Dosja e zezë e komunizmit në Elbasan. Dënimi i të rinjve elbasanas në 1946

Nga Kastriot DERVISHI

Si të gjithë qytetet dhe krahinat e tjera të Shqipërisë edhe Elbasani ka pasur proceset e veta politika në fillimet e regjimit komunist. I dalluar si një zonë me arsim më të lartë sesa krahinat e tjera, ky qytet ra pre e goditjes së komunistëve në mënyra të ndryshme, por duke pasur kurdoherë një disidencë dhe një antikomunizëm që pak është bërë i njohur në studimet dhe shkrimet e pas vitit 1991. Duke qenë ndër të tjera një qytet me përplasje të forta, me klane komuniste të forta, por edhe me qëndresë antikomuniste të admirueshme, Elbasani në vitet e para përjetoi me dhimbje skena nga më të tmerrshmet në historinë e tij. Të marra në një plan, proceset politike të ndodhura në këtë qytet përbëjnë një dosje të zezë të komunizmit këtu, por që për fat të keq ishin të mbuluara nga pluhuri i harresës së thellë dhe i parakalimit nga çështje të tjera të së njëjtës teme. Duke dashur ta shfletojmë atë që do ta quajmë “dosje të zezë” të komunizmit të Elbasan, kemi filluar pikërisht nga dënimi i grupit të të rinjve. Ishte një kohë kur spektakël quhej gjyqi dhe prodhim quhej vdekja.

Qëndresa antikomuniste në Elbasan, haset në forma intelektuale në organizimin e propagandës, përhapjes së trakteve, agjitacionit kombëtar, etj.

Një qytet me profil më të madh intelektual për shkak të qenies në të të normales së parë në vend, sigurisht edhe profilin e qëndresës e kishte në këtë plan.

Aktakuza e 7 tetorit 1946

Në siglat e mërzitshme “Vdekje – Fashizmit, Liri Popullit”, si kopje e “Smërt – Fashizmi – Sllobonda – Narodni”, Prokuroria e Gjykatës Ushtarake Elbasan, me anë të prokurorit Naim Kuçi njoftonte Gjykatën Ushtarake të Elbasanit për aktakuzën e përbashkët ndaj:

1.Salim Hysen Cekës nga Elbasani.

2.Apostol Thanas Gega nga Elbasani.

3.Nazmi Mustafaj nga Elbasani.

4.Makansen Ali Bungo nga Elbasani.

5.Tahsim Xhaferr Çiftja nga Elbasani..

6.Muharrem Hajredin Qafëzezi nga Qafëzezi i Korçës banues në Elbasan.

7.Zija Sulejman Dylgjeri.

8.Hasan Ymer Graceni.

9.Ali Ahmet Kurti nga Elbasani.

10.Hiqmet Beqir Bumçi nga Elbasani.

Aktakuza pothuajse ishte e ngjashme për të gjithë. Të gjithë personat akuzoheshin se gjatë luftës kishin qenë “në shërbim të fashizmit”, se pas lufte kishte zhvilluar aktivitet kundërrevolucionar duke organizuar “organizatën terroriste të veprimit Shqipëria”, ishin në lidhje me “reaksionin”, kishin nxjerrë shkrime me “përmbajtje antipopullore dhe antidemokratike”, kishin shpërndarë traktet e grupit, kishin sabotuar ndërtimit të vendit.

Hetuesia ndaj Apostol Gegës

Më 3 tetor 1946 prokurori Naim Kuçi merr në pyetje Apostol Gegën, 25 vjeç, arsimtarë, i pamartuar, me arsim të mesëm, i padënuar më parë. Gjatë luftës ai kishte qenë sekretar i rinisë antifashiste të lagjes “Shën – Koll”. Pasi ishte larguar nga ky funksion në nëntor 1945 kishte shkuar mësues në Peqin e më vonë në Grabovë A. Ishte pushuar nga puna për shkak të çështjes së nderimit me grusht. Një mësues tjetër kishte kërkuar që nxënësit patjetër të nderonin me grusht, gjë që Gega nuk e ka pranuar. Mospranimin ai nuk kishte shoqëruar me veprime të forta, d.m.th nuk i kishte rrahur nxënësit asnjëherë. Përveç kësaj as reformën agrare nuk e kishte shikuar me sy të mirë për shkak të cenimit të pronës së tij. Rrethi shoqëror i tij përbëhej nga Zija Dylgjeri, Selim Ceka, Makasen Bungo, Hasan Graceni, Muharren Qafzezi, Nazmi Fagu, Virtyt Gjylbegu, Hiqmet Bumçi, Tahsim Çiftja, Ferit Baholli, Misir Voci, Kaliro Noçka. Në Tiranë ky rreth përbëhej nga: Njazi hoxha, dhe Zef Ded Prenga.

Bisedat e tyre ishin komentimi i lajmeve dhe mbi bisedimet e ministrave të jashtëm në konferencën e paqes. Për komunizmin e Trockit, Gega kishte thënë se ishte shkencor, ndërsa vrasja e tij si një veprim tradhtar të partisë. Me Hasan Gracenin ishte njohur nëpërmjet M. Bungës. Me të ishte takuar gjithsej 3 herë.

Apostoli duke komentuar në rrethin e tij zhvillimet e konferencës së paqes kishte thënë se bota nuk bëhej në një mendje dhe për këtë gjë kishte kërkuar një revolver, për të cili kishte marrë premtimin e Zija Dylgjerit. Kishte thënë se do ta shihnin cili ishte Apostol Gega. Mbi gjendjen në Tiranë, pohonte se i kishte bërë përshtypje popullit dënimi i Gjergj Kokoshit.

Trakti i shpërndarë në atë kohë

Njëri nga traktet e të rinjve elbasanas në atë kohë ishte një akuzë e fortë mbi regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe mbi vetë atë. Mund të shihet përmbajta për të arritur në përfundimin se ç’përmbante formulimi i saj.

Vëllezër e motra të dashura!

Sikurse e dini, për të fituar lirinë dhamë çdo sakrificë, bëmë çka për të përkrahur e ndihmuar indirekt vëllezërit tonë që patën dalë nëpër male për të luftuar armikun me të vetmin qëllim patriotizmi e nacionalizimi. Mirëpo sikurse e patë edhe juve me sytë tuaj para se këto të zbrisnin nëpër qytete na formuan ushtrinë pseudo nacionalçlirimtare që në realiteti ishte prapa perdes Partia Komuniste, rrëmbyese e lirisë dhe e pasurisë sonë. Neve këtë ide të poshtër dhe të ndyrë e dinim se ç‘ishte në praktikë, por politika e qelbur e Moskës i bëri djemtë tanë të lidheshin pas qerres së saj shkatërrimtare, në një mënyrë sa të vrasë i biri të atin sikur me i pasë futur trutë e gomarit, shembull të tillë kemi në qytetin tonë. I shituri këmbë e krye, me motrat e tij, Sulë Misiri (censuruar emri – shënim), vrau në besë atin e tij H.M. (censuruar emri – shënim), të cilin e njohin të gjithë se ç’burrë ka qenë. Me plor rrena gënjefshin fshatarët e varfër dhe masën punëtore e intelektuale se neve jemi ata që do t’ju bëjmë të hani me lugë floriri, do t’ju bëjmë të gjithë njësoj etj. Më së fundi kur e panë se populli i kuptoi dhe nuk i hante këto rrena vunë në zbatim terrorin duke vrarë personat më të ndershëm dhe udhëheqës nacionalistë tek të cilët kishin frikë, sikurse vepruan edhe tani me gjyqin ushtarak, pse kështu thotë politika ruse që po të vrasësh udhëheqësit, populli mbetet bagëti do të mbetet në duart tona.

Këtë politikë të qelbët e pamë tani në praktikë me statusin grabitqarë që bëri rebeli Enver Hoxha, ushqye për sevapë nga Ibrahim Biçakçiu me Koçi teneqexhinj me Sul Ferexhenë e Elbasanit e shokët duke trumbetuar sa me gazeta, me radio e diskutime të ashtuquajtura se ky statut siguron të drejtat e çdo shqiptari, siguron dhe nuk cenon pasuritë private, dhe e bën Shqipërinë demokratike, etj.

Rebeli Enver, ose më mirë më thënë i shituri i Moskës me shokët e tij, kujtuan se populli akoma është në gjumë dhe nuk i kupton dhe me dekrete mbi dekrete, urdhëresa mbi urdhëresa cenoj dhe zaptoi krejt pasuritë privatë, bile pa shpërblim. Si duket çuan në vend fjalën që i patën premtuar popullit të varfër se do t’i bënin të gjithë njësoj si sportistët e Spartakut me gjysmë këpucë e rrobat e grisura. S’patën fare turp, rrëmbyen krejt arin me tatimet e jashtëzakonshme të luftës dhe ia dërguan pastaj mustaqe Stalinit që kapte një shumë 280 mijë napolona ar. Kanë të drejtë, i b[në të gjithë njësoj. Askush nuk ka më shumë se 50 napolona fazlla, bujkut i rrëmbyen tokën e mirë dhe i dhanë më të dobëtën dhe më pas sesa pati, sa për të mos ngordhur dhe të mirën e bërë fermë shtetërore. Formuan edhe kooperativat, ndaluan edhe shitjen e lirë dhe atëherë “fitoi” bujku.

Vëllezër të dashur! E shihni që të gjithë në sytë tuaj se ç‘ngjan deri sot mbetet rrugëve se jeni tregtarë, dyqanet tuaja u plaçkitën. Mbetën raftet bosh, se ne jemi pronarë, pronat tuaja u rekuizuan, se jeni tregtarë të vegjël, shitës. Për ju s’mbeti gjë se edhe domatet i shtet kooperativa dhe se je punëtor duhet të punosh njëherë vullnetar e pastaj të hash një copë bukë e të veshësh një palë lecka si ato të Spartakut, por tani ruhuni se mos rekuizoheni dhe juve për në frontin grek e aleat. Më falni se ju kanë mbetur edhe shtëpitë që nuk janë rekuizuar e do të punoni për baba Stalinit dhe komunizmin grabitës. Ju këshilloj të mos rrini në gjumë. Shihni se ç’bëhet jashtë e brenda. Lufta është në pragun e derës, ushtarët shqiptarë dita – ditës kalojnë kufirin. Nacionalistë të ndershëm kanë dalë maleve, bashkohuni dhe jepni dorën njëri – tjetrin se mbërriti koha e çlirimit.

Nacionalistët

Zhdukje komunizmit

Çlirimi i njerëzimit

Apostol Gega, mësuesi që ndaloi nxënësit të nderonin me grusht

Padyshim që Apostol Gega sipas të dhënave arkivore ishte idealist i madh. Antikomunist i pakompromis ai ndoshta del më i veçantë sesa mendohej në Elbasan. Është revolta e njeriut të edukuar në shkollën Normale të Elbasanit me dashurinë për atdheun dhe kombin. E kjo dashur e mëkuar këtu nuk kishte lidhje me komunizmin. Arrestimi në këtë mënyrë i të rinjve elbasanas nuk ishte i rastësishëm. Ishte ndëshkim edhe për vetë Normalen. Një ndëshkim i përnjëhershëm që do të pasohej nga ndëshkimi gradual. Tashmë në Elbasan gjendjen e kishin në dorë vetëm disa. Aq të zinj, saqë ishin gati t’i bënin gropën njëri – tjetrit. Sado që në atë kohë bënin ligjin në Elbasan, kanë lënë kaq shumë letra kundër njëri – tjetrit saqë më shumë se kurrë tregojnë madhësinë e ligësisë së tyre.

Më 31 gusht 1946 ora 21.45 në seksionin e Sigurimit të Shtetit në Elbasan, togeri T.B. ka marrë në pyetje Apostol Gegën. Në fillim të fjalëve të tij ai thotë se në kohën e Zogut kishte qenë student në normale. Më 1943 ishte pranuar nëpunës në Bankën Kombëtare në Elbasan ku ka shërbyer deri në nëntor 1944. Është riemëruar në këtë detyrë dhe ka punuar deri në prill 1945 kur ka nisur shërbimin ushtarak të detyruar në brigadën e 11-të. Ka qëndruar vetëm 6 muaj në ushtri pasi është kaluar në arsim. Në nëntor 1945 emërohet mësues në Peqin dhe pas një muaji në Grabovë A të Gramshit. Këtu ka shërbyer deri në fund të prillit 1946.

Pohon të ketë qenë kundër ideologjisë komuniste, reformave të komunistëve. Mjafton të përmendet se një arë të vogël që regjimi i kishte marrë kishte fafëruar menjëherë familjen Gega. Rrethi shoqëror i Apostolit kishte qenë: Zija Dylgjeri, Nazmi Fagu, Ferit baholli, Selim Ceka, Muharrem Qafëzezi, Ahmet Kurti, Qemal Zaimi, Tahsim Çiftja, Hiqmet Bumçi, Viktor Zylfi, Mankasen Bungo, Virtyt Gjylbegu, Hasan Dilja, Misir Voci, Kaliro Noçka, ndërsa në Tiranë Njazi Hoxha dhe Ded Zef Prela.

Hetuesi kërkon të dijë pse Apostoli kishte folur keq kundër pushtetit, ndërsa merr përgjigjen se nuk kishte thënë kështu por më keq se po grabitej populli e po shitej vajguri me 10 franga shqiptare litri.

Po ashtu ai ndalej edhe në shpërndarjen e trakteve në Tiranë për nder të Musine Kokalarit dhe Gjergj Kokoshit për ta lidhur me autoritetin e madh që ata gëzonin në atë kohë.

Apostoli përshkruan të gjitha takimet që ka pasur me shokët e tij për gjuetinë e peshkut. Për Apostolin dhe shokët e tij, dy të rinj jashtë këtij procesi i kishin lidhur shëtitjet dhe gjuetinë e peshkun gjoja me qëllimin për të takuar Alush Lleshanakun që qëndronte në arrati. Këto dy rinj të njohur për bindjen e tyre të majta (që do të shprehej me marrjen e posteve të larta pak kohë më vonë), e fillonin kështu pabesinë ndaj shokëve të tyre të një moshe që do merrnin dënimin në emër të një urrejtje të madhe. Të tjera persona nuk e kishin për gjë të bënin denoncime në emër të një krenarie rastësore apo “detyre” instiktive.

Apostol Gega ishte njeriu idealist antikomunist që ndoshta nuk e kuptoi se “E freskëta” ishte njëri personave që i bërë peshqesh denoncimin kryesor atij dhe shokëve të tij dhe pas disa kohëve do ta vazhdonte “kontributin” me procese të tjera si ato që lidhen me emrat e Fadil Gurmanit, Et’hem Haxhiademit, apo edhe rolit dytësor në vrasjen e Alush Lleshanakut.

Më 12 tetor 1946 Gjykata Ushtarake e Elbasanit ka dhënë vendimin e saj nr. 344 “Në emër të popullit shqiptar” nën drejtimin e major Gjon Banushit dhe anëtarëve Teki Biçoku dhe Pertef Alizoti, kundër Apostol Gegës. Ky i fundit ishte arrestuar më 14 gusht 1946.

Gjykata “vërente” se Apostol Gega gjatë kohës së pushtimit kishte qenë nëpunës pranë Bankës Kombëtare në Elbasan me “mënyrat e tij dredharake” kishte mundur të merrte pjesë në mbledhjet antifashiste që bëheshin nga nëpunësit e bankës. Pa asnjë provë, gjykata i vinte në ngarkim Gegës spiunimin e Spiro Gjiknurit, i cili kishte mundur megjithatë të arratisej. Duke vazhduar pa asnjë provë, gjykata quante provë ndalimin e nderimit me grusht që mësuesi Gega u kishte bërë pa asnjë trysni nxënësve të tij në fshatin e humbur Grabovë A të Gramshit.

Gjykata vërente se ai ishte në bashkëpunim të ngushtë me Salim Cekën dhe Nazmi Fagun duke mundur të shtrihej edhe në një numër tjetër shokësh si me Zija Dylgjerin, Mankasen Bungon, Muharem Qafëzezin, Ahmet Kurtin etj, duke bërë organizmin e mbledhjeve treshe. Përveç kësaj ai akuzohej se Halit Shëngjinit i kishte dhënë të holla për të ndihmuar të arratisurit. Gegës i atribuohej edhe thirrja “Kumbona e Kushtrimit”. Kjo merrej si thirrje drejtuar popullit dhe rinisë, duke sulmuar të ashtuquajturin “pushtet popullor”.

Gjykatësi Banushi një shërbëtor vogël i dikurshëm i fashizmin merrte pozita antifashisti teksa vinte në satër të dënimeve pikërisht njerëz që ishin vërtet antikomunistë, por që kishin qenë qartazi antifashistë.

Arrestimi i Gegës

 Në arsyetimin e vendimit, jepet edhe mënyra e arrestimit të Apostol Gegës. Pas shpërndarjes së trakteve, atë ditë është larguar për në fshatin Mlizë të Elbasanit, ku edhe është arrestuar. I izoluar në Seksionin e Sigurimit në Elbasan, Gega ka mundur të hidhet nga kati i dytë i dritares duke bërë një largim spektakolar. Është strehuar te halla e tij ku kanë shkuar partizanët duke e arrestuar sërish pas dy orësh. Në çastin e arrestimit Gega i është drejtuar prangosësve të tij me këto fjalë:

“Edhe këtu erdhët e më gjetët or të shitur për copa buke te Moska dhe te Tito”.

Dënimi me vdekje

 Në përfundim gjykata në zbatim të nenit 15 të ligjit nr.41 datë 14 janar 1945 “Mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake” dhe nenit 1 të ligjit nr.21 datë 15 dhjetor 1944 “Mbi sabotatorët e pushtetit”, vendosi dënimin me vdekje.

Gjykata e Lartë Ushtarake: dënim me vdekje për Gegën

Pas është dhënë vendimi pa asnjë provë për ekzekutim me vdekje, më 15 tetor 1946 Gjykata e Lartë Ushtarake në Tiranë e përbërë nga major Frederik Nosi, kapitenët e I Veledin Zeneli ka marrë në shqyrtim çështjen duke mos i hequr asgjë vendimit me vdekje të dhënë për Apostol Gegës.

Enver Hoxha miraton dënimin me vdekje të Apostol Gegës

Dënimi me vdekje i Apostol Gegës ka marrë formën e prerë kur është nënshkruar edhe nga ministri i Mbrojtjes Kombëtare gjeneral – kolonel Enver Hoxha. Me anë të një radiogrami të posaçëm, ai njoftonte Gjykatën Ushtarake Elbasan më 24 tetor 1946 se miratohej dënimi me vdekje për Apostol Gegën, duke kërkuar të lajmërohet për datën e ekzekutimit dhe vullnetin e fundit të tij.

Fjalët e fundit të Apostol Gegës

Më 13 nëntor 1946 prokurori i çështjes njoftonte Prokurorinë e Gjykatës së Lartë Ushtarake se në orën 8.00 të asaj ditë ishte ekzekutuar Apostol Gega. Fjalët e fundit të tij kishin qenë: “Veprimtarinë time e konsideroj ideale dhe duhet të kemi lirinë e mendimit”.