Autor: Ruzhdi Stringa

Një stadium, ai që pritet të jetë më i miri për ca kohë në Shqipëri, po bëhet me emër të ri. Emërtime të tilla qytetare unë do t’i konsideroja si “fjalë kyçe të tekstit të shkruar nga ai qytet”. Ato, si të tilla, marrin vlera jo vetëm si dëftyese të brendisë, por edhe si krijuese të imazhit të vetë qytetit. Stacionet “Ad Dianam” në rrugën “Egnatia”, teatri “Skampa”, sheshi “Valm”, bar “Sahati” e bar “Porta e Kalasë”, universiteti “Aleksandër Xhuvani” e normalja “Luigj Gurakuqi”, revista “Kopshti letrar” e gazeta “Ura e Shkumbinit”, shtëpia botuese “Onufri”, sheshi “Gensher”, stadiumi “Elbasan Arena” janë disa nga këto “fjalë kyçe” në tekstin shekullor të qytetit, që rrëfejnë përmbledhtas brendinë dhe japin imazhin e vetë qytetit.

Kur unë e dëgjova për herë të parë emrin e propozuar për stadiumin, thashë me vete se do të ishte njësoj sikur emërtimin tradicional elbasanas “Ura e Shkumbinit” ta bënim “Shkumbin Ura” dhe aty për aty mendova se ata që e kanë pagëzuar, nuk kanë pasur mes tyre, përveç të tjerëve, një gjuhëtar. Qyteti i këtij stadiumi, me një “shkollë gjuhësore” të përvijuar prej kohësh, ka qenë gjithmonë në rradhët e para për punët me gjuhën shqipe, sidomos për ato përbashkuese (Kristoforidhi), pastrim-pasuruese (Xhuvani) dhe shprehëse (Haxhiademi). Elbasani vazhdon të jetë i tillë dhe për këtë bindesh, qoftë edhe kur lexon vetëm  pinjollët e “familjeve të mëdha” këtu ku unë e kam shtruar pyetjen që në titull. Emërvënësit, po të ishin konsultuar me ndonjë mësues të “kësaj shkolle”, me siguri, do ta kishin dëgjuar vërejtjen mbi gjymtyrët e këtij emërtimi të gjymtuar. “Elbasan Arena”, gjithmonë nëse pranohet si emërtim në gjuhën shqipe, është kuptimisht i gjymtuar, se ne nuk marrim vesh në kemi të bëjmë me arenën e Elbasanit apo me Elbasanin e arenës. Edhe gramatikisht ai paraqitet i tillë, sepse nuk ka asnjë mjet të shqipes, analitik ose sintetik, që t’i lidhë ato. Ndërkohë, pranëvënia gjymtyrore e këtij tipi është jashtë natyrës së shqipes. Për nga ndërtimi, kështu siç na vjen emërtimi, është prapë gjysmak, sepse do  të kishte përfunduar në njëfjalësim me rendin e duhur të gjymtyrëve, siç ka ndodhur në ndonjë rast (Fushëmbret, për të mbetur brenda emërtimeve të qytetit). Por dhe njëfjalësimi ende nuk është  i përgjithësuar në këtë lloj sintagme të gjuhës sonë.

Sidoqoftë, emërtimit “Elbasan Arena” edhe mund t’ia gjejmë “gjedhet” ku ai është mbështetur për t’u futur në rradhën e “fjalëve kyçe”. Nja dy po i përmend menjëherë që tani: Nga njera anë, “Allianz Arena”, emri i stadiumit dhe shtëpia e futbollklubit “Bayern Munich” dhe, nga ana tjetër “Elbasan Tava”, emri i gjellës karakteristike të qytetit, siç shënohet zakonisht nëpër listëgjellët e restoranteve jashtë Shqipërisë, veçanërisht në Turqi.

Modeli i parë imitohet për të nxjerrë në pah madhështinë e futbollit gjerman dhe nëpërmjet përafrimit të emrave të stadiumeve përkatëse, kërkohet që madhështia e njerit të shkojë te tjetri. Përqëndrimi në periferi të rrethit kuptimor të emrit arenë ma jep të drejtën e këtij pohimi.

I dyti model mund të thirret në ndihmë për strukturën e njejtë me emërtimin e ri, por e dhëna “Elbasan Tava” nuk është në gjuhën shqipe dhe unë nuk e di nëse emërvënësit kanë dashur t’i venë stadiumit një emër të huaj (statusi i vendit kandidat për në BE është justifikim). Nëse është kështu, me një ndjesë të madhe për kohën që ju mora duke më lexuar në këto rradhë, do të filloj kërkimet për emrat e stadiumeve të botës, sidomos të vendeve të BE-së në gjuhë joamtare.

Për të dalë atje ku e nisa emërtimi “Elbasan Arena” i stadiumit të Elbasanit, nëse është shqip dhe i formës përfundimtare, që sot e tutje do të jetë një tjetër “fjalë kyçe” brendidëftyese dhe imazhkrijuese në tekstin që vazhdon të shkruajë qyteti.

Ah, se harrova t’ju pyes: Në ç’gjuhë ju duket emri i ri stadiumit të Elbasanit?

Shënim: Autori është specialist i gjuhës shqipe pranë Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit.

Pekin, 2014

Stadiumi i Elbasanit në ndërtim, viti (?)

Stadiumi i Elbasanit në ndërtim, viti (?)