Nga Hyqmet Zane

Rastësia thonë, është nbreti i botës. Kështu më ndodhi edhe mua. Një telefonatë e papritur më futi në një botë të tërë mendimesh dhe kujtimesh për një emër të nderuar siç është emri “Polena”. Menjëherë mendja më shkoi tek nëna ime e cila njerin nga tre operacionet e saj e bëri me doktor Polenën.

Por ajo që ishte më e veçanta, ishte fakti se bashkëbiseduesja ishte mbesa e doktor Polenës, Ingridi, vajza e vajzës Rea të doktorit të mirënjohur. Mbiemri i saj Papajani nga babai, gjithashtu më intrigoi të njihesha me një nga pinjollët e familjes së Fot Papajanit, njeri nga personazhet e fotografisë elbasanase dhe asaj shqiptare, për të cilin para pak kohësh kisha shkruar një historik të jetës dhe kontributeve të tij. Ingridi, vajza e doktor Kolë Papajanit, gjithashtu miku im i takimeve intelektuale, më krijoi një atmosferë të këndshme me një natyrshmëri të bukur kur mu prezantua dhe më tha se të shtunën e 2 marsit kishte 80 vjetorin e ditëlindjes së nënës së saj Rea Papajani (Polena) dhe do bënte një drekë festive me familjen dhe miq e mikesha të saj.

Menjëherë në mendje mu ravijëzua idea e një shkrimi për një brez të respektuar të mjekësisë shqiptare në një shekull, kontributëet e të cilëve janë vlera, jetë të shpëtuara, jetë të lindura dhe gëzime pa fund bahskë me mirënjohjen e shumë e shumë njerëzve anonimë dhe të njohur që bënin për doktor Polenën e famshëm dhe për vajzën e tij gjinikologe, por edhe ëpr lidhjet familjare me familjen e mirënjohur Papajani që gjithashtu ishin në rrangun e kontributeve në mjekësisnë e vendit tonë.

Dr. Sotir Polena

Doktor Sotir Polena me familjen , Arkivi Digjital Elbasan

Doktor Sotir Polena me familjen

Para se të flasësh për Rean, emri i të cilës u bë edhe një personazh i shkrimeve të mia, është e udhës që të rikthesh në kujtesë emrin e doktor Sotir Polena që është rrënja e një vajze që i ngjau babait, tamam si fjala se “dardha nën dardhë bie”. Gjithkush nga Korça e ka shumë të njohur emrin e këtij doktori, por kohët kanë evoluar dhe në emër edhe të mirënjohjes dua të kthej në kujtesë ato momente që janë të spikatura në jetët e njerëzve që bënë historinë e mjekësisë shqiptare

Doktor Sotir Polena lindi Korçë në vitin 1902 dhe ndërroi jetë në vitin 1967 në Vjenë të Austrisë. Ai vazhdoi gjimnazin grek, po në Korçë, ndërsa vitin e fundit të tij e kreu në Follorinë të Greqisë. Ndoqi studimet e larta në Mynih të Gjermanisë, nga viti 1922-1927, ndërsa nga viti 1927-1928 përfundoi doktoraturën në Universitetin e Bavarisë. Nga viti 1930 deri në vitin 1933 punoi në klinikën e tij private dhe më pas, nga viti 1933 -1962, për 30 vjet rresht, punoi si drejtor i Spitalit të Korçës. Profesionin e mjekut e ushtroi për 40 vite rradhazi, kohë në të cilën realizoi me sukses 37 mijë operacione. Për fatin e tij të keq ndërroi jetë në Vjenë të Austrisë ku shkoi për t’u kuruar. Është karakteristike të pohojmë se doktor Polena ka patur një kopsht zoologjik në kopështin e shtëpisë së tij me të gjitha llojet e kafshëve, duke filluar nga pëllumbat, qentë e racës, lepujt, kuajt, pallojtë deri dhe një ujk që e mbante në kafaz.

 

Shtëpia e Dr. Polenës, Arkivi Digjital Elbasan

Shtëpia e Dr. Polenës

Rruga e shtëpisë së Dr. Polenës (godina me kupolë është shtëpia e tij), Arkivi Digjital Elbasan

Rruga e shtëpisë së Dr. Polenës (godina me kupolë është shtëpia e tij)

 

Por spikatja më e madhe ishte fakti se dotori i nderuar që nuk iu nda Korçës së tij të dashur, la trashëgimtarë 6 fëmijë, tre prej të cilëve u bënë doktorë dhe vendin e parë të nderit e zë Rea, babain e së cilës, Sotir Polena më 17 shtator 1999, Bashkia e Korçës e ka shpallur “Qytetar Nderi”.

Doktoreshë Rea Papajani (Polena)

Dr. Rea Papajani (Polena), Arkivi Digjital Elbasan

Dr. Rea Papajani (Polena)

Është vajza e parë , doktoresha e parë dhe krenaria e parë e doktor Polenës që gjithashtu eci në hapat e të atit të saj të nderuar, ashtu si edhe 5 fëmijët e tjerë. Rea ka lindur në Korçë më 02 mars 1933. Rea Papajani (Polena) ka mbaruar gjimnazin me medalje të artë në vitin 1951 dhe pastaj vazhdon studimet në universitetin e Tiranës në degën e mjekësisë. Ajo është brezi i parë i studentave të mjekësisë në vitet 1952-1957. Përfundon studimet me rezultate shkëlqyeshëm dhe më pas specializohet pranë maternitetit të Tiranës “Mbretëresha Geraldinë” në Obstetrikë-Gjinekollogji nga viti 1957 deri më 1959.

Gjatë viteve të studimeve njihet me doktor Kol Papajanin, djalë i një familje të njohur të lagjes Kala në Elbasan. Në vitin 1959 ajo fillon punën si mjekja e parë obstetre-gjinekolloge pranë maternitetit të Elbasanit, edhe si mjekja e parë për Elbasanin në këtë fushë, ku dhe emërohet drejtoreshë e këtij institucioni. Në këtë periudhë materniteti i Elbasanit mbulonte nevojat e gjithë qarkut të Elbasanit që përfshinte qytetet : Elbasan, Gramsh, Librazhd, Peqin, Cërrik, si dhe zonat me gjithë fshatrat e tyre. Nga viti 1959 e deri më 1967 ajo ka qënë mjekja e vetme në këtë maternitet dhe puna në këto vite ishte 24 orë pa pushim. Në këto vite Rea Papajani thirrej për urgjencat e maternitetit në çdo orë të ditës apo natës, ditë jave apo ditë feste apo pushimi. Siç kujtojnë fëmijët e saj, Ingridi dhe Feliksi, shpesh herë edhe ata vetë gjëndeshin në ambjentet e maternitetit pasi ambulanca vinte dhe i merrte në kinema, vizita familiare apo edhe në lokale. Rea gjithmonë ka qënë në gadishmëri për çdo pacient jo vetëm në ambjentet e maternitetit, por edhe në shtëpinë ku banonte. Ajo ka qënë gjithmonë e mbështetur dhe e ndihmuar nga një ekip mamish njëlloj të përkushtuara si ajo, si Sofie Tollumi, Irini Xhajanka, Liri Gjeçka, Marie Gjergji, etj. Ngjajshmëritë e kësaj doktoreshe të përkushtuar dhe të nderuar njëkohësisht ishin si tiparet e veçanta që kishte po në elbasan edhe Doktor Nosi, ashtu si edhe babai i saj Doktor Polena, tamam ashtu siç e kërkon profesioni i doktorit, që duhet thënë se sot lë shumë për të dëshiruar.

Duhet të them se në këto vite përveç mungesës së personelit të nevojshëm për një qark me kaq shumë nevoja, e vështirësonte mjaft punën edhe mungesa e mjeteve të domosdoshme për ndërhyrjet si operacionet apo abortet, mungesa e serumit dhe e rezervave te gjakut. Por që të gjitha këto mbuloheshin në një farë mënyre me aftësitë e doktoreshë Rea, me përkushtimin dhe gadishmërinë e kësaj gruaje që fati i kishte caktuar të ecte në gjurmët e të atit të saj, Sotir Polena. Nga ana tjetër në këto vite pacientet që i drejtoheshin maternitetit, vinin në gjëndje mjaft të rëndë shëndetësore për mungesë transporti, mungesë personeli mamish në zonat e thella, mentaliteti i prapambetur.

Kujtime të veçanta të doktoreshë Reas

Në kujtimet e saj Doktoreshë Rea përmend një të dielë kur në maternitet paraqiten rreth 5 raste tepër urgjente (me anemi të theksuar dhe në gjendje shoku) dhe rezervat e serumit ishin vetëm 5 litra , dhe gjak nuk kishte asnjë pikë. Në këto kushte ekstreme doktoreshë Rea mori vendimin të thërrasë një nga donatoret e përhershme zonjën Tipa Blida për të dhuruar gjak dhe kështu shpëtoi jeta e një zonje. Një moment tjetër që ajo do ta kujtojë gjithmonë : gjatë një operacioni, në momentin që mjekja nxjerr fëmijën ndërpritet energjia elektrike. Ky ishte një moment tepër deciziv për jetën e gruas, por ajo si gjithmonë gjakftohtë dhe e shpejtë në veprime e zgjidhi këtë situatë me mjete rrethanore, gjë që sot nuk mund ta imagjinojnë mjekët e rinj. Gjatë viteve të punës pranë maternitetit të Elbasanint ka kryer ndërhyrje nga më të ndryshmet, si të urgjencës dhe të planifikuara. Në vitin 1967 në kuadrin e qarkullimit që bënte pushteti i asoj kohe, doktoreshë Rea largohet nga materniteti dhe emërohet drejtoreshë e Drejtorisë së higjienës rrethi Elbasan, ku dhe punon deri në fund. Gjatë këtyre viteve, nën drejtimin e saj, drejtoria e higjenës së Elbasanit vlerësohet mjaft pozitivisht disa herë në rrang republike.
Për doktoreshë Rean Elbasani u bë qyteti i saj i dytë pas Korçës, qytetit të vendlindjes mjaft të dashur dhe të rëndësishëm. Në Elbasan ajo ndërtoi një familje të shëndetshme dhe gjatë gjithë jetës ajo pati në krah jo vetem si bashkëshort, por edhe si koleg Doktor Kolë Papajanin. Ajo kujton me shumë mall e respekt vitet e vështira kur ajo së bashku me kolegët e vetë si : Dr. Ali Deliallisi, Dr. Rreshat Kapshtica, dr. Esat Bordi, dr. Bedri Xhomo, farmacistin e talentuar Kiço Shqau, dr. Emil Mborja, Dhimitër Bardhin, bënin konsulta për rastet vështira dhe mbështesnin fuqimisht njëri-tjetrin për zgjidhjet e tyre të vështira. Përveç punës së saj si mjeke, Doktoreshë Rea ka qënë dhe një aktiviste e shquar dhe aktive për emancipimin e gruas dhe rinisë me temat që ka mbajtur në konferenca të ndryshme me bisedat, këshillimet pranë rinisë gjatë viteve kur ndërtohej hekurudha Elbasan – Pogradec, apo në zonat e thella të qarkut të Elbasanit.

Në vend të epilogut

Emrat e nderuar të mjekësisë shqiptare janë të skalitura në kujtesën e njerëzve në të gjithë Shqiëprinë. Jo vetëm Korça me doktor Polenën dhe doktor Mborjen, jo vetëm Elbasani me Doktor Nosin e të tjerët e sipërcituar, por edhe doktor Koço Glozhenit në Tiranë dhe shumë e shumë emrave të tjerë që janë absolutisht të mirënjohurit e doktoraturave në specialitete të ndryshme, janë bashkësia e një mozaiku të bukur që ndrisin në kujtesën tonë qytetare. Ajo që është më e rëndëishme është fakti se ata përbëjnë edhe shembullin e doktorit të çdo kohe që të priret nga përkushtimi dhe humanizmi, nga respekti për njeriun dhe ndershmëria. Kjo më kujton këshillën që Grigori, babai i doktor Nosit kur i tha të birit që dashuronte mjekësinë se “në këtë profeson biri im, nuk ka ditë e nuk ka natë, nuk ka të bardh apo të zi, nuk ka të pasur apo të varfër, të gjitha duhet të keshë njëlloj, ndaj vare vath në vesh këtë gjë”.