NGA MAJLINDA PEZA – PERRIU

25 nëntori i vitit 1912 është konsideruar deri më sot si data e ngritjes së flamurit në qytetin e Elbasanit. Por nga ky dokument arkivor që po bëjmë publik dhe që ka më shumë se 50 vjet i mbuluar nga pluhuri i harresës dëshmohet se flamuri në Elbasan është ngritur në mbasditen e 28 nëntorit të 1912- ës.

Pavarësia e Shqipërisë në 28 nëntor 1912, përbën një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, duke përfaqësuar aktin e parë politik me dimensione  kombëtare që hodhën themelet e krijimit të  shtetit  shqiptar. E një rëndësie të veçantë në këtë kohë, do të rezultojë edhe pavarësia e atyre qyteteve, që për shkak të konjukturave politiko – ushtarake të krijuara në nëntor të vitit 1912 i paraprinë Kuvendit të Vlorës dhe e ngritën flamurin dhe shpallën pavarësinë më parë se në Vlorë. Për më tepër, vendimi për ndërmarrjen e akteve të tilla të pavarësive (locale) nga patriotët shqiptarë rezultonte sa i rëndësishëm aq dhe i vështirë, për faktin se mjedisi shqiptar i asaj kohe shfaqte tipare të theksuara osmane dhe pjesa më e madhe e popullsisë veçanërisht në Shqipërinë e Mesme, ishte e lidhur shpirtërisht me Perandorinë Osmane.

Elbasani konsiderohet si një ndër qytetet shqiptare të Shqipërisë së Mesme që ka luajtur një rol të rëndësishëm në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, veçanërisht përgjatë shek. XIX-XX. Në këtë qytet, pavarësisht ndikimit osman sikurse edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë së mesme, ishte kristalizuar një mjedis social i përfaqësuar nga një shtresë intelektualësh patriotë me prirje përparimtare. Veprimtarë  aktivë në një mjedis të tillë do të shfaqen gjithashtu edhe ata përfaqësues, që vinin nga “ oxhaqet e mëdha” feudale por me tradita të theksuara patriotike. Në kuadrin e zhvillimit të ngjarjeve të tilla me përmasa lokale apo dhe  kombëtare sikurse ishte shpallja e pavarësisë, figura të tilla do të vihen në krye të lëvizjes patriotike në qytetin e Elbasanit. Kështu, kontributi i  patriotëve të këtij qyteti do të jetë evident edhe në ngjarjet e nëntorit të vitit 1912.

Në këtë kontekst, duhet të sqarojmë faktin se shpallja e pavarësisë në qytetet shqiptare midis 26-28 nëntor të vitit 1912, do të ketë përmasa lokale, vlera e të cilave më së shumti konsistonte në ngritjen e flamurit në qytetet shqiptare si një akt simbolik me vlera patriotike por, njëkohësisht duke krijuar edhe një realitet të ri politik të cilin duhej ta pranonin shtetet ballkanike dhe njëkohësisht ushtritë e tyre që po pushtonin një e nga një qytetet shqiptare në nëntorin e vitit 1912.

Që nga vitit 1912 e deri në ditët e sotme për më shumë se 100 vjet, shpallja e pavarësisë në Vlorë apo dhe në qytetet e tjera shqiptare është konsideruar dhe do të konsiderohet si festa e flamurit, është festuar dhe do të festohet si festa e flamurit. Për këtë problem, në botimet historike kur shkruhet për pavarësinë e Elbasanit në raport me qytetet e tjera, ndër vite gjen përcaktime të tilla si:  Elbasani e shpalli i pari pavarësinë dhe ngriti  flamurin në 25 nëntor 1912, ose Elbasani e ngriti i pari flamurin në 25 nëntor dhe shpalli pavarësinë.
Për të qartësuar një problem të tillë, duke u mbështetur në burime arkivore po paraqesim një prej dokumentave që hedh dritë rreth evenimentit të ngritjes së flamurit në Elbasan dhe njëkohësisht edhe të formimit të Qeverisë së Përkohshme lokale të Elbasanit. Dokumenti në fjalë përfaqëson një bisedë telegrafike  midis Elbasanit dhe Vlorës që mban datën 15 Vjeshta e Tretë 1328 / 28 nëntor 1912.

 

Telegraf i datës 15 Vjeshta e Tretë 1328 / 28 nëntor 1912, Vlorë-Elbasan, Arkivi Digjital Elbasan

Telegraf i datës 15 Vjeshta e Tretë 1328 / 28 nëntor 1912, Vlorë-Elbasan

 

Çfarë konstatojmë nga një dokument i tillë:

Së pari, personat që flasin nga zyra telegrafike të Vlorës janë delegatët përfaqësues  të  Elbasanit në Kuvendin e Vlorës; Shefqet Daiu dhe Lef  Nosi.

Së dyti, kjo bisedë telegrafike bëhet në momentet kur në Vlorë po çelej Kuvendi Kombëtar, sikurse thotë Lef Nosi: “Kongresi nuk ka fillue, ndashti do të hapet”. Sikurse dihet, Kongresi Kombëtar në Vlorë është hapur në orën 4 mbasdite të dt. 28 Nëntor 1912.

Së treti, duke gjykuar nga përmbajtja e këtij dokumenti përmes kërkesës së Shefqet Daiut dhe Lef Nosit, drejtuar Elbasanit për të ngritur sa më shpejt flamurin në Elbasan, gjejmë të konfirmuar faktin se deri në mbasditen e 28 nëntorit flamuri në Elbasan  akoma nuk ishte ngritur. Një fakt i tillë pasqyrohet përmes përgjigjes së dhënë nga telegrafistët e Elbasanit duke u shprehur nëpërmjet fjalëve: “Ndashti po e ngremë[Flamurin], Qeveria e Përkohëshme u ngref…”.

Pra, nëse bëjmë një paralelizëm me ngjarjet në Vlorë, pohojmë se në kohën kur në Vlorë po çelej Kuvendi Kombëtar, në Elbasan u formua Qeveria e Përkohshme e Elbasanit dhe njëkohësisht po ngrihej edhe flamuri kombëtar. Nëse Kuvendi i Vlorës u hap mbasditen e 28 nëntorit edhe flamuri në Elbasan rezulton të jetë ngritur pikërisht mbasditen e 28 nëntorit 1912 dhe jo në 25 nëntor të vitit 1912.
Njëkohësisht, përmes këtij dokumenti, Lef Nosi dhe Shefqet Daiu informohen  edhe për emërimin e Aqif Pashë Elbasanit në cilësinë e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme të Elbasanit në mbasditen e 28 nëntorit 1912.
Telegrafistët që komunikojnë nga Elbasani me Vlorën në këtë dokument sikurse konstatohet janë Mahmud Nedim[Hakani], për të cilin pavarësisht se edhe në një telegram tjetër thuhet telegrafisti, mendojmë që aty, ai është edhe në cilësinë  e përfaqësuesit të parisë së Elbasanit, ndërsa personi tjetër  është Hasan Osmanai i cili duhet të jetë telegrafisti tjetër.
Ndërkaq, burimet arkivore të kohës dëshmojnë faktin se në 25 nëntor 1912 është bërë një mbledhje e parisë së Elbasanit, porse nuk konstatohet të jetë krijuar ndonjë organ qverisës lokal dhe nuk ekziston asnjë dokument që të japë informacion për ngritjen e flamurit në Elbasan në këtë datë. Vendimi i datës 25 nëntor shprehet përmes telegramit dërguar Vlorës në natën e 25 nëntorit 1912 në të cilin thuhej: “Gjithë populli ynë, myslimanë e të krishtenë, me nji za  kan pranue  independencën e Shqipniës”. (Ky është i vetmi dokument ku janë mbështetur studiuesit për të arritur në konkluzionin se Elbasani e ngriti i pari flamurin në 25 nëntor dhe shpalli pavarësinë)

Por, ajo çka është më interesante ka të bëjë me faktin se edhe vetë Ismail Qemali, telegramin e Elbasanit të datës 25 nëntor 1912, nuk e ka konsideruar si shpallje të pavarësisë së këtij qyteti sepse, nuk është shoqëruar me ngritjen e flamurit.

Dokumenta Historike, Nr 9, Arkivi Digjital Elbasan

Dokumenta Historike, Nr 9

 

Kur bëjmë një pohim të tillë mbështetemi në faktin se pasi ishte shpallur Pavarësia në Vlorë, në mbasditen e 28 nëntorit në telegramin që I. Qemali  do t’i dërgojë Elbasanit do t’i kërkojë parisë së qytetit të shpallë pavarësinë. Një kërkesë e tillë do t’i dërgohet posaçërisht atyre qyteteve ku rezultonte se nuk ishte shpallur Pavarësia duke përfshirë kështu edhe Elbasanin. Pikërisht, një konstatim i tillë na çon në konkluzionin se edhe ngritja e flamurit në Elbasan në 28 nëntor është bërë pasi është mbledhur Kuvendi Kombëtar në Vlorë, për faktin se Vlora në mbasditen e 28 nëntorit nuk ështe informuar për një eveniment të tillë në Elbasan.( Vlora do të njoftohet  për ngritjen e flamurit në Elbasan në orën 4 të natës së 28 nëntorit, ose 4 e mëngjesit e 29 nëntor 1912. Dokumentacioni i nxjerrë nga fondi Lef Nosit saktëson jo vetëm datën por edhe orën e saktë të dërgimit të telegramit.)

Ndërkaq, qëllimin e mbledhjes së parisë së Elbasanit në 25 nëntor 1912 do ta gjejmë të pasqyruar në telegramin që Shefqet bej Vërlaci do t’i dërgojë Tiranës në 26 nëntor 1912. Më konkretisht, pyetjes së bërë nga Refik bej Toptani nëse në Elbasan kishte shpallur apo jo Pavarësinë, Shefqet bej Vërlaci  do t’i përgjigjet duke u shprehur se: “ Populli i Elbasanit, myslimanë e të krishtenë me nji za i u pëgjegj Ismail Qemalit Beut se e pranon ftimin e tija edhe u dërguan përfaqësuesit”, duke mos përmendur në asnjë rast se në Elbasan ishte shpallur pavarësia.  Gjithashtu, theksojmë se edhe protagonistët e asaj kohe, që kanë jetuar për shumë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, nuk kanë deklaruar apo shkruar se Elbasani shpalli i pari Pavarësinë, aq më tepër ngriti i pari flamurin.
Nëse ngritja e flamurit dhe krijimi  i Qeverisë së Përkohshme të Elbasanit i përkasin datës 28 nëntor 1912, atëherë lind pyetja se a ka pasur shpallje të pavarësisë  në Elbasan në 25 nëntor të vitit 1912, apo ka pasur pranim të pavarësisë sikurse  thotë edhe telegrami  i datës 25 nëntor 1912: “ Gjithë populli ynë, myslimanë e të krishtenë, me nji za  kan pranue  independencën e Shqipniës”. ?
Gjithashtu, një  tjetër dokument që mbështet  faktin  se flamuri  në Elbasan është  ngritur në 28 nëntor 1912 dhe njëkohësisht është formuar Qeveria e Përkohshme e Elbasanit, [ku tashmë për herë të parë përmendet edhe shpallja e pavarësisë së Elbasanit], përfaqësohet përmes një telegrami drejtuar  Vlorës, posaçërisht si përgjigje e pyetjes që i  bëhet nga Ohri, nëse  Elbasani do t’i  dorëzohet apo jo ushtrisë serbe [1]

Kështu, në përgjigjen që Elbasani do t’i japë Ohrit në natën e 28 nëntorit 1912 dhe gjithashtu edhe Vlorës, shprehimisht thuhet se: “Elbasani shpalli Independencën n’emën të Shqipniës, ngriti flamurin edhe Turqit i përzuni krejt. Këtu ndashti asht formue nji Qeverrië Shqiptare e Përkohshme e cila ka fillue nga detyra. T’a lajmërojmë kryetarin e Qeverriës edhe Komisionin apo jo? Sepse këtu në zyrët telegrafike nuk ka njiri[2].

Një përgjigje e tillë, së pari është tregues i faktit se shpallja e Pavarësisë së Elbasanit është e lidhur me ngritjen e flamurit dhe së dyti, shpallja e pavarësisë, ngritja e flamurit dhe formimi i Qeverisë lokale në Elbasan konsiderohen si evenimente të njëkohshme në 28 nëntor 1912.

Qytetarëve të Elbasanit dhe gjithkujt që kalon para bustit të patriotit elbasanas Aqif Pashë Elbasanit do t’i bjerë në sy një dokument që konsiderohet si akti i shpalljes së pavarësisë së Elbasanit.
Cili është historiku i këtij dokumenti ?

Një dokument të tillë  ka disa vite që e kanë cilësuar si dokumentin e shpalljes së pavarësisë së Elbasanit dhe gjendet në Arkivin Qëndror Shtetëror. Ky dokument nuk gjendet në ndonjë fond të veçantë, por sipas ish drejtoreshës së AQSH, dokumenti  është dorëzuar në Arkivin e Shtetit në vitin 2006 nga  Ramiz Avduli (ish  profesor  i historianit shqiptaro – maqedonas Skënder Hasanit) dhe rezulton si dokumenti i parë i nxjerrë nga arkivat e Beogradit. Por, ndërkohë që një tjetër  dokument por me të njëjtën përmbajtje është botuar edhe nga historiani shqiptaro-maqedonas Skënder Hasani në vitin 2008 si një zbulim i tij për herë të parë, gjetur në një mikrofilm në arkivat e Beogradit. Nga krahasimi që i është bërë të dy dokumenteve të sipërpërmendur(pa kaluar në interpretimin e përmbajtjes së tyre që ndosha do të jetë objekt i një artikulli tjetër) konstatojmë se, përmbajtja e tyre është e njëjtë, porse në to duken qartë shenjat dhe gjurmët e disa ndërhyrjeve që janë bërë.

Më konkretisht, në dokumentin e parë është e dukshme data 25 nëntor 1912, ndërsa  në tjetrin kjo datë nuk duket, ndërkaq ka edhe gjurmë të ndërhyrjeve të tjera që konstatohen në të dy dokumentet. Për më tepër, në asnjë prej tyre nuk ka emra të firmëtarëve. Gjithashtu, duhet theksuar fakti se gjuha zyrtare e shkrimit në këtë periudhë ishte osmanishtja  me të cilën shkruheshin të gjithë dokumentet e kësaj periudhe, ndërkohë që të dy dokumentet rezultojnë në gjuhën shqipe dhe origjinali në osmanisht deri tani nuk është bërë i njohur. Ndërkaq, profesorë të gjuhës në Universitetin e Elbasanit janë të mendimit se gjuha me të cilën janë shkruar  dy dokumentet nuk përkon me elbasanishten, por më tepër ka ngjashmëri me gegërishten e veriut.

Nisur nga sa parashtruam më lart, mendojmë se të dy këto dokumente mbeten për tju nënshtruar një analize të gjatë e të hollësishme nga specialistët dhe studiuesit e fushës përkatëse për të vërtetuar fillimisht besueshmërinë e tyre dhe më pas për të kaluar në interpretimin e përmbajtjes së tyre, përmbajtje që më së shumti nuk sinkronizon me zhvillimet e ngjarjeve në Elbasan në 25 nëntor 1912.

Gjithashtu do të ftoja edhe studiuesit që disponojnë dokumenta të një natyre të tillë për t’i bërë prezente në periodikë apo dhe faqet e shtypit në funksion të rishikimit dhe rishkrimit të historisë lokale si pjesë integrale e historisë sonë kombëtare.


Ky fjalim telegrafik midis Elbasanit dhe Ohrit  është bërë në orën 3.40 të  natës të dt. 28 nëntor.[Sqarim,kur thuhet ora 3.40 e natës e dt. 28 nëntor rezulton ora 3.40 e mëngjesit e dt. 29 Nëndor