Cili ishte Doktor Nosi?

Nga Hyqmet Zane

Doktor Steliano Nosi lindi më 15 shkurt 1917, në lagjen “Kala” të Elbasanit, në një familje me tradita të shquara atdhetarie, si i biri i Grigorit dhe Eleonorës.

Mësimet e para i mori në shkollën e lagjes dhe të mesmen në liceun e Korçës. Më pas vazhdon studimet në Stamboll të Turqisë në Kolegjin e njohur amerikan “Robert Kolezh”, të cilin e mbaron me rezultate të shkëlqyera. Në karakteristikën që jep kolegji, do të shkruhej: “ Është nxënës inteligjent dhe shumë human”. Përveç rezultateve në mësime në kolegj Stiliano, dallohet dhe në sport: merr dy medalje, një në vrapimin e shpejtësisë 100 m dhe tjetrin në kërcim së larti. Për kolegjin doktori kishte shumë nostalgji dhe e kujtonte gjithnjë si një shkollë shumë serioze.

Pas përfundimit të kolegjit, në vitin 1935, fillon studimet e larta në degën e mjekësisë, në Bejrut të Libanit dhe i përfundon ato në Bolonjë të Italisë në vitin 1943, ku diplomohet si mjek, me rezultate shumë të mira. Si student i ri  dhe meqenëse nuk e njihte italishten profesori italian në Bolonjë, cakton një student shqiptar, doktor Kaço Kaurin, që ta kishte në përkujdesje. Kur Stelianoja dha provimet e diplomës shkëlqyeshëm, profesori italian përgëzoi doktor Kaço Kaurin, por ky I fundit ia atribuoi rezultatet, cilësive të jashtzakonshme të vetë Stelianos.

Doktor Steliano Nosi i ri, Arkivi Digjital Elbasan

Doktor Steliano Nosi i ri

Me marrjen e diplomës rikthehet në qytetin e lindjes ku dhe fillon punën si mjek në vitet e turbullta të Luftës II Botërore. Në vitin 1944 inkuadrohet në rradhët e Brigadës 17, ku dhe shërben si mjek i kësaj brigade.

Në vitin1945 diktatura komuniste e dënon me 5 vjet heqje lirie, për strehimin dhe ndihmën që i kishte dhënë xhaxhait të tij, patriotit të shquar Lef Nosit, një prej figurave elitare më të shquara të qytetit, me kontribute të pakrahasueshme në shërbim të kombit dhe çështjes shqiptare. Pas tre vjetëve burg, ai lirohet falë opinionit të të gjithë qytetarëve elbasanas. Që nga ajo kohë e deri sa ndërroi jetë, ai dhe puna e tij u lidh në mënyrë të pazgjidhshme me Elbasanin.

Në vitin 1950 doktori u martua me Elsa Dovanën, diplomuar në një kolegj të Bresanones në veri të Italisë, që ishte bijë e deputetit të Parlamentit të Zogut, Vlash Dovana, sot Nderi i Qytetit të Durrësit dhe motra e patriotit të shquar Niko Dovana, emrin e të cilit e mban sot stadiumi i qytetit të Durrësit

Doktor Nosi ishte nismëtar i lëvizjes “Mjek i Ndërmarrjes”, lëvizje e organizuar për herë të parë në Elbasan, në vitet ’60, dhe ai vetë do të bëhet mjeku pa pagesë i kombinatit të drurit “Nako Spiru” po në këtë qytet. Kjo lëvizje u përqafua më pas edhe nga mjekë të tjerë në qytetet e Shqipërisë.

Së bashku me Prof. Kalmarin, Prof. Ndroqin, Dr. Karagjozin merr pjesë në grupin e mjekëve, që vunë bazat shkencore të Ftiziatrisë në vendin tonë.

Dr. Steliano Nosi ka dhënë gjithashtu një ndihmesë të paçmuar në organizimin e Kurseve Sanitare të ngritura nga Kryqi i Kuq Shqiptar, Kurseve të Ngritjes Profesionale të Ndihmësmjekëve si dhe në shkollën e parë mjekësore që u ngrit në Elbasan.

Por mbi të gjitha, ajo çka do të mbetet në kujtesën kolektive të bashkëkohësve të tij janë humanizmi, thjeshtësia, urtësia dhe gatishmëria që e karakterizuan këtë njeri të mrekullueshëm gjatë gjithë kohës që ai shërbeu në profesionin e nderuar të mjekut në Elbasan. Është e vështirë të gjesh një elbasanas që ka jetuar në kohën e tij që te mos e ketë dëgjuar emrin e doktorit dhe të mos jetë dëshmitar i respektit me të cilin përmendej emri i tij.  Nuk ka, ndoshta një familje në Elbasan, ku të mos ketë shkelur Dr. Nosi. Gjatë këtyre vizitave janë të shumta rastet kur ai, së bashku me recetën u jepte pacientëve edhe lekët për të blerë barnat.

Ky humanizëm e kishte origjinën jo vetëm në pasionin e tij për cdo gjë njerëzore por edhe në kulturën që ai mori nga familja. Nëna e tij Eleonora do të kujtonte gjithmonë: “Grigori (i ati) dëshironte që Stelianoja të bëhej mjek dhe të punonte në stacionin termal të Llixhave të Elbasanit që ishin pronë e tij dhe t’i shërbente falas popullit të Elbasanit”.

Familja Nosi gjatë Luftës II Botërore i tregoi këto vlera humave, duke strehuar dhe mbrojtur nga terrori nazist familjet hebreje në Elbasan. Para disa vitesh, njëri prej hebrejve që ishte strehuar tek fabrika e vajit (pronë e familjes Nosi) dhe në Llixha, erdhi në Shqipëri dhe vizitoi këto ambjente i shoqëruar nga motra e dokrorit, Adelina (Nosi) Kosturi. Në Tel-Aviv të Izraelit, në një fasadë muri prej mermeri që quhet “Muri i Nderit”, janë shënuar emrat: Vasil Nosi, vëllai Dr. Nosi dhe motra Adelina për mbrojtjen që i bënë popullit hebre. Të dy vëllëzërit Nosi janë dekoruar nga shteti Izrealit me medaljen “Të drejtë midis popujve”.

Pllaka me falenderimin e pupullit hebre në Tel-Aviv, Arkivi Digjital Elbasan

Pllaka me falenderimin e pupullit hebre në Tel-Aviv

Skënder Kosturi dhe Marko Menahem në Jatt Vashem, Arkivi Digjital Elbasan

Skënder Kosturi dhe Marko Menahem në Jatt Vashem

Një autoritet i tillë me përmasa prej humanisti ekzemplar, i rrallë në kujtesën njerëzore, është njëherazi edhe një personalitetet, jeta e të cilit i bën nder familjes që e lindi, qytetit që e mbajti dhe kombit që e nxorri në dritën e Zotit për të mbetur i pavdekshëm, sepse ende mes nesh nuk është lindur a nuk është bërë kush tjetër si Dr. Nosi, “Qytetar i Nderi i Elbasanit, me një titull të fituar, që ia dha atij bashkësia qytetare dhe banorët e gjithë rrethit të Elbasanit dhe që e bën atë të pavdekshëm në panteonin e bijëve të kombit.

Ndërron jetë më 15 nëntor 1984, ndërsa ishte me stetoskop në dorë, duke vizituar pacientë.