Dita e Verës ka një prejardhje shumë të hershme që në kohën e iliro-arbëreshe. 14 Marsi (Dita e Verës) është festë e gjithë trojeve shqipëtare. Por ajo tempullin e vet e ka në rrethinat e Elbasanit, sepse në ato anë ndodhej një faltore e quajtur Zana e Çermenikës (Djana Candaviensis). Dita e Verës në qytetin e Elbasanit ishte një festë unikale, një rit që kremtohej sipas kodit tradicional, me zakone e norma të veçanta. Për këtë ditë ruhej e gjithë zahireja e vitit të kaluar: palët e fikut dhe arrat, mollët e ftonjt… mjalti e pekmezi… Rituali niste një ditë përpara me bërjen e revanive (Ballakumet u futën më vonë). Festa niste që herët në mëngjes, zinte fill me veshje të reja të pranverës dhe pajisjen e fëmijëve me verore (verorja ishte distiktiv i pjesmarrësve në ceremoninë e ”Ditës së Verës”. Ajo përbëhej nga dy fije leshi, të kuqe dhe të bardhë. Gjak i kuq gjallërues, në moshën e bardhë të brezit të ri). Në ritualin e Ditës së Verës është edhe KAMA. Të bërët Kamë shënonte solemnitet të veçantë. Është detaji që dallon kremtimin elbasanas të motmotit, nga të gjithë festat që i kushtoheshin pranverës në Shqipëri e gjetkë.