Vizita e parë e Justin Godart në Shqipëri, njërit prej politikanëve më të veçantë e më të rëndësishëm francez, ka qenë një ngjarje e bujshme në Elbasanin e vitit 1921, kur ai vizitoi për herë të parë Shqipërinë. Nga kjo vizitë J. Godart ka lënë përshtypjet e tij për çdo qytet që ka parë, ndër të cilët edhe Elbasanin.

Justin Godart

Justin Godart

Rrugën për të ardhur në Elbasan Godart e kishte nisur që me 24 prill, nga Pogradeci, për në Librazhd e për të ardhur më pas në destinacionin e tij të rradhës. I ishte dashur që rrugën t’a bënte me kalë se nuk kishte mundësi tjetër. Pasi kaloi një natë në fshatin Bërzeshtë, u nis nga Qukësi  për në Elbasan të nesërmen e 25 prillit. Gjatë kësaj rruge ai përshkrun Lumin Shkumbin dhe Urën e Vjetër Romake të Kamares. Mbërriti në Elbasan rreth orës 10 të mbrëmjes, nën zhurmën e fishekzjarreve që u ndezën enkas për të dhe nën  tingujt e këngës simbol të francezëve “Marsejeza”, që luhej nga banda muzikore e qytetit.

Në 26 prill 1921 ai zgjohet në  Elbasan, ku qëndron dy ditë dhe jep këtë përshkrim:

Pushova gjithë mëngjesin. Por qysh në orën 11 filloi muzika e ciganëve dhe pas dreke pashë vallet e grave. Ishin valle me tundje gjoksi dhe beli që nuk kishin asgjë shqiptare.  Në orën 3 u bë një mbledhje për të më pritur. Në sheshin e Namazgjasë, të rrethuar me qiparisa ishte mbledhur populli, fëmijët e shkollave, banda muzikore, ndërsa mbi varrezat që rrethojnë sheshin dukeshin gratë me ferexhe. Bashkë me të ishin hoxhallarë, priftërinj ortodoksë dhe një dervish i Teqesë, në vend të Babait, i cili nuk kishte mundur të vinte. Erdhi dhe Dervish Bej Biçaku, një burrë tepër i shquar dhe mirëdashës, i cili ka pritur në Elbasan Zharain.

Pastaj shëtita nëpër qytet, nëpër rrugët gjithë baltë. Elbasani ka 950 dyqane në Pazar, 2500 shtëpi, 3 kisha dhe 34 xhami, të gjitha midis kopshteve me portokaj dhe mandarina dhe oborreve me lule të shumta, sidomos trëndafila. Kudo dëgjohen pëllumba dhe kumri që gugatin. Shoh tjergulla tepër të vjetra që përqafojnë pemët, duke u përdredhur rreth tyre. Mirëpo pashë kudo shtëpi të shembura, muze të rrëzuar. Tërmeti që ka rënë më 18 janar dhe ka zgjatur, me ndërprerje, nga ora 6 e mbrëmjes deri të nesërmen në orën 4 ka shembur mbi 1000 shtëpi.  Dervish Beu më tha se vazhdojnë ende lëkundjet, afërsisht në çdo dy javë dhe se një tërmet i tillë kishte rënë në Elbasan edhe para nja 60 vjetëve.

Elbasani ka 13000 banorë dhe një buxhet prej 5000 napolonash. Në shkollat e qytetit mësojnë 500 nxënës dhe 200 nxënëse, por sot nga frika e tërmetit mësimet zhvillohen në tenda. Aty është edhe Shkolla Normale Kombëtare, e cila, përgatit mësues, si dhe një shkollë fillore për vajza e Kryqit të Kuq Amerikan.

Më thanë se qyteti i Elbasanit është themeluar nga sulltani Mehmet Fatiu më 1466. Thuhet se ai solli në vendin që quhej Shkëmbi popullsinë e Sopotit  dhe këtë vend e quajti  El Bassan iad, ose atje ku vura dorën. Gjatë shëtitjeve të mia në një rrugicë ndesha me një grua muslimane të mbuluar me çarçaf. Ajo m’ u përkul, më përshëndeti dhe më tha shumë herë “Zoti iu bekoftë!”. Pasi kaloi para nesh pyeti Salahedin Blloshhmin: “A është miku juaj? Dhe vazhdoi bekimet, salahedini u habit. Mandej erdhën në hotel dy gra dhe më sollën një degë limoni me tre fruta të mëdha e të pjekura, kurse tjetra një pjatë me syltiaç. Më thanë se vetëm këto kemi, por deshëm t’i bëjmë një dhuratë mikut tonë.

Darkën na e shtroi Kadiu, i cili zëvendëson Prefektin. Gazeta “Shkumini” botoi një numër të posaçëm për nder të Francës.

Edhe 27 prillin J.Godart e kaloi në Elbasan. Ndër të tjera thotë se kishte bërë vizita në Bashki, ku e kishte pritur Kryetari i Bashkisë i asaj kohe Kasem Sejdini. Kishte vizituar po ashtu: teqen, varrezat, kishën, mullirin, urën e vjetër, kullën e sahatit etj.

Më 28 prill ishte nisur drejt Tiranës. Nga Elbasani ishte përcjellë me muzikë, me buqeta lulesh e fjalime. Kishte shkuar në Tiranë përmes Qafës së Kërrabës, të cilën e  përshkruan si një pamje të mrekullueshme, por gjithsesi  kaotike, me gjarpërime dhe të prishur kudo.

Në vitin 1922 Justin Godart vjen sërish të vizitojë Shqipërinë dhe sërish vjen në Elbasan. Herën e dytë nuk flet me aq entuziazëm për Elbasanin. Erdhi nga Tirana në Elbasan përmes rrugës së Kërrabës, të cilën e përshkruan shumë të vështirë e me shumë peripeci. Këtë herë qëndroi më pak në Elbasan, bëri disa takime me Dervish Beun që e bëri dhe kumbar të dy djemve të tij binjakë, me kryetarin e bashkisë, me Shgefqet Vërlaci (ato kohë vjehrri i Ahmet Zogut) tek i cili edhe darkoi etj dhe të nesërmen u kthye sërish në Tiranë.

Në udhëtimin e tij të tretë ai nuk flet për Elbasanin, por bëri takim me Visarion Xhuvanin, me të cilin bisedoi për probleme të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Nga viti 1921 deri në vitin 1951 Godart bëri 8 udhëtime në Shqipëri. Në udhëtimet e tij të mëvonshme, ai flet për problematika kombëtare dhe nuk ndalet tek Elbasani.