Elbasani në literaturën historike të periudhës së Rilindjes Kombëtare ruan pozitën e një qyteti të zhvilluar për kohën dhe me mjaft ndikim në shumë aspekte.

Në aspektin ekonomik, Elbasani gjatë Rilindjes mbahet mend si një nga qendrat kryesore më të njohura zejtare krahas qyteteve të tjera si: Janina, Berati, Gjakova, Shkodra, Prizreni etj. Ishte krijuar madje, krahas borgjezisë, një shtresë zejtarësh e mjeshtrish të kualifikuar. Elbasani dallohej për punimin e argjendarisë, armëve shqiptare e stolisjes së tyre me ar e argjend, duke e bërë këtë punim një mjeshtëri artistike, të punuar me dekore kombëtare, që tregonin tipare të kulturës sonë popullore. Evlia Çelebi shkruante për armëtarët në Elbasan e thoshte që ata kishin edhe esnafin e tyre, duke i punuar këto mjete me shumë mjeshtëri. Në shek.XVIII dhe XIX armëtaria njohu një përhapje të madhe në Elbasan, madje edhe u specializua sipas pjesëve përkatëse. S. Frashëri  shprehej se në Elbasan bëheshin pjesë armësh si: çarqe, namlie, thika, bubëza etj.

Në shek.XIX në Elbasan kishte 35 punishte ku regjej lëkura dhe dallohej për ngjyrosjen e kajserit (ngjyrë e kuqe e mbyllur), specialitet ky i trashëguar ndër vite, të cilin e ruajtën deri në vitet e para të shek.XX. Aty rreth vitit 1912, në Elbasan kishte rreth 40 mjeshtra saratçinj. Po ashty ky qytet dallohej edhe për rrobaqepësit e tij, edhe përgatitjen e gëzofit.

Elbasani me pozitën e tij të favorshme gjeografike, konsiderohej si një nga depot qendrore të tregëtisë së brendëshme të Rumelisë dhe qendra më e rëndësishme ekonomike e Shqipërisë së Mesme. Dallohej për tregëtinë e vajit, të duhanit e lëkurëve, të cilat përpunoheshin me mjete primitive, por pavarsisht kësaj kishin treg të gjërë, në Dibër, Stugë, Ohër, Manastir, Durrës, Selanik, Trieste etj.

Krahina e Elbasanit, e pasur edhe në bujqësi e blegtari, në periudhën e Rilindjes njohu edhe tregëtinë e  panaireve. Në dalje të Elbasanit, zhvillohej panairi 7 ditor i Shijonit, në të cilin vinin njerëz nga të gjitha qytetet shqiptare.

Sa për pazarin, elementin më të rëndësishëm ekonomik, në të cilin ishte e gjithë jeta tregëtare e qytetit dhe e  krahinave, ai përshkrohej nga rrugë të mbushura nga të dyja anët me dyqane ngjitur me  njëri – tjetrin, pa asnjë rregull të mirfilltë arkitekturor. Dyqanet e pazarit ishin të vegjël, të ulët, me çati e me pak strehë, për të ekspozuar mallrat. Përpara kishin kanate druri (qepena) që u vendoseshin natën për t’i mbrojtur. Zemra e pazarit ishte rruga kryesore e tij, e gjatë, me rrugica anësore, të parregullta e me sheshe të vegjël. Numuri i dyqaneve varionte nga 500 deri në 2000, sepse pazari i Elbasanit konsiderohej si një ndër pazaret më të mëdha të kohës. Tregu i Elbasanit ndodhej në pjesën jugore të kështjellës, ishte i sistemuar në 8 rrugë kryesore, të drejta e me nëndarje që takoheshin nga njëra anë e sheshit të qytetit, në vendin ku ndodhej xhamia me kupolë plumbi i Hasan Ballies. Në afërsi gjendeshin xhamia e Pazarit dhe ajo e Agait. Pjesa kryesore e pazarit të Elbasanit ishte Sheshi i Tabakëve, në mes të të cilit ndodhej një shatërvan me dy çurgje, që derdheshin në basen, ku mund të pinin ujë njëherazi 12 kuaj të një karvani. Në sheshin e Elbasanit ishte edhe simboli i tij, rrapi madhështor me pusin pranë. Aty ishte edhe Xhamia e vjetër e Tabakëve, dyqanet e bakenjve, furrat, qoshku i tabakëve dhe 6 nga hanet kryesore të qytetit. Aty kishte shumë lëvizje, por sidomos në ditët e pazarit bëhej i pakalueshëm, prej çermenikasve e mokrarëve që shisnin fruta e perime.

Elbasani dallohej edhe në ndërtim, dallim bënin sidomos çermenikasit e krahinës veriliondore të qytetit.

Sipas S.Frashërit “…në Elbasan, krimbi i mëndafshit rritej me shumicë”.

Në të gjithë Shqipërinë e Mesme, Elbasani dallohej edhe për përgatitjen e hallvës.

Nëse ndalemi tek aspekti politik, si në të gjithë Shqipërinë e mesme, edhe në Elbasan ekzistonte sundimi administrativo – ushtarak, që ishte në dorën e familjeve të mëdha feudale, me pozita të privilegjuara politike e shoqërore.

Në arsim gjendja ishte e tensionuar. Lejohej të mësohej vetëm në greqisht e turqisht, ndërsa shqipja ishte e ndaluar. Në kushte të vështira, veprimtari të gjallë atdhetare në arsimin kombëtar, kreu edhe Elbasani, përmes atdhetarit Kostandin Kristoforidhi, i cili jepte fshehurazi mësim në gjuhën shqipe. Në Elbasanin e Kristoforidhit, deri në fundin e shek.XIX, shumë dyqane, shtëpi e magazina shërbenin si ambiente të fshehta ku mësohej shkrim e lexim në gjuhën shqipe.

Në apektin fetar, masa e madhe e popullsisë ishte islamizuar, por përveç kësaj kishte edhe banorë të krishterë, ortodoksë dhe katolikë. Në Elbasan Kisha Ortodokse, kishte krijuar mitropolinë e saj, e cila kishte organizuar edhe komunitete fetare, që trajtonin probleme shoqërore.

Në vitet ’70 – ’80 të shek.XVIII-të në Elbasan, ashtu si edhe në qytete të tjera, u vendos popullsia vllehe.