Në hapsirën mbarëshqiptare Elbasani konsiderohet si zemra e Shqipërisë dhe kjo jo vetëm për arsye gjeografike, por edhe për rolin e veçantë që ka luajtur ai në historinë dhe kulturën kombëtare. Ky qytet u bë selia e “universitetit” e njëkohësisht “akademisë” së parë shqiptare Shkollës Normale, ku bijtë e shqipes të etur për dritën e diturisë rrezatonin në të katër anët e atdheut. Elbasani është njohur edhe si një ndërlidhës i të gjitha krahinave.

Elbasanasit janë njohur jo vetëm për zgjuarsi dhe arsimdashje por edhe si trima të çartur, siç janë njohur edhe si artistë me shije të hollë e aftësi të rralla.

Pikërisht kështu çfaqet Elbasani dhe njerëzit e tij në këngët popullore çame.

Megjithëse Çamëria është zona më e largët e Shqipërisë, jehona e këtij qyteti është aq e afërt për veshin e çamit sa krahasimin nuk e bën me këmbanat e kkishave të Çamërisë në Artë, Prevezë e Pargë, por me atë të Kishës së Elbasanit.

Që kur len illi në Vlorë

Sa perëndon në Sallahorë

Gjëmon këmbor e Selmanit

Si kambanë e Elbasanit

(Vërselë – Filat)

Vlen të theksohet konceptimi kozmografik i këngëtarit popullor që e merr jehonën nga Elbasani nëpërmes Vlorës dhe e çon në skajin më jugor në Sellahorë, me lindjen e yllit deri në perëndim të tij.

Nuk ka ngjarje madhore historike të mos ketë lidhje me këtë qytet, në mënyrë të veçantë gjatë luftrave kundër synimeve agresive të fqinjëve grabitqarë. Është koha kur shovinistët serbo – malazezë kërcënonin trojet tona në veri:

Tetë marsi në të dalë

Valiu me komandarë

Telit n’Elbasan i ranë

Na kërkojnë Alianë,

Ali Hajdarin e kërkojnë

E nisnë për në Gjakovë…

(Grikohor – Gumenicë)

Në këngët popullore çame Elbasani na çfaqet me një tabur (bataljon më një mijë ushtarë) që mban emrin e tij, i komanduar nga prijësi i shquar luftarak shqiptar Musa bej Qafzezi (pasha), i cili edhe pse i mobilizuar nga ana e otomanëve, hyri në marrëveshje me prijës grekë dhe ndihmoi revolucionion grek. Për këtë e helmoi qeveria otomane në Mesolonjë. Ai gëzonte simpatinë e udhëheqëses së shquar të revolucionit grek, , arvanites legjendare Bubulina. Ishte koha kur të gjithë ballkanisit të bashkuar për lirinë luftonin kundër të njëjtit armik.

Kënga bën fjalë për një ceremoni varrimi të një heroi elbasanas në luftën e përbashkët çlirimtare si homazh nga shokët e vet”

Elbasan taburi

Mblushur me martira

Bëri emër pasha

Musa bej Janina

Bini moj muzika

Për kët’ trim mbi trima

Që mbeti i vrarë

(Vërselë – Filat)

Heroizmi i bijve të Elbasanit na del në dy këngë të tjera të mbledhura në fshatrat Arpicë dhe Luxarat të Magëlliçit ku bëhet fjalë për Bajram Elbasanin i cili dëmtoi rëndë dhe largoi flotën greke nga Gjiri i Prevezës me zgjuarsinë, shkathtësinë e guximin e tij:

Preveza u dogj mënjanë

Morri zjarri kasabanë,

Mbenë shtatë kala

Hastanetë dhe Këshllatë,

Për trim Bajram Elbasanë

Që të bënte istikanë

Në  Mitikë e më ket’ anë

Pamporët erdhën mbanë,

Rrethosnë Jeni Kalanë

– Topi në hamami vate

Halli i madh me Bajramanë

Hidh gjyle në Ajomadhë

Pamporëve ju dha kërnanë!

Të njëjtën gjë afirmon edhe motërzimi i saj:

Ku kemi Bajram Aganë

Në Mitikë, më kët’ anë

Vate të bën instikamë

Pamporëve u dha kërnanë…

Është koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në këtë mënyrë këngët popullore marrin vlerën e dokumentit autentik historik, shndrohen në kronikë të asaj kohe të lavdishme.

Por jo vetëm elbasanasit ja rritën famën qytetit të tyre, por edhe bijtë e tjerë të Shqipërisë që u edukuan në vatrën e diturisë, në Normalen e famshme të Elbasanit, e çuan jehonën e këtij qyteti jo vetëm në të katër anët e atdheut por dhe jashtë kufijve deri në Spanjë, në luftën kundër fashizmit, siç ishte Thimio Gogozoto nga Rrapeza e Çamërisë:

Rrapëza të rriti

E të bëri burrë

Thimjo Gogozoto

Nuk të harron kurrë

Shqipërinë nanë

Djalë e përqafove

Shkollën Normale

N’ Elbasan mbarove

(Arpicë – Magëlleç)

Por kënga popullore e përmend Elbasanin edhe për prodhimet e tij me cilësi të lartë e me famë jo vetëm në Shqipëri, por që konkurojnë ehde tregjet e huaja, siç ishte sapuni i famshëm i tij:

Hodha një gurë në Virua

Lejëmono, lejmënua

– ku ish nusja siç e dua

– Ka vajtur përtej në krua

Të lajë rrobat e tua

Të tuat dhëndërr jarani

Me sapun nga Elbasani

(Grikohor – Gumenicë)

Është për tu theksuar se këngët për Elbasanin dhe njerëzit e tij këndohen që ne fillimet e formimit të kombit shqiptar. Ato këndohen në të gjitha kazatë e Çamërisë si në: Filat, Gumenicë, Margëlleç etj. Kjo dëshmon se ç’lidhje shpirtërore kanë pasur shqiptarët  në shekuj, rezultat e të cilës ka qenë mbijetesa e kombit tonë. Sot këto këngë janë një mesazh i unitetit kombëtar.

(Ahmet Mehmeti – Fjala e lirë, Nr. 341, Data: 18.03.1995)