Dita e verës festohej në Elbasan me ëmbëlsira, arra e palëfiku. Nëpër fshatra në këtë ditë dilnin për gjueti në zonat më të afërta  të rinjtë e të moshuarit. Njerëz nga qytete të tjera vijnë për të festuar në Elbasan. Populli i Elbasanit harxhonte shumë për këtë festë, shpezime të tilla muslimanët i bënin vetëm për Bajramin e Madhe të Vogël. Në këtë ditë përgatiten: ballokume, ravani, palëfiku, arra, theret gjeldeti  etj. Caktohet një pjesë e tyre, që do t’u shpërndahet miqve, shokëve, të afërmve, të varfërve etj dhe në 14 Mars allafranga ose 1 Mars allaturka shpërndahen duke uruar: “Për shumë vjet!”. Në mëngjesin e Ditës së Verës të gjithë dilnin për të festuar jashtë qytetit. Vendet e preferuara ishin:  Krasta e Madhe, Tepja e Zaranikës, Çarja e Stringës, Ullini i Qefit, Rrapi i Mansit, Bysheku, Teferiçi etj.Gjithë ditën festohet, hahet, pihet e këndohet dhe festa përfundon atëherë kur perëndon dielli. Kur ishin duke festuar ndodhte edhe që të zbraznin pushkën. Disa grupe që mblidheshin për të festuar merrnin edhe orkestra popullore ose këngëtarë. Shpesh grupet që ishin duke festuar në të njëjtin vend, shkonin e uronin njëri – tjetrin: “Për shumë vjet këndofshi e vallëzofshi!” – “Me gjithë ju!” ishte përgjigja e urimit. Kjo ishte mënyra e festimit të Ditës së Verës vite më parë në qytetin tonë.

Një nga këngët që këndohej në këtë ditë ishte edhe kënga e titulluar: ” Largoi dimri”

Largoi dimri, erdhi vera

                                  Dalin lulet palë – palë, nji nga nji,

                                  Lulet e Elbasanit , si përhera,

                                  Dhe kur plaken kanë bukuri.

 

                                  Dhe ju lule të majisit,

                                  Mos ju lavdëroni luleve të prillit,

                                  Se bukuria në ju qëndisi,

                                  Që të shndritni si rreze të diellit