ELBASANI, NË KËRKIM TË NJË OPOZITE
Autor: Shefqet Deliallisi
Botuar më parë në Gazeta Standard, qershor 2015

Elbasan, 92 vjet më parë….
Në fillimin e viteve ’20 në Elbasan, politika dominohej totalisht nga dy figurat kryesore të qytetit: Shefqet Vërlaci dhe Aqif Pasha. Në zgjedhjet e vitit 1923, intelektualët dhe borgjezia e qytetit të pakënaqur, krijuan një parti politike si opozitë kundër dy njerëzve të fuqishëm të qytetit. Partia u quajt “As e Pashës as e Beut”, dhe kishte qëllim :
“….për me punumun që delegatët e asamblesë së prefekturës (deputetët) të përfaqsojnë mendimin e popullit e jo të personavet”.
Në një thirrje të datës 31 tetor 1923, që grupimi i drejtonte popullit të Elbasanit, Çermenikës, Mokrës, Shpatit, Dumresë Krrabës, Grykës së Zaranikës, Peqinit, Darsisë, Vërçës e Sulovës thuhej : “Qarku i ynë…. dashë a pa dashë e ka lanë fatin e vet në dorë të pashës e të beut, e kjo gjendje na ka prue shumë pengime e vështirësi. Sot pra o vëllezën ka ardhë koha me e thymun nji zgjedhë …”

Thirrja, nënshkruhej nga:
Abdulla Atai, Rrapush Demeti, Lef Nosi, Tahsin Myftiu, Kamber Shabani, Mustafa Kotherja, Ahmet Dakli, Hysen Plangarica, Demir Bunga, Thanas Floqi, Ibrahim Hastopalli, Qamil Shkodra, Demir Sulçe, Qamil Skilja, Qazim Hasekiu, Arif Dardha, Sulejman Domi, Isuf Balliçi, Abdyl Daiu, Ibrahim Bumçi, Isuf Pajenga, Pava Jorgaqi, Stefan Papajani, Sadulla Haxhisyseni, Anastas Dodbiba, Grigor Nosi, Musa Belegu, Veli Kazazi, Met Selita, Bexhet Hasekiu, Filip Shuteriqi, Hysen Bakalli, Hysen Peni, Ali Zyma, Refik Kajanaku, Kamber Bevapi, Isuf Belegu, Hysen Dakli, Qazim Gjevori, Ali Hysen Gjata, Ali Mitarja, Arif Çela, Asllan Gjata, Abedin Isa Efendiu, Selman Belshaku, Ali Gaçe, Til Kasapi, Lam Çopo, Xhaferr Hakani, Ibrahim Ali Kopili, Xhaferr Duhanxhiu, Hafëz Ymer Dilja.
Për Partinë “As e Pashës as e Beut” kandiduan për deputetë: Aleksandër Xhuvani, Ibrahim Dedej, Sali Çeka, Xhaferr Kongoli, Simon Shuteriqi, Hysen Plangarica, Qamil Gëlqeraxhiu, Ahmet Dakli, Kostaq Cipo, Ismail Dyrmishi, Asllan Shahini, Hysen Dyrmishi.
Asnjëri nuk fitoi. Ndikimi i Shefqet Vërlacit ishte shumë i fortë në Elbasan.
Gjithsesi borgjezia dhe intelektualët e Elbasanit 92 vjet më parë, me kurajo qytetare kërkuan ndryshimin…