeje dhe të të njëjtit besim fetar. (Esnafët e zejtarëve kristianë dhe më pas edhe çifutët, duhej të kishin pa tjetër kreun mysliman). Udhëheqja e esnafit i besohej një këshilli pleqsh ose Llonxha (rrjedh nga fjala italiane loggia dhe ka kuptim mbledhje, kuvend) me 3-6 anëtarë që ishin zgjedhur nga elita e tyre, në krye të të cilëve qëndronte, Shejhu ose Ustai i cili ishte udhëzues shpirtëror dhe moral i organizatës. Shejhu mund të quhej edhe Mjeshtri i Madh që i përkiste njërit prej urdhërave fetarë, të ashtuquajtur fraksione heretike të fesë islame, si Bektashi, Mavlevi, Halveti, Rufai etj. dhe veçanërisht të një sekti dervishësh të quajtur Ahi-kadiri, sekte këto me origjinë nga Anadolli Lindor e përtej. Ndërsa, antarët e këshillit të lartë zgjidheshin nga Shejhlerët, nën mbikqyrjen e Kadiut të qytetit.

Autoriteti i përditshëm i esnafit ushtrohej nga zëvendësi i Shejhut i titulluar kethüda ose qahjai. Zgjedhja e kreut bëhej me vota, si dhe vend nderi në strukturën e një esnafi zinte edhe bajraktari (flamurmbajtësi).

Në Elbasan, si me një forcë magjike, një shenjë e thjeshtë – rrahja e shkopit të qahjait të Tabakëve tri herë në kalldrëm të Bezistenit, (sheshi në mes të pazarit) – shkaktonte mbylljen e dyqaneve brenda disa minutave dhe gatishmërinë luftarake e të gjithë zejtarëve të qytetit”.

Qahjai përfaqsonte antarët e një esnafi përpara qeverisë, u kumtonte atyre urdhëresat (kanun-name) e sulltanit, ankohej pranë kadiut për shkelje të rregullave nga nëpunësit, mbyllte konfliktet e shpeshta me tregtarët që merreshin me lëvrimin e parasë (sarrafët) etj.

Në strukturën drejtuese të esnafit ose në Këshillin e Lartë përfshiheshin edhe: jigit bashi që ishte përgjegjës për zbatimin dhe përmirësimin e rregullores, gjobave etj, ishçi bashi i cili kontrollonte nivelin dhe cilësinë e punëve, dy ehli-hibratë (njerëzit me përvojë) detyra e të cilëve ishte zgjedhja dhe trajnimi i antarëve të rinj para pranimit. Për problemet që lindnin brenda esnafit, akuzat apo keqtrajtimet, këshilltarët bisedonin me Shejhun dhe qahjain si dhe përdornin ehli-hibratët si përfaqsues dhe hetues.

Që një zejtar-mjeshtër të bëhej anëtar i esnafit, duhej që të vendoste Këshilli i Lartë (Llonxha) me miratimin e Shejhut, pas një eksperience të gjatë pune me cilësi dhe ndershmëri fillimisht çirak (12-16 vjeç), më pas si kallf (17-20 vjeç) e më në fund si mjeshtër. E drejta për të hapur dyqan një mjeshtër i ri njihej si gedik (liçencë). Në të shumtën e rasteve mjeshtrat e rinj të një esnafi vinin nga radhët e fëmijëve të  zejtarëve të atij esnafi. Në këtë rast vihet re një fanatizëm absolut në ruajtjen e sekretit të profesionit, si dhe rituali i pranimit të një antari të ri në Esnaf ishte rigorozisht sekret dhe ceremonia përmbante elementë mistikë dhe të magjisë. Shpesh ajo përmbante edhe elementë arkaikë. Antari i ri betohej solemnisht për ruajtjen e sekretit dhe në të kundërtën ai i nënshtrohej ndëshkimeve të ndryshme fizike dhe monetare. Siç shihet mosha e pranimit në Esnaf ishte mbi 20 vjeç, ndërsa përjashtim bënin fëmijët e antarëve të Esnafit të cilët pranoheshin edhe më të vegjël.

Në shek.XVII në Elbasan kishte 30 esnafe, përfaqësuese të 60 lloje zejesh të ndryshme. Kronikani turk Evlija Çelebiu që ka vizituar Vilajetet shqiptare në vitet 1660-1670 dhe ka lënë shënime të vlefshme historike, duke folur për zejtarët e Elbasanit, shkruan:

…në këtë qytet punohej çdo mjeshtëri, por qëndistarët dhe armëtarët punojnë mjeshtëri shumë të hollë dhe me elegancë…”.

Dhe më tej ky autor vijon përsëri:

…përgatitja e mirë profesionale dhe puna plot shije e mjeshtërve, duket edhe në prodhimin e artikujve ushqimorë ku dalloheshin sidomos furrxhinjtë dhe gjellëbërësit (akçinjtë) e Elbasanit” …e duke folur për shijen e bukëve të Elbasanit, ai thotë se:

…çyreku i  bardhë, franxholla e ëmbël dhe simitja me qiqër…janë të përmendura”.

Në kuadër të organizimit esnafor edhe banorët me ngjyrë, jevgjit, kishin esnafët e tyre si hekurpunues, sazexhinj etj.

Në këtë kohë në Elbasan siç përmendet më lart, vendin e parë e zinte esnafi i tabakëve dhe pas tyre vinte esnafi i argjendarëve. Kështu, vetëm me përpunimin e arit e argjendit, në Elbasan ishin 100 familje që merreshin me këtë zeje. Objektet e zbukurimit, si unazat, varëset, gjerdanët e sidomos armët e zjarrit të montuara prej tyre e të zbukuruara me argjend ishin bërë të famshme në të gjithë Perandorinë Osmane.

Me anën e dispozitave (kanun-name) të Statutit, rregulloheshin marrëdhëniet e shkëmbimit të prodhimeve të ndryshme, përcaktoheshin taksat, çmimet, peshat, masat, udhëzoheshin tregëtia e jashtme, doganat, shitja e skllevërve, organizoheshin panaire lokale me mallrat e tyre, festa kolektive në vende piktoreske të quajtura ndryshe teferriçe, si në Byshek, Manastiri i Shijonit, Kroi i Kalit etj. Çdo esnaf kishte dokumentacionin e vet (kodikët), vulën, flamurin, trupa paramilitare të përbëra nga djem të fuqishëm të pa martuar etj. Në shumë raste trupat paraushtarake të esnafëve (të njohur me emrin: beqarët) kanë marrë pjesë përkrah ushtrisë osmane gjatë ekspeditave pushtuese apo shtypjen e rebelimeve.

Esnafët vendosnin unanimisht çmime fikse dhe pesha e dimensione të standartizuara për mallrat e tyre në çdo vend ku tregtonin, caktonin me marrëveshje zonat e tregtisë dhe vendet e punës e të shitjes. Kudo mbizotëronte ndershmëria. Termi i përdorur gjer në Selanik e Stamboll “Elbasan Pazar” nënkuptonte çmim të pandryshuar. Në rrafshin social ata kishin nën administrim objekte banimi ku strehoheshin njerëz të varfër, të sëmurë, udhëtarë, të braktisur, vizitorë, turistë të huaj etj. të cilët ishin të mbrojtur si dhe ushqeheshin e trajtoheshin pa pagesë, esnafët jepnin para hua me interes të ulët për antarët e varfër dhe fitimin e investonin për vepra bamirësie për antarët dhe jo-antarët që ishin në vështirësi. (Më të moshuarit na kanë treguar se kur një antar i ri i esnafit niste punën i pavarur me dyqan më vete, ai përkrahej fuqimisht nga kolegët e tij. Kështu, nëse një klient shkonte për të blerë diçka në një dyqan çfarëdo, dyqanxhiu ndonëse e kishte mallin e kërkuar i thonte blerësit se nuk kishte nga ai mall dhe i tregonte me gisht dyqanin e çelur rishtas nga kolegu i ri që sapo kishte filluar.)

Brenda vendit esnafët luajtën një rol të rëndësishëm në çështjet organizative, ekonomike, politike, shoqërore dhe ushtarake të vendit. Ata pra, kishin shumë ndikim në pushtetin vendor të kontrolluar nga pushtuesit osmanë.

Nuk kishte ngjarje në qytet pa pjesëmarrjen e shtresave të esnafëve të cilët ishin bërë tashmë një forcë e rëndësishme shoqërore në jetën e përditëshme të qytetit. Lidhur me këtë fakt të padiskutueshëm, studiuesi gjerman H.Schurtz vërente me të drejtë se:

“…në të kaluarën, në Perandorinë Otomane, shtresa drejtuese esnafore luante një rol vendimtar në të “gjithë strukturën shoqërore të popullsisë qytetare…””.

Të gjithë këta esnafë paguanin kontribute monetare antarësie në arkën e esnafit. Në këtë kategori puntorësh nuk bënin pjesë puntorët me mëditje (elhakçinjtë).

Në raport me pushtetin e kohës, esnafët kishin të drejta të vetmbrojtjes civile, mbrojtjes nga zjarri e fatkeqësitë natyrore, caktimit të numrit të djemve që do të kryenin shërbimin ushtarak për Perandorinë Osmane etj. Interesante është se në kuadrin e shërbimit ushtarak për Perandorinë Osmane, esnafët në Elbasan ndërhynin pranë autoriteteve vendore dhe nuk lejonin që të dërgohej ushtar një djalë që ishte i vetmi mashkull ndër fëmijët e një  familjeje; nuk lejonin gjithashtu të shkonte ushtar një djalë që ishte i martuar me një vajzë familja e së cilës nuk kishte djalë; si dhe një djalë që ishte martuar me një vajzë jetime. Në këto raste ata e plotësonin numrin e rekrutëve duke dërguar djem të tjerë për të cilët paguanin të holla familjeve të tyre. Këta lloj rekrutësh quheshin “bedelë” (ushtarë të parapaguar).

Sipas raportit të peshkopit Nikollë Mekajshi (1609), Elbasani konsiderohej si kryeqendra e Shqipërisë së Mesme dhe njëkohësisht si “një qytet me popullsi të madhe dhe me lagje të shumta”. Disa vjet më vonë (1635), Frang Bardhi e cilësonte atë me fjalët “urbs popolosa” (qytet mjaft i populluar), kurse Evlija Çelebiu thotë se “…këtu priteshin edhe monedha…” dhe i tërhequr nga natyra e bukur e vendit e quan Elbasanin “nuse të Shqipërisë”.

Si pasojë e zhvillimit të vrullshëm ekonomik të qytetit, shpejt u ndie nevoja për krahë të rinj pune. Në këtë kohë drejt qytetit zbresin familje të tëra fshatare të cilat nga bujq e blegtorë, shndërrohen në zejtarë e artizanë. Shumë prej këtyre të ardhurve ruajtën për mbiemër familjar, emrin e fshatit të origjinës. Kështu Elbasani po rritej vazhdimisht dhe banorët e rinj kishin ndërtuar shtëpi në fushat jashtë kalasë apo siç quhen ndryshe: varoshe. Sipas Evlija Çelebiut dhe disa burimeve të tjera, mund të thuhet se rreth mesit të shek. XVII qytetet më të rëndësishme ishin Elbasani me 28 lagje të vogla e të mesme me rreth 4000 zjarre (shtëpi dhe objekte banimi)….etj. Mendohet se rreth viteve 1650-1680 në Elbasan banonin afro 40.000 – 45.000 banorë, po të kemi parasysh natyrën patriarkale të familjes shqiptare të asaj kohe e cila ishte e përbërë nga 10 deri 15 antarë, si dhe regjistrat osmanë të kohës për popullsinë.

Forcat prodhuese në qytetin e Elbasanit ishin të ndara pothuaj kështu: 29 % merreshin me përpunimin e lëkurës, 22 %  merreshin me endjen e rrobave e pëlhurave, 20 % ishin bujq të perimeve dhe frutikulturës, 17 % merreshin me përpunimin e metaleve, 9 % me ushqimet dhe vetëm 3 % e tyre merrej me ndërtim.

Pra, gati e gjithë jeta ekonomike e qytetit përfshihej në zejtari dhe në tregti, që siç thamë më sipër, favorizohej nga pozicioni i kryqëzimit të rrugëve të rëndësishme për në Durrës, Shkodër, Ohër e më tej.

Së fundi, shthurja e sistemit esnafor erdhi si pasojë e zhvillimit teknologjik që mori hov në fund të shek. XVIII në vendet perëndimore të cilët duke përsosur dhe modernizuar format e prodhimit, zaptuan tregjet duke tregtuar me çmime më të lira dhe cilësi më të lartë. Megjithatë, elementë të zbehtë të organizimit esnafor u ruajtën në vendin tonë deri në vigjilje të shek XX.

Botuar në Janar 2007

Mblodhi dhe përgatiti Bukurosh Dylgjeri, Elbasan, janar 20016