Dr. Esat Bordi, Arkivi Digjital Elbasan

Dr. Esat Bordi

Esat Bordi, ose siç njihej nga qytetarët elbasanas Doktor Bordi, lindi në Elbasan më 19 Nëntor 1919, nga një familje qytetare. Arsimin fillor dhe të mesëm i kreu në qytetin e lindjes. Pasi mbaroi shkollën Normale ka punuar si mësues në fshatrat e rrethit të Elbasanit.

Gjatë viteve 1940-1943 ka ndjekur studimet e larta në degën e filozofisë në Universitetin e Firencës, Itali. Zhvillimi i luftës e detyroi të ndërpriste studimet dhe të kthehej në Shqipëri. Për një periudhë punoi si inspektor arsimi në rrethin e Tiranës.

Në vitin 1946 filloi studimet në degën e mjeksisë të Universitetit të Sofjes në Bullgari, studime të cilat i mbaroi shkëlqyer në vitin 1952.

Me mbarimin e studimeve kthehet në Shqipëri dhe po atë vit fillon të punojë si mjek në Bicaj të Kukësit, e më pas në Durrës e Tepelenë. Më 1956 caktohet të punojë si mjek pediatër në qytetin e lindjes në Elbasan dhe gjithë jetën e tij ia kushtoi punës me fëmijët. Ai sakrifikoi maksimumin për fëmijët e sëmurë të Elbasanit dhe rretheve Librazhd, Gramsh, Peqin, Rrogozhinë dhe me punën e kujdesin e tij të palodhur ka shpëtuar jetën e qindra fëmijëve.

Ai punoi për të ngritur shërbimin pediatrik në Elbasan që nga ai profilaktik, kurativ, dhe propagandistik dhe nënvlerësuar aspak shërbimet e tjera të mjeksisë mund të themi se shërbimi pediatrik është më i vështiri. Kjo se kemi të bëjmë me një krijesë që porsa ka ardhur në jetë dhe ka të domosdoshme si asistencën e prindërve edhe të personelit mjeksor. Në kohën që Dr. Bordi filloi punën si pediatër të dy këto komponentë ishin defiçitare. I pari për terrenin kulturoro-higjeno-sanitar mjaft defiçitar, sidomos të nënave tona dhe i dyti për mungesë të kushteve si ambjenteve të përshtatshme, personelit, medikamenteve dhe deri tek veshja dhe ushqimi i fëmijës.

Të gjitha këto bënin që mortaliteti të ishte i lartë dhe vizitat në poliklinikë dhe trajtimi i fëmijëve të sëmurë në spital të merrte të gjithë kohën. Megjithatë Dr. Bordi duke përfituar nga niveli i lartë profesional, ndërshmëria e lartë humanitare në kryerjen e detyrës, nga sakrifica dhe devotshmëria për ndihmuar cilindo që kishte nevojë, gjente kohën që të merrej edhe me organizimin e shërbimit profilaktik, propagandistik dhe kurativ. Kështu u krijuan këshillimoret e para dhe filloi decentralizimi i shërbimit pediatrik në lagje e zona dhe më vonë edhe në fshatra.

Në vitin 1958 caktohet shef i repartit të pediatrisë në spitalin e rrethit Elbasan, detyrë të cilën e mbajti deri sa doli në pension në vitin 1980. Nga një repart me 10 të sëmurë e mëvonë 20 shtretër, reparti i pediatrisë në spitalin e Elbasanit arriti deri në 150 fëmijë të shtruar në stinën e verës dhe e gjithë kjo punë realizohej në 10 dhoma që kishte ky repart deri në vitin 1980. Nuk ishin të pakta ditët kur në këtë repart të shtroheshin edhe 20 fëmijë të sëmurë. Gjithë kjo punë voluminoze në këto ambjente të vogla dhe të përshtatura, realizohej vetëm duke patur një organizim të mirë, një disiplinë korrekte, një shpirt humanitar dhe një nivel të lartë profesional në rritje. E për të gjitha këto meritë të veçantë ka Dr. Bordi si shef i këtij reparti.

Dr. Bordi karakterizohej nga kërkesa për të përmirësuar punën, ç’ka dukej në përmirësimin e cilësisë së shërbimit pediatrik vazhdimisht. Kështu erdhi duke u shtuar gama e metodave të reja diagnostikuese si dhe u vunë në zbatim metoda të reja mjekimi dhe trajtimi. Kjo bëhej e mundur vetëm me një nivel të lartë profesional siç kishte Dr. Bordi. Ai punonte vazhdimisht për ngritjen e tij profesionale duke lexuar literaturën bashkëkohore. Për këtë e ndihmonte zotërimi i disa gjuhëve të huaja si italisht, frengjisht, rusisht dhe bullgarisht. Në këtë mënyrë ai merrte informacion nga shtypi mjeksor botëror dhe mundohej ta vinte në zbatim në punën e përditshme.

Duke patur këtë bagazh të madh teorik dhe praktik, ai jo vetëm që u bë një pediatër i dëgjuar në rrethin e Elbasanit, por punoi për transferimin e aftësive të tij tekniko-profesionale tek stazhierët që kanë mbaruar fakultetin e mjeksisë dhe është marrë me kualifikimin e kjekëve pediatër të ardhur në kohë të ndryshme në rreth. Duke ditur rëndësinë e punës së personelit të mesëm dhe sanitar në pediatri, ai punoi për ngritjen tekniko-profesionale të kuadrit të mesëm.

Ka punuar tema shkencore si: Bronkopneumonia në fëmijët e shtruar në spital 1964-1968; Mjekimi i Bronkopneumonive dhe dieta; Distrofia dhe rakiti në 1971-1973; Dispepsia dhe trajtimi i saj; Në spitalin e Elbasanit për 15 vjet, etj.

Të gjitha këto bënë që Doktor Bordi të gëzonte një respekt të veçantë në spital ku ai punoi në pjesëm më të madhe të jetës së tij, ku megjithëse ka disa vjet që është larguar, nga të gjithë kujtohet me respekt puna, personaliteti dhe niveli i tij tekniko-profesional.

Populli i qytetit të Elbasanit, pse jo dhe i rrethit të Elbasanit, do të kujtojë gjatë Doktor Bordin, i cili nuk ka familje pa i dhënë ndihmë mjeksore dhe nuk ka shtëpi elbasanase pa u vizituar nga stetoskopi i tij. E gjithë kjo punë që Dr. Bordi ka bërë gjatë karrierësë së tij si mjek, ka një motiv që atë e ka udhëhequr dhe i ka dhenë forcë: “Dashuria e veçantë që kishte për të gjithë njerëzit”.