Doktor Vili Mazreku lindi më 15 prill 1919 në Shkodër.  Shkollën e mesme e kreu në qytetin e lindjes.

Doktor Vili Mazreku

Doktor Vili Mazreku

Studimet e larta i vazhdoi në Universitetin e Bolonjës, në Fakultetin e Mjekësisë nga viti 1938 deri më 1944, kur u diplomua si Mjek i Përgjithshëm.

Fillimisht si mjek punoi në qytetin e Shkodrës dhe në qytete të tjera të veriut të Shqipërisë. Në vitin 1945 ai u mobilizua si mjek pranë ushtrisë.

Në vitin 1954 del në lirim me gradëm “Major”.

U kujdes veçanërisht për mjekimin e sëmundjeve infektive e me rrezikshmëri vdekjeprurëse si: malarja, sifilizi, turbekulozi, difteria, poliomeliti etj.

Gjatë punës së tij si mjek ka punuar në rrethe të ndryshme si në Gjirakastër, Shkodër, Lezhë etj.

Doktor Vili u vendos në Elbasan në vitin 1955 ku punoi si mjek në Spital dhe më pas në Qendrën e Higjenës po në Elbasan si mjek infeksionist. Në bashkëpunim edhe me mjekë të tjerë të kësaj plejade si Dr. Nosi, Ali Deliallisi etj, u kujdesën dhe ia kushtuan jetën ruajtjes së shëndetit të popullatës së Prefekturës së Elbasanit.

Doktor Vili u  martua me Shpresa Beqir Rusi, babai i së cilës Beqir Rusi, ishte martuar me Sadete Aqif Pashën (Biçaku), të bijën e Aqif Pashë Biçakçiut dhe  motrën e Ibrahim Biçakut, ish – kryeministër në vitin 1944. Nga kjo martesë pati dy fëmijë.

Nga ana tjetër daja i Vili Mazrekut ishte patrioti Luigj Gurakuqi.

Fakti që rridhte nga një familje demokratësh dhe që krijoi familje me një pinjolle të Biçakçinjve bëri që ai të keqtrajtohej dhe persekutohej nga regjimi komunist.

Vili Mazreku ndërroi jetë në 4 korrik të vitit 1998.

Korrekt në punë dhe kompetent në parandalimin e sëmundjeve epidemike  Vili Mazreku dha shembullin e një doktori model që edhe sot e kësaj dite ka lënë emër të mirë në mjekësinë e qytetit tonë.

Në vitin 2010 Këshilli Bashkiak i qytetit të Elbasanit vendosi t’i vërë një rrugice në Lagjen “Fushëmbret” emrin e tij.