Nga Hyqmet Zane

Dr. Perikli Sheti, Arkivi Digjital Elbasan

Dr. Perikli Sheti

Midis bluzave të bardha të Elbasanit si Dr. Nosi, Dr. Xhomo, Kiço Shqau e Dr. Lea e plot të tjerë që fituan respektin e mirënjohjen e të gjithë qytetarëve, do të rendisim edhe Dr. Perikli Shetin. E përbashkëta që i ka shoqëruar këta personalitete, që kanë vënë bazat e mjekësisë moderne në Elbasan, ka qenë profsionalizmi dhe humanizmi.

I lindur në Vuno dhe i diplomuar në Universitetin e njohur “Seçenov” të Moskës, në degën e mjekësisë, specialiteti kirurgji, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera, Dr. Perikliu refuzoi edhe kërkesën e Spitalit Universitar për të punuar disa vjet atje. Kthehet në Shqipëri më 1960 dhe fillon punë në Spitalin e Tiranës. Të shumtë janë ata pacientë që ia dedikojnë jetën duarve të shkathëta të kirurgut të ri, emri i të cilit shumë shpejt u bë i njohur në të katër anët e vendit.

Po kështu ai u shqua edhe si pedagog i përgatitur, leksionet e të cilit kujtohen edhe sot nga ish-studentët e tij.

Por me regjimin komunist, si shumë intelektualë të tjerë, nuk i pati punët mirë. E transferojnë në Elbasan, por edhe aty filluan kritikat e demaskimet publike, veç të tjerash edhe pse u martua me të bijën e një të dënuari politik. Pas kryerjes së dënimit, vazhdon punën në qytetin e Peqinit, deri sa në vitin1990, në ditët e ambasadave, iu bashkua fëmijëve të vet që kishin hyrë përpara tij, gjë që bëri përshtypje atë mot. Bashkë me familjen, emigroi në Amerikë, ku punoi në Spitalin Universitar të Nju Jorkut dhe banoi në Rixhvud (Ridgewood). Në komunitetin shqiptar të Kuinsit (Queens) apo dhe më gjerë, ai njihet si një nga bashkatdhetarët më aktivë për të ndihmuar emigrantët shqiptarë që nuk reshtnin së ardhuri pas viteve ’90.

Por ishte Elbasani, qyteti ku ai dha kontributin më të madh duke shërbyer natë e ditë me përkushtim, dashuri, dhe humanizëm duke u bërë një figurë e mirënjohur për të gjithë. Qindra e qindra jetë të shpëtuara. Një punë titanike, ditë e natë pa pushim. Operacione pa fund, kujdes i pandërprerë për të sëmurët me probleme.

Perikliu fliste shumë pak për punën e tij, ndonëse arritjet ishin ishin spektakolare. Ishin kolegët që e vlerësonin dhe respektonin. Ishin njerëzit e thjeshtë që ai i kishte shëruar apo ndihmuar, që ngrinin lart punën e tij. Ai ishte nga ata kirurgë që e kthyen kirurgjinë në art. Për të sjellë në kujtesë talentin e tij si kirurg po sjellin dy episode nga shumë të tjera që e kthyen në atë legjendë.

Rasti i parë është ai i një grua shtatzanë me astëm që e kish fëminë në një pozicion të rrezikshëm. Lindja normale ishte e pamundur, operimi gjithashtu, pasi për shkak të astmës narkoza do të vinte në rrezik jetën e gruas. Jeta e pacientes ishte në rrezik serioz. Perikliu mori vendim ta operonte pa narkozë, duke e lënë gojëhapur personelin që asistone në sallë. Ai e kreu operacionin sa hap e mbyll sytë. Ata s’kishin pasur mundësi as të merrnin veglat se fëmija tashmë kishte dale në jetë dhe nëna kish shpëtuar. Prindërit i vunë emrin Perikli.

Një tjetër rast Dr. Perikliu i cili shpesh kujdesej edhe për të sëmurët me leprozë që ndodheshin në atë kohë në zonën e Gostimës, operoi një pacient të tillë në një sallë të improvizuar jashtë spitalit në terren.

Dr. Perikliu ishte një kirurg pasionant, i aftë, me inisiativë. Ai e ktheu Spitalin Kirurgjik në një qendër shkencore universitare ku u specializuan dhjetra kirurgë të rinj. Ai ishte organizator dhe administrator i shkëlqyer që u përpoq gjatë për të krijuar një ambient për të sëmurët në gjendje kritike, dhe ja arriti me ato mundësi që kishte dhe kushtet që ishin .

Megjithë punën e palodhur, regjimi i kaluar u mundua me të gjitha format ta poshtëronte dhe diskretitonte padrejtësisht, por nuk ja arriti, sepse populli dashamirës i Elbasanit  e donte dhe e vlerësonte. Madje dhe sot e kësaj dite e kujton me nostalgji.

Ishte persekutimi deri në burgosje dhe privimi nga shkolla e fëmijve që e detyruan mjekun e shquar të linte gjithshka që kish ndërtuar gjatë gjithë jetës dhe të emigronte duke mos marrë parasysh rreziqet.

Në 8 mars 2012 Dr. Perikli Sheti u nda nga jeta, në New York ku edhe prehet. Në fjalën e rastit në Z. Mustafa Xhepa, ndër të tjera u shpreh duke iu drejtuar bashkëshortes Kozara, fëmijëve Ralfi dhe Eva, si dhe të gjithë pjesëtarëve të tjerë të familjes Sheti:

“Mendja e mjekut që vendosi bazat e kirurgjisë moderne në qytetin tonë, Elbasan, nuk punon më. Zemra që i dha jetë mijëra të tjerëve ka ndaluar së rrahuri. Zëri i ëmbël i intelektualit trim dhe të zgjuar që me fjalët e arsyes tronditi hetuesinë e tiranit ka heshtur”, janë të parat fjalë prekëse që shprehu zoti Xhepa, duke shtuar më tej:“Sot përpara nesh qëndron trupi i njeriut që miqësinë e ndërtoi  mbi besimin reciprok. Fjalët e tij menjëherë pas daljes nga burgu komunist më tingëllojnë ende të freskëta: “Tirani do të zhduket nesër, por njerëzit, viktimat e tiranisë tij do të jetojnë dhe dëshmojnë për krimet që po bën”.

Dhe unë sot dua të kujtoj mikun tim ashtu siç e kam njohur në kohën e tiranisë.

Njeriu fisnik, i cili do të braktiste Tiranën, të ardhmen, karierën e do të lidhej shenjtërisht me Kozarën për të krijuar familjen e ndershme me dy fëmijët e mrekullueshëm, Ralfin e Evën, kur shumë kolegë të tjerë, për të treguar besnikërinë ndaj partisë së krimit, braktisnin fëmijët, gratë, prindërit e të afërmit duke shkuar deri në mohimin e plotë të tyre.

Kirurgu me duart e arta, themeluesi i kirurgjisë moderne të qytetit të Elbasanit. Mjeku që shpëtoi qindra jetë e shëroi me mijra pacientë.

Shefi i kirurgjisë, i cili ruajti të pastër integritetin profesional duke mos pranuar t’i bindej pushtetit të krimit e të bëhej pjesë e mbulimit të një vrasjeje. Si hero biblik, ai zgjodhi të përballojë burgun komunist dhe pasojat e tij.

Shqiptari i madh, patrioti i pathyer që kur sharlatanë të bregut për treqind euro mohojnë gjakun e të parëve, Perikli Sheti si zgalem kudo që shkonte do të thoshte me krenari se ishte shqiptar.

Prehu i qetë miku im, idealet për te cilat ti punove dhe sakrifikove nuk vdesin kurrë.

Ti do të jesh në mendjen e zemrën time… në mendjen dhe zemrën tonë”.

Kolegët e tij më të rinj e më të vjetër që e kujtojnë me respekt Dr. Perikliun, si Shefqet Deliallisi apo Neki Harja, Kasem Dylgjeri apo Bujar Kllogjeri, Agron Braho apo Pjerin Xhuvani, Eli Dino apo Luan Rrapi, Sali Pani apo Arben Paralloi, Besnik Tollumi apo Resmi Balla, Arben Kamami apo Zheni Gjergji, Qemal Elezi apo Etmond Laho, Grigor Dedi, por edhe shumë e shumë qytetarë e pushtetarë të Elbasanit, por edhe në Tiranë e gjetkë, kanë shprehur keqardhjen e tyre për humbjen dhe pamundësinë për ti bërë nderimet e duhura e për ti dhënë lamtumirën për në banesën e fundit me respektin që meritonte.

Ndoshta një ditë ky doktor i mrekullueshëm do të jetë “Qytetar Nderi” i Elbasanit juridikisht, se i tillë ai ishte dhe mbeti se hodhi bazat e kirurgjisë moderne në Elbasan, duke u cilësuar i nderuar si mjeku i jetës dhe humanizmit njerëzor