Enver Delimeta, mësuesi dhe drejtori i arsimit si model në Elbasan, Elbasan, Arkivi Digjital Elbasan

Enver Delimeta, mësuesi dhe drejtori i arsimit si model në Elbasan

Enver Delimeta, jetëshkrimi i një drejtuesi të arsimit në Elbasan

Ndër familjet e njohura në Elbasan për mësuesinë e cila i ka dhënë shumë kontribute lëmit të arsimit, është edhe familja Delimeta, Enver, Agron, Pembe, Albert, Durim (Abdylla) Delimeta. Në këtë familje spikat kontributi i profesor Enver Delimeta, jo thjeshtë si një mësues, por si një drejtues administrativ, akademik dhe pedagogjik i disa shkollave në rrethin e Elbasanit. Ka lindur në Elbasan në vitin 1935 në familjen e Hedije dhe Abdulla Delimeta.
Shkollën 7-vjeçare e kreu në qytetin e lindjes, ashtu si dhe shkollën pedagogjike (Normalen) të cilën e mbaroi në vitin 1954.
Ka qenë mësues fillimisht në Kuçovë dhe më pas në fshatin Shtërmen pranë Cerrikut. Në vitin 1960 emërohet drejtor i përgjithshëm i arsimit të Cerrikut dhe rrethinave të tij dhe ekskluzivisht si drejtor i gjimnazit ”Tomorr Sinani”. Matura e parë e këtij gjimnazi në vitin 1964 mban firmën Enver Delimeta.
Ajo që spikat në punën e këtij drejtori në këtë gjimnaz është fakti se u ngrit një trup pedagogjike me mësues cilësor të fushave të ndryshme të shkencave, prej të cilëve mund të veçojmë Faruk Besho (matematikë), Mustafa Karapinjalli (gjuhë), Dylaver Shkodra (letërsi), Bardhyl Graceni (histori gjeografi), Sabahudin Harja (gjuhë letërsi), Nikolla Peçini (kimi) Sabahudin Peni (biologji), Abdyrrahman Duro dhe Kristaq Mullizi (fizkulturë) etj.
Në vlerësimin që i kanë bërë nxënësit mësuesëve të tyre thuhet shpesh nga ata se: ”Cerriku ka patur fatin e madh që, si qytet i ri me datëlindje në vitin 1952, pati mësues elbasanas që i dhanë një hop cilësor mësimdhënies duke ngritur një pleiadë të tërë intelektualësh të fushave të ndryshme prej të cilëve dolën profesorë, inxhinier, mësues, mjekë, artistë, shkencëtar etj që u bënë krenari për qytetin. Merita numër një e këtyre mësuesëve është drejtimi që i dha profesor Enver Delimeta kësaj trupe pedagogjike duke hedhur bazat edhe për nja dy dhjetëvjeçarë të tjerë”.
Në vitin 1964 deri në vitin 1968 Enver Delimeta themeloi dhe drejtoi gjimnazin Jeronim de Rada duke përsëritur atë model drejtimi si në Cerrik, gjithashtu, nxënësit që dolën nga ky gjimnaz, kanë të njetat konsiderata për drejtimin e shkollës.
Periudha më e gjatë në drejtimin e shkollës ka qenë ajo e shkollës 8-vjeçare ”Dr. Xhaferr Kongoli” (sot Abdyl Paralloi ”mësues i popullit”), për 22 vite me rradhë ku edhe del në pension në vitin 1990. Duhet thënë se kjo shkolle 8-vjçare ishte edhe pasardhëse e të quajturës ”Shkolla Ushtrimore”, i cilësuar si laboratori i Normales për përgatitjen e mësuesëve të rinj që dilnin prej saj, vlen të theksohet se modeli që i dha drejtori Delimeta kësaj shkolle ajo u bë një model në rang kombëtar për vlerat në drejtimin e arsimit në cilësinë e mësimdhënies dhe në punën edukativomësimore që organizohej në këtë shkollë.
Gjatë veprimtarisë drejtuese duke ruajtur specifikën e secilës shkollë disa nga drejtimet themelore të punës kanë qenë:
– Punë ritmike intensive për forcimin cilësor të procesit mësimor, duke ndaluar në rigorizitetin shkencor të dhënies së përvetësimit të bazave të shkencës me synimin që nxënësit e sidomos të rinjtë të pajisen me dije solide, të qëndrueshme e shprehi praktike me vlera jo vetëm për jetën por edhe për t’iu ngjitur me lehtësi piramidës së shkollimit.

Si konkluzion i një pune të gjatë jo vetëm si mësues por veçanërisht si drejtues shkolle 8-vjeçare dhe gjimnazi duhet thënë se baza mbi të cilën ngrihet i gjithë institucioni i mësuesisë që udhëhoqi Enver Delimetën në jetën e tij, është Normalja si shkolla ku përgatiteshin jo vetëm mësues por edhe personalitete në shkenca të ndryshme të jetës shoqërore dhe politike të kohës.

Punoi: Hyqmet Zane, Elbasan 2017