Shkolla Normale e qytetit të Elbasanit hapi dyert e saj më 1 dhjetor 1909. Si e para shkollë e mesme në gjuhën shqipe, hapja e saj erdhi si rezultat i drejtpërdrejtë i realizimit të aspiratave madhore të mbarë popullit dhe të Rilindasve tanë të shquar për zhvillimin e arsimit dhe përparimin e kombit shqiptar.

Hapja e kësaj shkolle u bë e rëndësishme dhe ishte një nevojë e ngutëshme për shkak të zgjerimit të kërkesave për arsimim dhe rritjen e numrit të shkollave shqipe në mbarë vendin, ç’ka u bë objektiv çdo ditë e më shumë i një diskutimi në rrethet patriotike dhe në shtypin kombëtar të kohës.

Kjo shkollë u konceptua dhe u realizua si qëndra më e rëndësishme për edukimin patriotik të njerëzve, për lëvrimin e gjuhës shqipe dhe për të hedhur bazat e metodave bashkëkohore arsimore e pedagogjike.

Mundësinë e hapjes së kësaj shkolle e paraprinë dy kongreset e zhvilluara më parë. Kongresi i Manastarit (Qershor 1908) i cili zgjidhi përfundimisht problemin e alfabetit të gjuhës shqipe dhe Kongresi i Arsimit i zhvilluar në Elbasan (2-9 shtator 1909) i cili vendosi hapjen e shkollës normale në Elbasan më 1 Dhjetor  1909.

Dihet që të dy këto kongrese dhe hapja e shkollës normale u realizuan në kohën kur shteti shqiptar akoma nuk kishte fituar pavarësinë dhe ndodhej nën pushtimin 500 vjeçar të Perandorisë Osmane.

Në shkollë u regjistruan nxënës nga të gjitha viset shqiptare (pra jo vetëm nga Shqipëria), por edhe nga Kosova, Maqedonia, Çamëria e Mali i Zi.

Luigj Gurakuqi, drejtori i parë i kësaj shkolle, ditën e parë të shkollës, do të shprehet para nxënësve: “ Elbasani sikundër ashtu mesi i Shqipnisë kërthise, ashtu do të jetë edhe mesi i Shqipnisë mendore; do të jetë truri, do të jetë zemra e të gjithë shqipatëve, këtu katundari me qytetarin, malësori me fusharakun do të bashkëjetojnë e do të bëhen një. Keshtu toka më pjellore do të derdhen, do të treten, do të përzihen bashkë e do të njishmohen. Këtu gjuha shqipe do të marrë një trajtë e një fytyrë të përbashkët, këndej do të dalin shqiptarë e bij shqiptarësh.

Për 90 vjet kjo shkollë përgatiti mijëra e mijëra mësues që u quajtën normalistë, të cilët shërbyen në të gjitha trojet shqiptare për arsimimin dhe edukimin e brezave pasardhës.

Me të drejtë kjo shkollë quhet Universiteti i parë shqiptar Pedagogjike pasi mësues dhe drejtues të kësaj shkolle si Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Haki Peci, Petër Dodbiba, Dhimitër Papakristo etj janë personalitetet më të shquara të arsimit kombëtar dhe shkencëtaret e gjuhësisë shqiptare.  

Përgatiti : Hyqmet ZANE

Shkolla Ushtrimore e Normales, 1923 (Foto e dhënë nga Z. Rudolf Deliana)

Shkolla Ushtrimore e Normales, 1923 (Foto e dhënë nga Z. Rudolf Deliana)